Fiset e para greke, që u shfaqën në histori rreth mesit të mijëvjeçarit të dytë para Krishtit, ishin aq shumë pro teknologjisë, sa e bënë pjesë të fesë e të besimit. Dy nga dymbëdhjetë perënditë, konkretisht Hefesti dhe Athina, kishin njohuri nga fusha e inxhinierisë, ndërkohë që shumë arritje teknike të njerëzve të kohës mbështeteshin drejtpërdrejt prej tyre. Duhet theksuar se grekët e lashtë ishin aq të orientuar nga teknika, sa shumë shpejt filluan të përfytyrojnë edhe proceset e para të automatizimit, por duke qenë se mungonin mundësitë për të ndërtuar mekanizmat përkatës, ambiciet e tyre i gjejmë të materializuara tek hyjnitë dhe mjedisi që i rrethon. Për këtë arsye, ky leksion fillon me një prezantim të automatëve në mitologjinë greke.

  1. Automatët në mitologjinë greke

Në veprën e Homerit, “Iliada”, rapsodia V, lexojmë që “portat e pallateve qiellore hapeshin dhe mbylleshin automatikisht kur shfaqej një zot”. Perëndesha Hera hynte në pallat me karrocë, duke urdhëruar portat të hapeshin thjesht me zhurmën e kamxhikut që fishkullonte (Fig. 1).

Figure 1. Perendesha Hera

Për më tepër, Homeri thotë se kur perënditë mblidheshin dhe ishin gati për të ngrënë e për të pirë, një robot-trekëmbësh hynte në sallë, duke sjellë “nektar” dhe “ambrozi” për të kënaqur perënditë (Fig. 2). Robotët-trekëmbësh të teknologjisë së lartë ishin ndërtuar nga perëndia farkëtar, Hefesti!

Figure 2. Robotet trekendesh

Në kovaçanën e Hefestit përdorej kaceku që frynte ajër në zjarrin ku nxehej metali (Fig. 3), që për kohën tonë mund të themi se përfaqëson teknologjinë.

Nga ana tjetër, dimë se perëndia-mjeshtër i Teknologjisë ka qenë i çalë. Për ta bërë jetën sa më të thjeshtë, Hefesti shpiku dhe ndërtoi dy robotë – shërbyese, të arta, të gjalla, të afta për të folur dhe të fuqishme, në gjendje t’i ofronin mbështetje kur ecte.

Dhe meqenëse grekët e lashtë kishin një pikëpamje mjaft antropocentrike për perënditë, ata imagjinuan edhe tradhtinë bashkëshortore të gruas së Hefestit, (perëndeshës së dashurisë Afërditës), me perëndinë e luftës, Aresin.

Figure 3. Në kovaçanën e Hefestit.

Kjo përshkruhet tek Odisea. Homeri thotë, se për të kapur çiftin e paligjshëm, Hefesti aplikoi teknologjinë e tij të lartë. Hefesti projektoi një sistem shumë të sofistikuar kurthesh, i cili aktivizohej automatikisht nga pesha, sapo kurorëshkelësit shtriheshin në krevat (Fig. 5) – një situatë zbavitëse për perënditë e tjera që vinin për të parë këtë shfaqje të pakëndshme…

Por mitologjia greke nuk e kufizon vizionin e saj për Automatët vetëm në botën qiellore. Teknologjia e lartë nuk mund të ishte një privilegj, në shërbim ekskluziv të perëndive! Mitologjia greke e kthen vëmendjen nga qiejt në tokë, duke e zgjeruar vizionin për Automatët edhe për probleme që kanë lidhje me njerëzit, të vdekshmit!

Figure 5. “Kurthi” i Hefestit

Kështu, kemi dy qen-robotë (Fig. 6) – prej ari dhe argjendi – ndërtuar nga Hefesti, të cilët ruajnë pallatin e Alkinosit, mbretit të feakëve.

Megjithatë, robotët më mbresëlënës që përshkruhen tek Odisea, janë anijet e mrekullueshme (Fig. 7) të feakëve. Këto anije kishin këto karakteristika robotike:

Figure 6. Dy qen-robotë ndërtuar nga Hefesti.
  • nuk kishin nevojë të drejtoheshin nga një kapiten;
  • nuk ishin të pajisura me timon;
  • ishin në gjendje të “ndjenin” dëshirën e pasagjerëve për sa i përket destinacionit
  • vetërregulloheshin në mënyrë të tillë që të përballonin çdo rrezik ndaj sigurisë së tyre.
  • mbërrinin në destinacion edhe në një natë të mbuluar me re.

Në këtë imazh epik vizioni i një roboti absolut është i dukshëm.

Figure 7. Anije fenikase

Duke folur për anijet robotike greke në Mitologji, duhet përmendur edhe anija e quajtur Argo. Kjo anije jashtë-zakonisht e fortë dhe e shpejtë u ndërtua me një copë druri të shenjtë, sjellë nga perëndesha Athina, e cila kishte marrë pjesë personalisht në punimet e ndërtimit. Sjellja mrekulli-bërëse e drurit të anijes “Argo” konsistonte në faktin, që në kushte kritike për lundrimin, fliste me zë njerëzor, duke mundësuar sugjerime për shpëtimin e jetës, njësoj si sistemet e sotme të navigimit GPS.

Një hap tjetër në ndërhyrjen hyjnore të teknikës në çështjet njerëzore realizohet përsëri falë Hefestit, i cili ndërton dy dema automatikë prej bronzi, që nxirrnin zjarr nga goja, të cilët ia ofron mbretit të Kolkidës. Udhëheqësi i fushatës Argonautike, Jazoni, u detyrua të luftojë pikërisht kundër këtyre demave…

Por roboti më mbresëlënës është ai që vetë Jupiteri i ofron të dashurës së tij, Europës, Talosi i famshëm, një gjigant prej bronzi, plotësisht funksional, si një njeri (Fig. 10).

Figure 10.

Përmes një sistemi të brendshëm hidraulik, në trupin e Talosit qarkullon një lloj gjaku artificial (‘ichor’), si plumbi i shkrirë, që i jep fuqi dhe e aktivizon. Talosi kërcen nga një kodër në një tjetër të Kretës dhe godet me gurë të mëdhenj çdo anije të huaj që i afrohet brigjeve të ishullit.

  1. Automatët gjatë periudhës klasike  

Nga analiza e dokumenteve mund të themi, se Automatizimi është një temë e zakonshme në mitin grek, në mitin ku fuqia hyjnore takohet me artin njerëzor, dhe mekanika bëhet magjike. Megjithatë, u deshën shekuj për të kaluar nga imagjinata në praktikë. Referimi i parë i ekzistencës reale të Automatëve gjendet në veprat shkencore të shkencëtarit dhe filozofit të lashtë grek Aristotelit, rreth 350 vjet para Krishtit:

  • “Të habit dhe çudit natyra e disa gjërave që përdoren në shfaqje të ndryshme, si me rastin e Automatëve, funksionin e të cilëve në fillim nuk e kuptonim.”

Në studimet e tij në fushën e biologjisë, përmbledhur në “Origjina e kafshëve”, Aristoteli krahason automatët me formimin e një embrioni:

  • “Lëvizja e spermës […] ka brenda vetes forcën aktive që prodhon lëvizjen e saj, një forcë që i takon të shkuarës. Për më tepër, është e mundur që kjo të lëvizë një tjetër, ajo një tjetër dhe kështu me radhë, si marionetat në një teatër kukullash. Ashtu si në automate, një pjesë lëviz në një farë mënyre pa u prekur fare aktualisht, por duke qenë i prekur në të kaluarën.”
Figure 11

Pra, sipas Aristotelit, në rastin e Automatëve, shkaku fillestar i lëvizjes është i jashtëm dhe e transmeton lëvizjen në pjesët e tjera të aparatit, ose me anë të një litari të mbështjellë pas një rrotulle, të cilin duke e mbledhur ose lëshuar më shumë mund të shkaktojmë lëvizje në pjesët e tjera të sistemit, (p.sh., Fig. 11), ose me anë të një serie rrathësh tangjente (Fig. 12): kur rrotullojmë rrethin e parë, nga jashtë, prodhohet një rrotullim “automatik” deri në rrethin e fundit.

Ky parim bazë u përdor shekuj më vonë në orët me ingranazhe.

Figure 12

Aristoteli përmend se këto seri rrathësh tangjente “gjenden në tempuj, si rrota të vogla bakri ose hekuri”, ndërkohë që “shpikësit e fshehin pjesën origjinale të mekanizmit, në mënyrë që vetëm pjesa e dukshme të admirohet, ndërsa shkaku të mbetet i padukshëm”.

Është e qartë se në kohën e Aristotelit, në ngjarjet publike përdoreshin disa lloj automatësh të thjeshtë, ndoshta edhe për qëllime fetare, të cilat arrin të shkaktonin admirimin e njerëzve.

Njohuritë e qarta të Aristotelit për Automatët e kohës, e frymëzuan të formulonte thënien e tij të famshme utopike: “Nëse makineritë, qoftë duke ekzekutuar komanda, qoftë me parashikim, mund të kryejnë punën e skllevërve, atëherë despotët nuk do të kenë më nevojë për ta.” (Pra, nëse do të kishim automatizim ose robotë).

***

Një nga ëndrrat më të vjetra të njeriut ka qenë dëshira për të fluturuar! Në mitologjinë greke, mjeshtri Dadalos ndërton një palë krahë, prej puplash dhe dylli, për djalin e tij Ikaros. Pavarësisht paralajmërimeve të babait të tij, Ikaros fluturoi shumë afër diellit; në rrjedhojë, dylli në krahët e tij u shkri. Ikaros bie në det dhe mbytet!

Por duket se pajisja e parë fluturuese është projektuar në shekullin e 5-të para Krishtit, nga Archytas, themeluesi i Mekanikës Matematike, në Greqinë e Madhe – këmba e Italisë së sotme.

Sikundër lexojmë në shkrimet e Avlos Gelios, pesë shekuj më vonë, Archytas projektoi dhe ndërtoi pajisjen e parë artificiale, vetëlëvizëse dhe fluturuese, një model në formën e një zogu, që e quajti Peristera (shqip: Pëllumbi). Sipas filozofit Favorinus, një studiues i përkushtuar i veprave të lashtësisë, Archytas ndërtoi një model prej druri të një pëllumbi, me një zgjuarsi dhe art të tillë mekanik, saqë ishte në gjendje edhe të fluturonte; ishte aq bukur i ekuilibruar […] në peshë, dhe lëvizte nga një rrymë ajri e bllokuar dhe e fshehur në brendësi të tij.

  1. Automatët helenistikë

Trashëgimia mjaft e varfër e Automatëve nga periudha Klasike u pasurua me shpejtësi nga grekët, kryesisht në mbretërinë e Ptolemeut, në Aleksandri, pas vitit 300 para Krishtit. E themeluar nga Aleksandri i Madh, Aleksandria u bë kryeqyteti i botës helenike, që shtrihej deri në kufirin me Indinë. Biblioteka e Aleksandrisë, biblioteka më e madhe dhe më e rëndësishme e botës së lashtë, që përmbante me mijëra tekste nga e gjithë bota, njëherazi “Muzeu” i parë – ekuivalenti i një Fondacioni Kombëtar Kërkimor – e shndërroi këtë qytet në qendrën e shkencës dhe të teknologjisë.

Protagonistë ishin Ctesibius, babai i Teknologjisë Aleksandriane, nxënësi i tij Filoni i Bizantit, si dhe Heroni i Aleksandrisë (shek. 1-rë para Krishtit ~ shek. 1-rë pas Krishtit). Studimet dhe vizatimet e detajuara të tyre ofrojnë udhëzime për një seri Automatësh. Për sa i përket faktit nëse sa, dhe saktësisht cilët prej këtyre automatëve janë prodhuar dhe përdorur në atë kohë, nuk kemi asnjë provë konkrete. Ajo që dimë është zgjuarsia në konceptimin e tyre, si dhe studimet e detajuara që na lejojnë sot të ndërtojmë kopje plotësisht funksionale.

Heroni i Aleksandrisë në librin e tij “Automatizimi” shkruan: “Në Automatët tanë, kombinimi i ajrit, ujit dhe trupave të ngurtë çon në një sërë situatash të cilat ofrojnë mjetet për të plotësuar nevoja shumë të rëndësishme të jetës, ose edhe për të bërë përshtypje. Filoni thoshte: “Jemi me fat që kemi mbretër të cilët mbështesin në mënyrë aktive Shkencën dhe Teknologjinë”.

Më konkretisht, automatët helenistikë mund të klasifikohen si më poshtë:

  1. Automatë për shfaqje mbresëlënëse;
  2. Automatë artistikë;
  3. Automatë praktikë;
  4. Mekanizma të kontrollit;
  5. Eksperimente edukative në fizikë.

Automatë për shfaqje mbresëlënëse

Ndryshimi i lëngjeve ishte një automat për shfaqje mbresëlënëse, i projektuar nga Heroni, i cili përbëhej nga dy amfora. Kur hidhej verë e kuqe në enën e parë, nga ena e dytë dilte ujë. Tuba të fshehur siguronin rregullimin e rrjedhës përmes ndryshimit të trysnisë së masës së ajrit në brendësi të tyre.

Figure 15

Sfera lëkundëse në sytë e të lashtëve duhet të ishte dukur si magji e pastër, pasi avulli që dilte nga kaldaja, mbante në ajër një sferë të zbrazët (Fig. 15).

Pasi ndizej zjarri i flijimit, sipër altarit  mund të shiheshin figura duke vallëzuar (Fig. 16): Ajri i nxehtë kalon përmes një tubi që zgjatet dhe përfundon në disa tuba të vegjël. Rritja e temperaturës në bazën e altarit bënte që të lindin rrymat e konveksionit, ajri ngjitet lart dhe del me shpejtësi nga tubat e vegjël: figurat – kërcimtare fillojnë të rrotullohen.

Kafsha e etur, një tjetër nga krijimet e mrekullueshme të Heronit, është një shembull i kësaj përvoje ndinjore.

Le ta lidhim këtë me dy robotët – shërbyese mitologjike të arta të Hefestit (të cilat i pamë në fillim), për të cilët Homeri thotë se kanë “νουν” (mendje). Ndoshta, kjo është një e dhënë nga mitologjia se automatët nuk janë vetëm vetëlëvizës, por edhe vetëprogramues.

Një tjetër automat që paraqet një kafshë si të gjallë është “Herkuli Harkëtar“, i projektuar nga Heroni për argëtimin e publikut (Fig. 18). Herkuli vë në shënjestër gjarprin. Gjarprit i tregojmë një mollë për t’i tërhequr vëmendjen, në mënyrë që Herkuli të lëshojë shigjetën kundër përbindëshit. (Dëgjohet zhurma e shigjetës). Zhurma prodhohet nga ajri në kutinë e poshtme (‘βδγ’) kur (ndërsa niveli i ujit rritet) ajri del nga gryka e tubit (‘ψ’).

  • Lëshimi i shigjetës ndodh si pasojë e zmbrapsjes së litarit të fshehur në dorën e harkëtarit dhe aktivizimit të kapjes.
  • Përbindëshi vdes.

 

Duke qenë se të lashtët ishin më familjarë se shumica prej nesh sot, me tingujt e natyrës, ka të ngjarë që tingulli të ishte i njohur për kalimtarët dhe i përzier me mjedisin. Ky tingull krijohej nga zhvendosja e ajrit të siguruar nga rrjedha e ujit, e cila lëshon një tingull ndërsa kalon përmes një tubi. Nëse uji derdhet përmes hinkës, do të bëjë që ajri në bazë të dalë jashtë, të kalojë përmes tubit dhe të lëshojë një tingull. Nëse maja e tubit është e përkulur drejt sipërfaqes së ujit, dëgjohet një tingull flluskues, i cili prodhon tingujt e cicërimave të çafkëloreve. Pra, këta tinguj, prodhoheshin me anë të tubave. megjithatë, ndryshimet në tinguj vareshin nga përmasat e tubave – më të hollë ose më të gjerë, më të gjatë ose më të shkurtër dhe nëse një pjesë – më e madhe ose më e vogël – e tubit është zhytur në ujë. Në këtë mënyrë prodhohen tingujt e ndryshëm të shumë zogjve.

Një tjetër nga mrekullitë e automatëve të Heronit ishte “Zogu fluturues rrotullues“. Në rastin konkret, kur rrotullohet rrota e jashtme, bilbili në majë të kutisë fillon të lëvizë dhe të cicërojë (Fig. 20): Një kombinim i shpejtësive dhe një ene që përmban ajër të kompresuar të bllokuar në ujë, është shkaku i këtyre fenomeneve. Kur rrota (‘θκ’) rrotullohet, litari mbështillet rreth çikrikut dhe e ngre hemisferën, por kur rrota lirohet, hemisfera bie (për shkak të peshës së saj) në ujë, dhe prodhon një tingull duke nxjerrë ajrin që del nga bilbili (‘ξο’). Në të njëjtën kohë, çafkëlorja rrotullohet, për shkak të lëvizjes së marsheve.

Figure 20

Porta e parë automatike u arrit teknikisht falë gjenialitetit mekanik të Heronit, duke ndjekur vizionin mitik të grekëve të lashtë mijëra vjet më parë. Edhe një herë, Heroni përdor nxehtësinë për të zbatuar shpikjen e tij. Megjithatë, këtu është djegia e një blatimi që siguron nxehtësinë. Bëhet fjalë për ndërtimin e një tempulli të vogël, në mënyrë që, ndërsa digjej blatimi, portat hapeshin vetë dhe mbylleshin përsëri kur blatimi fikej. Në fakt, këto ishin struktura të vogla të vendosura brenda një tempulli, ndoshta në formë nderimi. Nuk kemi informacion kishte teknologji të ngjashme me përmasa reale në botën greko-romake.

Kur ndizej zjarri (Fig. 22), ajri në altar ngrohej dhe përhapej në një hapësirë më të gjerë, dhe kështu duke kaluar përmes tubit (‘HZ’) në sferë, largonte ujin përmes sifonit (‘ΚΛΜ’) në enën që lëkundej, e cila, duke zbritur, tërhiqte zinxhirët dhe hapte portat. Kur zjarri fikej, ajri i rralluar dilte përmes sferës. Sifoni i përkulur tërhiqte ujin nga ena e lëkundur: kur ena bëhej përsëri e lehtë, pesha e varur fundosej dhe portat mbylleshin përsëri.

Automatët përdoreshin edhe në vendet e shenjta, ku qëllimi i njeriut ishte të komunikonte me hyjnoren. Për këtë qëllim, një tjetër shpikje e Heronit dhe më e njohura ishte Pranuesi automatik i monedhave. Kjo është makina e parë me monedhë në histori: ideja se me një veprim të thjeshtë të vendosjes së një monedhe në një makineri, mund të merret menjëherë një produkt, është përsëri e rrënjosur në mendimin e lashtë grek. Vetëm fakti që makina e parë moderne shitëse me monedha ishte prezantuar në Londër vetëm në vitin 1880 – fillimisht duke ofruar kartolina, zakon i cili u përhap shpejt –vërteton se sa shumë përpara kohës së tyre ishin shpikësit e lashtë grekë.

Automatë artistikë

Le të diskutojmë tani çështjen e pranisë së Arteve dhe veçanërisht të shfaqjeve artistike në kohën helenistike dhe marrëdhëniet e tyre me teknologjinë. Do t’i referohemi traditës së teatrit në Greqinë e Lashtë dhe vazhdimit të saj deri në kohën e Heronit, e cila e frymëzoi atë të krijonte dy teatrot e tij automatikë. Heroni projektoi dy teatro automatikë, teatrin rrotullues dhe teatrin e palëvizshëm.

Teatri rrotullues është një shenjtërore e vogël rrethore me një figurë qendrore të Dionisit në mes dhe Nikën në çati. Ndërtimi bazë përbëhet nga rrota të cilat janë të rregulluara për lëvizje të drejta (përpara ose prapa); pajisja lëviz drejt një pike të caktuar, ndalon, kryen aktivitete të ndryshme – altarët janë të ndezur, maenadat kërcejnë dhe i bien daulleve, një figurë e Dionisit derdh verë nga kupa dhe qumësht nga tirsusi i tij, Dionisi dhe Nika rrotullohen 180 gradë dhe më pas faltorja rrethore zhvendoset në pikën e saj fillestare. Pajisjet e përshkruara nga Heroni furnizohen kryesisht nga rënia e peshave që rrotullojnë boshtet rrotulluese dhe vidhat me anë të litarëve. Kështu, këto pajisje dallohen nga ato që furnizohen nga uji, era ose avulli. Për më tepër, përdorimi i litarëve dhe boshteve i veçon këto pajisje, pasi ato janë të “programueshme”, në një kuptim të kufizuar. Mbi të gjitha, sinkronizimi është thelbësor në rregullimin e automatit dhe Heroni sigurohet që fijet të tërhiqen vetëm kur duhet, dhe me shpejtësinë e saktë që kërkon shfaqja.

Teatrot e automatizuara të Heronit ishin makineritë e para të programueshme në historinë njerëzore – të programuara për të marrë udhëzime për të kryer funksione të shumëfishta sekuenciale, brenda një afati kohor të caktuar; në këtë rast, duke përdorur litarë për gjuhën e programimit. Teatri i palëvizshëm automatik i Heronit, për Aleksandrianët ishte ndoshta një lloj pararendësi i televizionit: Një histori e plotë prezantohej automatikisht në një skenë të vogël (ndoshta e përmasave 0,50 x 0,70 m). Si Filoni i Bizantit, ashtu edhe Heroni i Aleksandrisë kishin përshkruar Automatë të tillë. Funksionimi i tyre bazohej në litarë të mbështjellë në mënyrë të sofistikuar, të cilët viheshin në lëvizje nga pesha të vogla që uleshin ngadalë.

Heroni prezanton “automatikisht” mitin e Nafplionit: Në betejën e Trojës, djali i Nafplionit vritet nga Ajanti. Tashmë, Nafplioni dëshiron të hakmerret ndaj grekëve akeas. Mjaftonte tërhiqja e një litari dhe shfaqja fillonte…

Pas betejës së Trojës, grekët riparojnë anijet e tyre… për t’u kthyer në atdhe (Fig. 31). Por ndërsa flota greke lundron për në atdhe, përballet me një stuhi të madhe. Nafplioni përfiton nga situata. Duke qëndruar në këmbë, pranë kepit, me një pishtar të ndezur, u dërgon sinjal të rremë marinarëve grekë, të cilët, të mashtruar nga perëndesha Athina, besojnë se kanë gjetur një gji të sigurt. Ndërkohë që i afrohen bregut, anijet përplasen në shkëmbinj. Ajanti lufton për jetën e tij. Perëndesha Athina lëshon një rrufe dhe silueta e Ajantit zhduket (Fig. 33). Nafplioni u hakmor.

Ashtu si në teatrin e lëvizshëm, nuk ka ndërhyrje njerëzore; vetëm forca e një peshe plumbi që zbret me një shpejtësi konstante në një orë rëre, dhe përdredhja e ndërlikuar e një litari, 100 metra të gjatë, brenda konstruksionit, janë ato çka sigurojnë funksionimin e të gjitha skenave të ndërmjetme. Ky litar mund të tërhiqte edhe një statujë të fshehur nën dyshemenë e skenës, duke e ngritur dhe shfaqur atë në skenë. Zhurma e rrufesë prodhohet nga rënia e sferave të plumbit në momentin e programuar. Kjo shfaqje automatike ishte programuar të zgjaste gjithsej shtatë minuta. Mund të imagjinohet habia e spektatorëve grekë të lashtë, teksa shikonin “televizionin” e parë (le të themi), 2500 vjet më parë!

Automatë praktikë

Siç shprehet qartë Heroni, Automatët u krijuan për të kënaqur “të gjitha llojet e nevojave njerëzore”, siç është nevoja për të matur kohën dhe – po! për të arritur në kohë! Ctesibius i Aleksandrisë projektoi orën e parë mekanike të alarmit në botë. Një tjetër automat praktik, i projektuar përsëri nga Heroni është Sistemi i alarmit të dyerve. Gjatë shek. 3-të para Krishtit dhe deri në shek. 1-rë para Krishtit, grekët arritën kulmin e zhvillimit të tyre teknologjik dhe guxuan të realizonin një ëndërr të tyre të vjetër: ndërtimin e makinerive automatike, duke përdorur disa konstruksione. Ka pasur gjithashtu edhe një shpikje tjetër të Heronit, e cila mund të kishte ndryshuar historinë e njerëzimit: Aelosfera, është një pajisje e thjeshtë, por revolucionare që mund të kishte nisur revolucionin industrial, 1500 vjet përpara kohës së tij.

Shndërrimi i burimeve natyrore të energjisë (era, energjia hidraulike dhe termike) në energji mekanike ishte arritur pjesërisht deri atëherë:

  • Në lidhje me erën,
  • teknikat e lundrimit, dhe
  • hinka e Heronit në instrumentin muzikor Hidraulis.

e kishin shndërruar me sukses në energji mekanike.

  • Në lidhje me forcat hidraulike natyrore,
  • Filoni i Bizantit shpiku pompën hidraulike.

Energjia termike ishte i vetmi burim natyror që ende nuk ishte shndërruar në energji mekanike. Dhe këtu Heroni vjen me propozimin e tij të “aelosferës”: Djegia e qymyrit bën që uji – i mbyllur hermetikisht në një kazan – të vlojë. Avulli i prodhuar, përmes tubit  transferohet në një sferë të zbrazët , e cila mbështetet lirisht në dy pika. Dy tuba të përkulur në mënyrë të kundërt, të lidhur me sferën, lejojnë avullin të dalë – dhe sfera rrotullohet me shpejtësi. Ajo që mbetej për t’u bërë – dhe nuk u bë pas rënies së Ptolemut në Aleksandri – ishte shtimi i një brezi – zinxhiri rreth boshtit të aelosferës dhe të transferohej kjo energji mekanike në çfarëdo makineri manuale të njohur nga grekët e lashtë – si për shembull pompa e pistonit e Ctesibius (shek. 3-të para Krishtit), ose në instrumentin e lashtë muzikor Hidraulis. (E njëjta gjë ndodhi me pompat në minierat angleze rreth vitit 1700. Një hap më tej ishte shpikja e motorit me avull në 1721).

Një tjetër (automatë helenistike praktike dhe mjaft premtuese) është “qenia njerëzore” e automatizuar, e propozuar nga Filoni i Bizantit: Një shërbyese që ju ofron verë të kuqe (të përzier në masën e duhur me ujë), menjëherë sapo vendosni gotën tuaj në dorën e saj të majtë.

Mund të themi se në Aleksandri kishte ardhur koha që grekët të realizonin robotët që ata i kishin imagjinuar vetëm mes perëndive të tyre, si trekëmbëshat e Hefestit, shërbyeset e tij të arta, qentë-robotë roje, demat e bronztë dhe sigurisht, Talos. Shërbyesja automatike është gjëja më e afërt me atë që ne njohim si robot humanoid që nga kohërat e lashta e deri më sot, kur, më në fund, robotët po modelohen që të duken më njerëzorë. Vlen të theksohet se shkrimtari arab Al-Jazari (shek 13-të) prezantoi versionin e tij robotik të një shërbyesi të lëvizshëm automatik humanoid, i cili mund të shërbente ujë ose çaj (Fig. 46). Pija ruhej në një rezervuar, nga ku pikon në një kovë dhe (pas shtatë minutash) në një filxhan, dhe më pas shfaqet kamerierja nga një derë automatike duke shërbyer pijen. Vazhdimësia e traditës helenistiko-arabe është mjaft e dukshme.