Nga Valbona Nathanaili
Një nga detyrat e shkollës, e thënë shumë thjesht, është të mos lejë asnjë fëmijë jashtë dyerve të saj. Më tej, një shkollë e mirë është në gjendje t’u përgjigjet nevojave të të gjithë fëmijëve, pak ose shumë të zhvilluar, me prirje në muzikë ose në shkencat e natyrës, të shkathët ose të ndrojtur.
Por nëse aftësitë e fëmijëve janë tërësisht personale, të ndryshme nga një fëmijë në tjetrin dhe askush nuk mund të thotë se janë atribut i shoqërisë, ajo çfarë ndodh në shkollë është padyshim atribut i saj.
Dhe duhet të jetë tërësisht e matshme!
Frika për të matur e vlerësuar të gjitha aspektet e punës që kryhet në shkollë, për më tepër e shoqëruar edhe me një lloj skepticizmi është krejtësisht e merituar. Për këtë arsye, shpesh përpiqemi të justifikohemi me argumente të llojit: “Supozojmë se aftësitë në fizikë të nxënësve tanë janë të shkëlqyera, por a ndikojnë këto aftësi të popullsisë në rritjen e prodhimit të brendshëm bruto të vendit?”
Ose:”A ekziston ndonjë lidhje direkte midis rezultateve të standardizuara shkollore të testit dhe mirëqenies së një kombi?”
E parë në këtë prizëm, nisur nga pyetjet e mësipërme, në përgjithësi ne kërkojmë t’i vlerësojmë shkollat vetëm në funksion të së mirës së çastit që gjenerojnë, ose kombinimeve të ndryshme të saj. Një pikëpamje e tillë është kryesisht produkt i traditës utilitariste, me të cilën dashje ose padashje operojmë të gjithë. Për shembull, në jetën e përditshme matjet tona janë shumë homogjene dhe të kuantifikuara. Dhe na japin siguri! Ne jemi të sigurt që masim mirë, kur numërojmë. E keni vënë re sa herë i numërojmë paratë? Disa herë! Dhe, shpesh, edhe shumë herë, derisa të sigurohemi që matja ishte e saktë. Askush nuk guxon të thotë se kjo e mirë është e pamatshme. Ose nuk ndikon në rritjen e prodhimit të brendshëm bruto të vendit! “Matja” e parave jo vetëm është e matshme, por edhe e bashkëmatshme: ne jemi në gjendje t’i konvertojmë paratë në monedha të ndryshme, në varësi të vendit ku zgjedhim të bëjmë pazar ose të kalojmë pushimet. Ja dhe një shembull tjetër: shkallën e mirëqenies së një vendi e përcaktojmë në bazë të prodhimit kombëtar bruto.
Një traditë e tillë e bën të dyshimtë çdo matje që nuk ka të bëjë me numërimin ose me identifikimin në çast të produktit.
Duke u kthyer në rastin e shkollës, sa kohë që në shkollë kërkojmë të masim shkallën e arritjeve të nxënësve në disiplina të ndryshme, veçanërisht në shkenca, çdo gjë është e thjeshtë dhe aspak e koklavitur. Çdo arritje është e matshme! Nuk kemi “frikë” për matje të tilla!
Ajo që e bën të vështirë matjen e punës së shkollës dhe, më tej, krahasimin e rezultateve të saj me shkolla të tjera, ose bashkëmatjen e sistemeve të ndryshme shkollore, është se na duhet të dalim jashtë skemave të ndryshme të vlerësimit me të cilat jemi mësuar të operojmë. Dhe jashtë listës së objekteve që jemi mësuar të vlerësojmë. Në shkollë na duhet të vlerësojmë një nxënës sa i aftë është të zgjidhë një tip të caktuar ushtrimi në matematikë, sikundër edhe sa i përgjegjshëm është si qytetar i ardhshëm i këtij vendi. Për të bërë matjen e parë mjafton edhe një test i thjeshtë; për të bërë të dytën, e kemi vështirë të japim një rezultat, sepse është funksion jo vetëm i shkollës, por edhe i individit dhe i shumë kushteve të tjera që lidhen specifikisht me të.
Nga ana tjetër, matja e dytë, vërtet del jashtë skemës së zakonshme të matjes, por kjo do të thotë vetëm se na duhet të gjejmë sisteme më të komplikuar matjeje, pra matja është më e vështirë, por jo e pamundur! Për më tepër, që të ecim përpara është e nevojshme edhe kjo lloj matje, sepse nëse kemi frikë ose dyshojmë në aftësinë tonë për të gjykuar këto lloj aftësish të nxënësve, nuk do të dimë se ku jemi dhe çfarë steke të vendosim. Detyra kryesore e një qasje që kërkon të masë edhe aftësitë, është të vendosë, në një gjykim krahasues, atë që është produkt i shkollës, nga ajo që është produkt i familjes. Dhe nga anon peshorja!
Ekzistojnë shumë sisteme vlerësimi që përpiqen të na japin një informacion sa më të gjerë, në një aspekt tepër përfshirës dhe informues rreth këtyre dy aspekteve kryesore: arritjeve dhe aftësive të nxënësve. Pavarësisht mungesave të vazhdueshme të kapitalit njerëzor, të aftë të kryejë një punë të tillë, sikundër është rasti i shkollave në zona të largëta të vendit, ku rrallë shkel këmba e inspektorit, duhet të përpiqemi të ngremë e zbatojmë instrumentet e duhura të një vlerësimi sa më përfshirës dhe të mbështetemi në sistemet e jashtëm, të cilët kur janë ndërkombëtar e të certifikuar nga shumë vende, duhet të jenë jashtë çdo ndenje mosbesimi a dyshimi.
PISA mbetet një sistem shumë i mirë referimi për këtë aspekt të shkollës.