Raport teknik, nga Rudolf Johnson (Universiteti Stanford, Qendra për kërkime shkencore dhe zhvillim nëmësimdhënie) / Mbështetur nga Instituti Kombëtar i Edukimit, Uashington.

Përshtati në shqip Valbona Nathanaili

Abstrakt

Ky raport studion marrëdhënien ndërmjet tipit të shkollës dhe pjesëmarrjes e ndikimit të mësuesve në menaxhimin e shkollës, si dhe marrëdhënien ndërmjet tipit të shkollës dhe ndikimit të drejtuesve për çështje të caktuara në ndërveprimin profesional në shkollat fillore. Burimi kryesor i këtij raporti janë raportimet e drejtuesve. Në hyrje do të gjeni synimin e këtij raporti. Kapitulli 2 shpjegon metodën me të cilën u mblodhën përgjigjet nga pjesëmarrësit dhe, më pas, si u matën. Në kapitullin 3 diskutohet marrëdhënia ndërmjet bashkëpunimit të mësuesve dhe pjesëmarrjes e ndikimit të mësuesve në vendimmarrje. Marrëdhënia ndërmjet bashkëpunimit të mësuesve dhe ndikimit të drejtuesve shqyrtohet në kapitullin 4. Kapitulli 5 merr në analizë karakteristikat e shkollës dhe faktorët mjedisorë që ndikojnë pjesëmarrjen dhe ndikimin. Pasojat në politika të rezultateve të këtij studimi shqyrtohen në kapitullin 6. Studimi arrin në konkluzionin se bashkëpunimi çon në një ndërveprim më të madh ndërmjet drejtuesve dhe mësuesve. Përfshirja e mësuesve në grupe që japin bashkë mësim demonstrohet se rezulton me më shumë ndikim në vendimet e shkollës që lidhen me personelin, administrimin, menaxhimin e nxënësve, kurrikulën dhe metodat e mësimdhënies, se sa për rastet e shkollave ku mësuesit nuk bashkëpunojnë. Në shkollat ku kishte më shumë grupe mësuesish, më shumë grupe që jepnin së bashku mësim dhe vendimmarrja ishte e përbashkët, atëherë edhe drejtues e mësues ndiheshin më shumë me ndikim. Apendiksi përfshin procedurën e kampionimit, instrumentet ekërkimit dhe të dhënat krahasuese për mësuesit.  

Hyrje

Çështja e pushtetit dhe e ndikimit kanë qenë objekt studimi për studiuesit e organizatave që nga koha që vetë organizatat kanë qenë objekt studimi. Por vitet e fundit jemi bërë dëshmitarë të disa sfidave në lidhje me supozime që i kemi marrë si të mirëqena për një kohë të gjatë. Ithtarë të praktikave të menaxhimit pjesëmarrës, për vite me radhë kanë argumentuar në favor të një përfshirje sa më të madhe të punonjësve të thjeshtë në vendimmarrje, me pretendimin se efektiviteti i një organizate është më i madh, si dhe shkalla e kënaqësisë, sa më pak të formatuar (lexo kokulur e painiciativë) të jenë punonjësit. Studiues të tjerë, nga të cilët më i njohuri është Arnold Tannenbaum (1968) e ka orientuar studimin e pjesëmarrjes dhe të ndikimit në një drejtim tjetër. Tannenbaum kundërshton pikëpamjen se shkalla e lartë e ndikimit në punët e organizatës, si nga menaxherët, ashtu edhe nga punonjësit që vetë ai ka në varësi, mund të shoqërizohet me efektivitet dhe kënaqësi më të lartë. Me fjalë të tjera, është e dëshirueshme të kemi menaxherë më të fuqishëm dhe më mendikim, po aq sa edhe nëpunësit a punonjësit në varësi të tyre të jenë më të fuqishëm dhe më me ndikim. Por ky argument duket se bie në kundërshti me mendimin e përgjithshëm, që nëse drejtuesit duan të jenë më të fuqishëm dhe më me ndikim në rrjedhën e ngjarjeve dhe të vendimeve që duhen marrë në një organizatë, atëherë ju duhet të ushtrojnë një kontroll më të madh në kurriz të kontrollit dhe ndikimit të atyre që kanë në varësi.

Argumenti i Tannenbaum bazohet në premisën që në çdo situatë njerëzore, sasia e përgjithshme e ndikimit [1] ekzistues në atë situatë nuk është një numër konstant. Pra, pushteti dhe ndikimi janë si dashuria ose dituria. Të gjithë mund të kemi shumë e më shumë nga ai. Kjo do të thotë, për shembull, se nëse disa mund të kenë më shumë ndikim, kjo nuk do të thotë që të tjerët kanë më pak.     

Kjo mënyrë të menduari është pjesë e pikëpamjes jomekanistike për organizatat dhe menaxhimin e tyre. Tannenbaum (1968) përdor termin “organik”, huazuar nga veprat e Burns dhe Stalker (1961), si dhe të disa studiuesve të tjerë, që e përdorin për të përshkruar ato organizata që karakterizohen nga rrjete komplekse kontrolli. Anëtarët e këtyre organizatave janë të të përfshirë thellësisht me njëri-tjetrin me mënyra komplekse. Sasia e përgjithshme e kontrollit ose ndikimit që ushtrohet është shumë e lartë; si menaxherët, ashtu edhe punonjësit ose të punësuarit kontrollohen ose ndikohen nga të tjerët në situata të ndryshme, sipas një shkalle të lartë. Nëse bëjmë krahasime ndërmjet organizatave të ngjashme sa i takon llojit të punës që kryejnë, personat e punësuar në organizata “organike”, me kontroll të lartë, raportojnë një shkallë më të lartë ndikimi në jetën e organizatën, se sa kolegët e tyre në organizata më shumë mekanistike.

Le të përpiqemi ta zbatojmë argumentin e Tannenbaum-it në menaxhimin e shkollës. Nëse i zhvillojmë hulumtimet tona në një numër të caktuar shkollash fillore, duhet të presim ndryshime në varësi të pjesëmarrjes së mësuesve në vendimmarrje. Ose, po të shprehemi në mënyrë tjetër, duhet të presim që shkollat të ndryshojnë në varësi të sasisë së kontrollit që mësuesit ushtrojnë në drejtimin e shkollës. Për të argumentuar rreth pohimit të Tannenbaum, na duhet të dimë nëse drejtuesit ndryshojnë nga njëri-tjetri në mënyrën dhe shkallën me të cilën ndikojnë vendimet që marrin dhe nëse diferenca ose mungesa e diferencës ka ndonjë lidhje me sasinë e kontrollit ose të ndikimit të ushtruar nga mësuesit.   

Sa kohë që shkollat janë organizata shumë tradicionale, me pritshmëri të zhvilluara më së miri për lidhjet e mësuesve me njëri-tjetrin dhe me drejtuesit, nuk është e lehtë të gjejmë shumë shkolla fillore të ndryshme, në disa mënyra të caktuara e domethënëse nga njëra-tjetra. Për fat të mirë, një hulumtim i këtyre kohëve të fundit (ose për të qenë më saktë një bashkësi hulumtimesh) flasin për disa diferenca të vërteta. Njëra prej tyre është mësimdhënia në grup, një praktikë e përshtatur kohët e fundit dhe në varësi të modifikimit ose godinës së shkollës për të siguruar hapësira të hapura klasash. 

Por edhe pse mësimdhënia në grup në hapësira të hapura klasash është një nismë shumë e rëndësishme, studimet për ndikimin që ka ky lloj i ri angazhimi në organizatë, për habi, janë shumë të pakta. Nga këto pak që janë zhvilluar, pjesa më e madhe janë kryer nga Universiteti i Stanfordit dhe Universiteti i Oregonit (Pellegrin, 1970; Meyer & Cohen et al., 1971; Marram, Dornbuschand SCott, 1972; Schiller, 4972). Studimi i paraqitur është pjesë e hulumtimit të vazhdueshëm të faktorëve organizacionalë që ndikojnë edukimin, ndërmarrë nga Qendra e Stanfordit për Zhvillime Kërkim Shkencor në Mësimdhënie.

Një nga gjetjet më interesante në kërkimet e zhvilluar edhe nga Meyer & Cohen, edhe nga Pellegrin, është se kur mësuesit punojnë në grup, kanë në mënyrë domethënëse ndikim më të madh në vendimmarrje dhe në formulimin e politikave brenda shkollës. Edhe vetëm ky fakt është me domethënies shumë të madhe përmenaxherët. Ai mund të na ndihmojë të shpjegojmë disa nga vështirësitë që shoqërizojnë kur flasim për mësimdhënie në grup dhe hapësira të hapura klasash në shkolla të ndryshme. Nëse drejtues a mësues, ose të dy së bashku, tregojnë mungesë vullneti, ose janë të papërgatitur të ndryshojnë modelet e tyre të kontrollit dhe të ndikimit brenda shkollës, është shumë e vështirë për çdo lloj forme punenë grup që të funksionojë me sukses.    

Studimi aktual i pranon dhe i përdor disa nga gjetjet e këtyre dy studimeve si pika nisjeje dhe e çon studimin në një fazë të re. Në të dy studimet e cituara, raportimet bëhen nga perceptimet e mësuesve. Gjithsesi ata e pranojnë që persona në pozita të ndryshme brenda organizatës mund të kenë perceptime të ndryshme për situata të njëjta. Akoma, këto studime fokusohen në raste të skajshme: shkolla plotësisht me hapësira të hapura klasash dhe mësimdhënie në grup, ose shkolla ku këto praktika mungojnë tërësisht. Pellegrin fokusohet në një formë të veçantë mësimdhënie në grup: shkolla fillore multi njësi, një strukturë organizacionale, zhvilluar nga Qendra Wisconsin për Kërkime dheStudime në fushën e mësimit konjitiv, përshtatur si formë mësimi në shkolla në qytete të ndryshme të vendit. Studimi aktual shqyrton një kampion me numër shumë të madh shkollash fillore, me të gjitha llojet e përshkrimeve.

Hulumtimet e mëparshme drejtojnë pyetje të përgjithshme rreth ndikimit. Rezultatet e përftuara ngrenë çështjet, nëse rritja e ndikimit që përshkruajnë mësuesit që japin mësim në grup është thjesht një ndjenjë e përgjithshme ndikimi dhe nëse matja e ndikimit mund të bëhet në mënyrë specifike, duke kërkuar pyetje për vendime konkrete që merren përgjithësisht në shkolla. 

Akoma, ndikimi i drejtuesve nuk është marrë shumë në konsideratë në studimet e mëparshme. Mësuesit, në studimin e Meyer & Cohen, raportojnë se kanë ndikim më të vogël në shkollat tradicionale. Pellegrin raporton se mësuesit në shkolla multinjësi nuk ishin aq të varur nga drejtuesit sa në shkollat tradicionale. Në asnjë nga këta studime nuk merret në konsideratë perceptimi i drejtuesve. Një pikëpamje më se e përgjithshme mund të përmbajë argumentin, se nëse mësuesit i perceptojnë me më pak ndikim drejtuesit në shkollat me hapësira të hapura ku mësimdhënia është në grup, drejtuesit në fakt mund të kenë më pak ndikim dhe vetë këta të fundit të ndihen të kërcënuar në pozicionin e tyre si menaxherë. Gjithsesi, argumentimi i Tannenbaum na sugjeron të kundërtën: në shkollat ku mësuesit raportojnë një ndikim më të madh, drejtuesit mund të shprehin besimin se edhe ndikimi i tyre është më i madh. Packard, Carlson, Charters & Moser ‘(1973) demonstrojnë se në shkollat e marra në studim nga Meyer & Cohen, pushteti i drejtuesve ndryshon në mënyrë të pavarur nga pushteti i mësuesve, kështu që për të dyja grupet mund të themi se e kanë të lartë ose të vogël, në të njëjtën shkollë. Packard dhe kolegët e tij ngrenë një çështje tjetër me shumë interes. Lidhja e mësuesve në grupe gjatë mësimdhënies përbën një formë të re të organizimit në strukturën e punës, ose përbën një riorganizim të ri në qeverisjen e shkollës – dy gjëra të ndryshme në fakt. Për shembull, nëse mësuesit takohen rregullisht për të diskutuar çështje të shqetësimit të përbashkët, por nuk japin mësim bashkë, në të njëjtën klasë, njëkohësisht, struktura e punës në shkollë, faktikisht, nuk është prekur. Mësuesit vazhdojnë të referojnë nxënësit në të njëjtën mënyrë dhe nuk ka ndryshime në ndarjen e punëve. Ose, nëse mësuesit, fillimisht, flasin me një drejtues grup-lëndësh dhe, në rrjedhim, nuk komunikojnë shumë me drejtuesin, qeverisja e shkollës mund të thuhet se është riorganizuar, por puna e mësuesit, në themel, nuk ka ndryshuar. Nga ana tjetër, nëse mësues që më parë jepnin mësim në klasa të izoluar, të vetëm, fillojnë të punojnë së bashku, përditë, në të njëjtat klasa, planifikojnë dhe koordinojnë fillimisht mësimin e të gjitha aktivitetet që do të zhvillojnë dhe mbajnë përgjegjësi së bashku për çfarë ndodh në klasë, në këtë rast mund të themi se është riorganizuar struktura e punës në shkollë. Pyetja për studiuesit është nëse zgjerimi i pjesëmarrjes dhe ndikimit të mësuesve në vendimmarrjen e shkollës shoqërizohet me strukturën e punës ose me riorganizimin e qeverisjes, ose me të dyja së bashku.


[1] Shënim i autorit: Për synimet e këtij artikulli, fjalët pushtet, kontroll dhe ndikim marrin të njëjtin kuptim në të gjitha përdorimet.