Nga Sonila Kapidani
Teatri i Metropolit sapo ka mbyllur ciklin e prezantimeve në publik të shfaqjes “Sherlok Holms dhe Langoi i Baskervillëve”, e autorit Ken Ludwig, përshtatur nga një tregim humoristik i Sir Arthur Conan Doyle. Drama ka mbi dyzet karaktere dhe luhet nga pesë aktorë. Debatet që kanë shoqëruar shfaqjen kanë qenë të shumta. Kjo u bë shtysë për një bashkëbisedim me bashkëshortin tim, Shkëlzen Berisha, regjisor dhe përkthyes i dramës, një bashkëbisedim që ndryshe nga herët e tjera menduam ta dokumentojmë dhe botojmë. Klisheja e marrëdhënies burrë-grua ishte dilema e zakonshme që shoqëron zakonisht nisma të tilla, por vendosëm ta tejkalojmë. Falë edhe nxitjes e kurajës së Valbona Nathanaili.

“Sherlok Holms dhe Langoi i Baskervillëve”
Në këtë terrenin tonë artistik të ngatërruar, me Shkëlzenin jo rrallë kemi përplasje mendimesh, ose ide që nuk konvergjojnë, por përfundojnë gjithnjë si gjetje të reja dhe kamuflohen me etiketimin “shkëmbim përvojash”, që për hir të së vërtetës gjithnjë na kanë motivuar dhe na kanë ndihmuar të qartësojmë dhe zhvillojmë punën tonë.
- Sonila Kapidani: Cilat janë shtysat e tua në nisjen e rrugëtimit të një krijimi të ri teatror?
Shkëlzen Berisha: Kam pasion përkthimin dhe veçanërisht përkthimin e veprave dramatike. Falë këtij pasioni, rrugëtimi nis që me përkthimin e një vepre. Shtysa kryesore është besimi që kam se teatri duhet të kërkojë dhe gjejë mënyrat për të integruar dilemën e individit me problemet shoqërore. Pavarësisht se shfaqja “Sherlok Holms dhe Langoi i Baskervillëve” ka një natyrë të veçantë, jam përpjekur që këtë parim ta përdor edhe në këtë shfaqje.
- Sonila Kapidani: Le të ndalemi pak më gjatë te përkthimi i veprës “Sherlok Holms dhe Langoi i Baskervillëve”. Vlerësimi i publikut dhe i aktorëve flet për një gjuhë të pasur, ku ndihet mjeshtëria në thurjen e fjalive të drejtpërdrejta me ato të tërthorta, një gjuhë me specifika dhe në gjendje të qëndisë personazhet, duke u dhënë edhe një lloj ngjyrimi shqiptar.
Shkëlzen Berisha: Përkthimi është një nga punët që më grish dhe e shijoj shumë. Në rastin e këtij teksti vendosa që dialogu i personazheve të vinte me një gjuhë të larmishme dhe sa të freskët, aq dhe antike, që të kujton kohët e vjetra, sepse i shkon për shtat edhe situatave, edhe realizimit artistik. Kam në vëmendje faktin që shumë fjalë zbehen apo lihen në harresë gjatë përdorimit të përditshëm, sikundër edhe shumë të tjera që krijohen e bëhen pjesë e fjalorit tonë, ndaj këmbëngul që të përdor nga të dyja, edhe pse një pjesë e publikut mund të mos i ketë të njohura. Janë aktorët që mund t’i bëjnë të kuptueshme përmes fuqisë së shprehive, sepse e fuqizojnë fjalën me mimikë dhe gjeste. Në rrjedhojë, pasurojnë publikun njëkohësisht.

Thuhet se aktorët janë pjesa e shoqërisë që e flet më së miri gjuhën e një vendi, e kjo nuk bëhet dot e mundur pa një tekst që i ndihmon ata të kyçen në punën e mëtejshme. Për sa kohë që shfaqja është për publikun shqiptar, mendoj se çdo përkthyes apo regjisor nuk ka rrugë tjetër veçse ta bëjë të kuptueshëm një tekst për kulturën, njohuritë, psikologjinë e këtij publiku. Sa herë që unë përkthej, pyetja e parë me të cilën nis punën është: “Kujt publiku do t’i prezantohet kjo shfaqje?”
Kam konstatuar që gjuha në përgjithësi e publikut tonë është e varfër. Shpesh më pyesin pse zgjodhët si titull “Langoi i Baskervillëve” dhe jo “Qeni i Baskervillëvë’, – kjo më trishton edhe për atë që mësohet në shkolla. Qeni është gjithë specia e këtij lloji. Langoi është një lloj i qenit të gjahut, me karakteristikën e zbuluesit, që i shkon më së miri ngjarjeve dhe gjithë kontekstit të dramës.
- Sonila Kapidani: Le t’i kthehemi profesionit, regjisorit. Përvojat tuaja me teatrin shtrihen në tri mjedise të ndryshme: Britani, Kosovë dhe Shqipëri. Besoj se ndërmjet tyre ka dallueshmëri dhe ngjashmëri në metodat e zgjedhura për t’ia nisur një pune. Cilën keni zgjedhur ta zbatoni këtu?
Shkëlzen Berisha: Teatri në Shqipëri e Kosovë ka pasur dhe vazhdon të ketë shumë probleme, – nga më të ndryshmet, – nisur që nga pika fillestare, që është drama shqipe, tek regjisorët, aktorët e deri tek nivelet e ndryshme të politikave dhe organizimit të kësaj veprimtarie. Me këtë nuk dua të them se kthimi im në Kosovë dhe Shqipëri ka qenë zhgënjyes. Përkundrazi, më ka bërë që të jem i vetëdijshëm se ka shumë punë për të bërë dhe të përgatitem për një rrugë me pengesa e cila njëkohësisht edhe të inspiron që këtë gjendje të përpiqesh ta ndryshosh, sigurisht jo vetëm, por në bashkëpunim me njerëz që mendojnë si ti, të përpiqesh të krijosh një klimë që do të sjellë struktura jetëgjata dhe progresive dhe një traditë të re pune që është në hap me zhvillimet teatrore të vendeve si Britania.
Shfaqja “Sherlok Holms dhe Langoi i Baskervillëve” është një shfaqje që ka kërkuar shumë vëmendje dhe shumë përgjegjësi në realizim, nisur nga pyetja që i mundon pambarimisht njerëzit e artit: si mund të krijohet, nga teksti i dhënë, një shfaqje që do të plotësojë nevojat e dinamikës me të cilën zhvillohet jeta e shoqërisë sot?
Meqenëse Regjia është një punë shumë e bukur dhe njëkohësisht shumë e lodhshme, besoj se pika e parë ku mbështetesh është besimi në parimet. Dhe parimi kryesor i çdo artisti në këndvështrimin tim, duhet të jetë shqetësimi social. Mendoj se në thelbin e punës krijuese artistike është pasuria e mjeteve shprehëse, pa u shkëputur nga përmbajtja. Zgjidhjet skenike të shfaqjes që keni parë e dëshmojnë më së miri këtë. Puna ime me trupën artistike ka qenë sfidë dhe kënaqësi njëherësh në shumë aspekte. Prova të njëpasnjëshme, zgjidhje pengesash, modelim energjish, harmonizime ritmike dhe përpjekje të pareshtura drejt ekuilibrit mes veprimit dhe mendimit. Kalimet e shpejta tek aktorët që luajnë disa personazhe, përllogaritja e ndryshimeve të kostumeve, vendeve të veprimit.
- Sonila Kapidani: Po qëndrojmë pak këtu, tek aktrimi dhe mëdyshja aktrim metodik apo teknik?
Shkëlzen Berisha: Kur flasim për aktrimin, unë jam me atë teknik. Kam qenë i interesuar gjatë procesit që të punoj në disa nivele shprehimore të cilat në bazë kanë drejtpeshimin. Pra, besoj se aktrimi është një mjeshtri/zanat, dhe si i tillë ka nevojë për teknikë pune që i bën aktorët të njohin mjaft mirë potencialet e veta trupore dhe t’i përdorin ato në funksion të situatave skenike. Më pëlqen të përdor në shfaqje kombinimin e disa formave teatrore, të cilat e stërvitin aktorin që të evitojë emocionet përzier me energji të tepërta, duke synuar përthyerje të shpejta dhe ngacmuese, ndërkohë që i japin publikut një zinxhir situatash mjaft të gjalla që ndryshojnë dhe transformohen çdo çast, por pa e humbur përmbajtjen apo rrjedhën e ngjarjeve. Kjo kërkon atë që Eugenio Barba e quan: “aftësi e aktorëve për të rezistuar”! Kjo përmbledh aspektet e punës së aktorëve, që janë ai individual, – në të cilin hyn ndjeshmëria, njohuritë, inteligjenca artistike, empatia sociale; aspekti i përbashkët – ku hyn aftësia për të manifestuar personalitetin duke respektuar traditën e punës në grup, që është me shumë rëndësi në këtë proces.
Besoj se aktorët duhet të jenë vëzhgues të mirë. Nuk jam ithtar i asaj që quhej “thirrje e ndjesive të kujtesës” apo si ke vepruar ti në rrethana të ngjashme. Gjithsesi, kjo është një bisedë shumë më e gjatë se koha e një interviste, ndaj do preferoja ta zhvillonim më tej në ndonjë tjetër medium.

- Sonila Kapidani: Po kaloj tek elementi i skenografisë dhe pyetja përzier me befasinë që erdhi nga shikuesit në raport me dy objektet që në fillim dukeshin thjesht si mobilje, por që mbanin gjallë kureshtjen hap pas hapi: kolltuk – në rregull, krevat – në rregull, mal – në rregull, oxhak – në rregull, banak – në rregull, po edhe karrocë?!
Shkëlzen Berisha: Unë besoj tek imagjinata njerëzore, ndaj mendoj se i duhet lënë vend publikut për të imagjinuar, kështu ndërtuam një skenografi që transformohet, duke mbajtur aktive imagjinatën e publikut gjatë gjithë kohës dhe duke u shërbyer ngjarjeve njëkohësisht, por edhe tensionit të veprimit të personazheve. Ndërsa kostumet u krijuan në funksion të ndërrimeve të shpejta, me detaje që bëjnë dallimin e personazheve pa i penguar aktorët, me ngjyra të gjetura bukur që përcjellin misterin dhe vendin e veprimit dhe në harmoni me skenografinë minimaliste.