Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në sfidën e bashkërendimit të politikave në edukim
Nga Dr. Valbona Nathanaili
Mos-hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian për dy vende, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, është komentuar gjatë. Pavarësisht përgjigjes negative – dhe të pritshme për shumë komentues gjakftohtë – një gjë është e qartë: të dy vendet kanë treguar një dëshirë tejet të madhe për të qenë pjesë e Bashkimit Europian. Por askush nga drejtuesit e të dy vendeve nuk pati aftësinë të lexojë sinjalet e dukshme e të padukshme të JO-së së pritshme. Sepse hapja e negociatave, më shumë se tregues i angazhimit për ‘plotësimin e kushteve’ që kishte vendosur Europa, ishte një justifikim ndaj popujve të tyre për një fushatë disavjeçare me fjalën “Europë” në kryerresht.
A do të merret një vendim tjetër në Bashkimin Europian? Në një të ardhme të afërt duket se jo – askush nuk ka dëshirë t’u kthehet këtyre çështjeve për herë të dytë. Por u bë më se e qartë që ‘fati’ i të dy vendeve për të qenë a jo pjesë e këtyre bisedimeve për anëtarësim është i përbashkët. Në shpresën që JO e djeshme të jetë një PO e të nesërmes, të dy vendet kanë interes të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në terma konkretë dhe të hidhen në aksione praktike. Kjo duhet të jetë fryma e përgjigjes ndaj JO-së, pra të shërbejë jo për të mbyllur një libër, por për të hapur një kapitull të ri.
Të dy vendet, analizuar nga perceptimi i disa politikanëve që gjenden në një sistem tjetër referimi (politikash, kushtesh, arritjesh, pritshmërish…), duken se kanë shumë të ngjashme. Analizuar nga ne, këtu nuk është çështja të vëmë në dyshim sistemin e tyre të referimit, por ta përshtatim sistemin tonë të referimit për politikat, kushtet, arritjet, pritshmëritë me standardet e tyre.
Sa të gatshme janë qeveritë e të dyja vendeve për të intensifikuar bashkëpunimin? Vështirë të japësh një përgjigje të saktë, por është shumë mirë që një nga dimensionet e këtij bashkëpunimi të jetë arsimi, sepse në secilin prej vendeve dhe shoqërive është dimensioni ku takohen të njëjtat probleme dhe shqetësime për modernizimin dhe zhvillimin e shoqërisë, të njëjtat nevoja për aftësi dhe arritje në reduktimin e papunësisë dhe zgjerimin e lirive reale që gëzojmë.
Të dy vendet kemi ecur nëpër të njëjtën rrugë me gropa, duke shkruar pothuaj të njëjtën histori në fushën e arsimit, në pjesën më të madhe larg pritshmërive tona, por më kryesorja, gjithnjë e më shumë shkollat, private apo publike qofshin, po përgatisin të rinj që indoktrinohen dhe manipulohen lehtësisht.
Në vitin 1943, në ditët më të errëta të Luftës së Dytë Botërore, Bordi i Propagandës së Luftës së Qeverisë Federale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i kërkon gazetarit dhe shkrimtarit Elvin White të formulojë një përgjigje të shkurtër për pyetjen “Çfarë është demokracia?”. Ndër të tjera, autori përgjigjet: Demokracia është vija që përcakton kufirin e së drejtës. Është e çara nga hyn drita në një dhomë të errët. Është ndjesia e privatësisë në dhomën e votimit, e përkatësisë në një bibliotekë, e të qenit i gjallë në çdo vend ku gjendesh. Demokracia është dyshimi i vazhdueshëm, që më shumë se gjysma e popullsisë ka të drejtë më shumë se gjysmën e kohës. Është ideja që nuk është hedhur poshtë akoma!
Në vitin 2019, në të dy vendet demokracia shpesh nuk është në gjendje të përcaktojë kufirin e të drejtës dhe akoma më shpesh nuk e gjen dot rrugën në dhomën e errët. Thjesht sepse kjo rrugë nuk është ndërtuar ende! Ndërsa ndjesia e privatësisë në dhomën e votimit besoj se për shumë nga ne është një ëndërr! Nëse e duam demokracinë, nëse na pëlqen ta mbajmë idenë e saj, agjenda e përbashkët për të dy vendet duhet të jetë arsimi dhe, pikëtakimi, arsimi liberal, por liberal jo në kuptimin e kohës neo-liberale që po jetojmë, po liberal në shembullin e shkollave që i kanë rezistuar shekujve, promovuar që në kohën e Aristotelit, liberal në theksin që duhet vendosur në shkencat humane dhe arte. Synimi ynë duhet të jetë rritja e lirisë së mendimit dhe këto përpjekje duhet të fillojnë në moshë sa më të njomë, veçanërisht me edukimin e femrës. Shoqëritë e hapura investojnë shumë në projektin e të kuptuarit publik, ku shkolla luan një rol të rëndësishëm, veçanërisht në rezistencën ndaj ndikimeve që ushtrojnë familja, institucionet fetare, tradita, kultura dhe media, kaq të ndryshme dhe kaq të njëjta në të dy vendet.
Në vitin 2019, shoqëritë e të dy vendeve janë të ndara dhe me paragjykimeve kulturore. Për këtë arsye, këto tipare duhet të zhvillohen me një praktikë të vazhdueshme, e cila merr përsipër të vendosë së bashku, në të njëjtin mjedis, bashkëmoshatarë të vendeve e shoqërive të ndryshme si qytetarë të barabartë, duke ndërmarrë disa aksione konkretë, si:
- realizimin e programeve të përbashkët të studimit ndërmjet shkollave të të dy vendeve (në ngjashmëri me programet që zhvillohen në arsimin e lartë),
- realizimin e shkollave të përbashkëta të verës, me fëmijë të nivelit parauniversitar.
- mësimin, në shkolla, të gjuhës së huaj të vendit tjetër. Dhe jo vetëm mësimin, por edhe zhvillimin e një lënde në atë gjuhë.
Në parim, sistemi publik i shkollimit është një shkollim më i mirë, sepse bashkon studentë që vinë nga sfonde të ndryshme dhe i përfshin njësoj, që i nxit të punojnë, argumentojnë dhe arsyetojnë me njëri-tjetrin. Nga ana tjetër, është shteti ai që zgjedh dhe vendos normat morale dhe sociale, të cilat duhet të përvetësohen në shkolla, në një kohë të caktuar, në një vend të caktuar, si dhe aftësitë që fëmijët duhet të jenë në gjendje t’i përdorin. Nëse shteti ka detyrë të bëjë shkolla të mira, i duhen politika të mira dhe politikë e mirë është vënia e theksit te shkollimi publik, të paktën deri në përfundim të arsimit të mesëm të ulët, që në Shqipëri i korrespondon grupmoshës 5-15 vjeç. Këtu nënkuptoj edhe sa më pak komercializim në arsimin publik.
Ne, anëtarët e shoqërisë, duhet të kemi interes të mbështesin demokratizimin e saj, si dhe të nxisim, sa më shumë, përfshirjen dhe bashkëpunimin për çështje që na interesojnë të gjithëve. Në fushën e arsimit, shkollimi publik me qasje liberale duhet të jetë sfida e së nesërmes për të dy vendet.