Grekët e lashtë kanë patur një shprehje shumë domethënëse: “Kënga s’është gjë tjetër, vetëm se komunikimi në shkallën më të lartë”. Orfeu, një nga figurat më të njohura të mitologjisë greke, komunikonte me Zotat me ndihmën e poezisë, shoqëruar gjithnjë nën tingujt virtuozë të lirës. Dhe aq të bukura ishin, sa gojëdhanat thonin se magjepste kafshët e egra të pyllit, bënte përrenjtë të ndalonin dhe pemët të përkuleshin për të dëgjuar tingujt e zërin e tij sublim.
Nuk mund të gjej përkufizim më të saktë! Dhe ilustrim më të bukur! Kënga është një mënyrë artistike komunikimi, në gjendje të realizojë maksimalisht të gjitha pritshmëritë që kemi në lidhje me të.
Në fakt, të gjitha zhanret e artit janë, në një mënyrë a tjetër, një “gjuhë komunikimi”. Muzika komunikon nëpërmjet tingujve, piktura nëpërmjet ngjyrave, skulptura nëpërmjet formave, arkitektura nëpërmjet volumeve… Kinematografia renditet në krye të komunikimit dhe mbetet nga më të dashurat dhe populloret, pikërisht sepse përmban shumë elementë komunikimi, si imazhi, muzika, skenari, loja e aktorëve etj. etj…
Po kënga?
Kënga ka, së pari, fjalën! Fjalën e bukur, të zgjedhur, të mençur, poetike. Një poezi me të tillë elementë ka edhe ajo, vetvetiu, “muzikën” e saj brenda.
Pastaj vjen muzika! Teorikisht dhe profesionalisht, muzika e këngës ka elementë si formati, frazat e fjalitë muzikore apo harmonia. Sa më profesionale të jenë elementët që përbëjnë këngën, aq më e “shëndeteshme” estetikisht është ajo. Por një melodi e bukur dhe impresionuese mund të tingëllojë si këngë e bukur edhe në formën e cicërrimave të një zogu që qëndron në degën e një peme apo të vibrimeve të një gjethe shtogu lart në mal.
Më pas vjen “servirja” e këngës, pra si na ekspozohet! Kjo do të thotë që këngës i shtohen shumë elementë të tjerë, gjithnjë në funksion të vetëm një synimi – si të bëhet më e bukur! Kënga bëhet më e bukur falë interpretimit, paraqitjes skenike dhe deri edhe plastika vizuale e interpretit ndikon pozitivisht ose negativisht në cilësitë e dëshiruara të saj. Për të bërë një përmbledhje, këngën e bukur e bën mendja dhe talenti i atij që merr përsipër ta percjellë, ta servirë, ta ekspozojë. Sa më shumë elementë estetikë të ketë dhe sa më profesional të jetë, aq më shumë shanse ka që kënga jo vetëm të mbetet e bukur, por të bëhet edhe më e bukur!
Sigurisht, testi i fundit i një kënge është koha. “Koha është gjykatësi që e certifikon veprën artistike dhe askush tjetër!” – dhe këtu kam parasysh dëshirën e publikut për ta dëgjuar dhe ridëgjuar. Si profesionistë, kemi të drejtën relative për të listuar parametrat që e përbëjnë një këngë të mirë, por e drejta absolute për ta cilësuar një këngë si të bukur kjo shkon gjithnjë tek publiku. Këtu, në fakt, parametrat fillojnë e ngatërrohen, sepse e bukur do të thotë “më pëlqen ose nuk më pëlqen”.
Duke u bashkuar me publikun, kënga që mbetet dhe jeton gjatë është e bukur… Një këngë të bukur ke dëshirë ta fërshëllesh dhe këndosh nën zë! Sot, fatkeqësisht… fërshëllima po harrohet gjithnjë e më shumë. Dhe vështirë të hasësh një njeri që mban në buzë melodinë e një kënge të ditëve të sotme… Këtë e kam të vështirë ta shpjegoj!

Gazmend Mullahi ka mbaruar studimet e larta për kompozicion, pranë Akademisë së Arteve, Tiranë. Ka drejtuar Sektorin e Kulturës së Diasporës dhe Minoriteteve, pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe ka qenë pjesë e redaksisë së Krijimtarisë Muzikore dhe Rregjistrimeve, pranë Radio Televizionit Shqiptar. Anëtar i Këshillit Artistik në Teatrin e Operas dhe Baletit, pedagog i jashtëm në Akademinë e Arteve, si dhe pjesëtar i bordit artistik muzikor të aktiviteteve të ndryshme muzikore në RTSH, si “Koncertet e Majit”, “Festivalet e këngës së muzikës së lehtë”, “Koncertet e pranverës”, “Festivalet e këngës popullore” etj. Ka fituar çmime të shumta, me pjesë të ndryshme instrumentale dhe orkestrale.
Mban titujt “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i Republikes Bamir Topi me motivacionin “Për vlerat e krijimtarisë muzikore në të gjitha gjinitë e saj, si dhe për kontributin e dhënë si organizator dhe drejtues i muzikës në kulturën artistike muzikore shqiptare”, si dhe “Mirënjohja e qytetit Librazhd”, akorduar nga Këshilli Bashkiak i qytetit me motivacionin “Për veprimtari dhe kontribut te shquar në zhvillimin e kulturës në rrethin e Librazhdit për vite me rradhë”.
Aktualisht jeton në San Diego, Kaliforni, SHBA, së bashku me bashkëshorten, fëmijët, nipërit dhe mbesat.