Vaksinimi kundër COVID-19 me vaksinën e Oxford-it “AstraZeneca” është pezulluar edhe në Tajlandë, krahas të paktën 10 vendeve evropiane, pas raporteve për zhvillimin e mpiksjes së gjakut, të një numri të vogël të marrësve. Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe autoritetet shëndetësore evropiane po hetojnë këto raste, por thonë se nuk ka prova se vaksina është e pasigurt dhe nxisin vazhdimin e fushatave të inokulimit – raporton “The Washington Post”.

“Aktualisht nuk ka asnjë indikacion që vaksinimi i ka shkaktuar këto kushte, të cilat nuk renditen si efekte anësore të vaksinës” – thuhet në deklaratën e Agjencisë Evropiane të Barnave. “Përfitimet e vaksinës vazhdojnë të tejkalojnë rreziqet e saj dhe vaksina mund të vazhdojë të administrohet, ndërsa po vazhdon hetimi i rasteve të ngjarjeve tromboembolike.”

Godina e AstraZeneca, Oxford, Angli

Nga afro 5 milionë banorë të Bashkimit Evropian që kanë marrë njërën nga dozat e vaksinës së Oxford-it, “AstraZeneca”, rreth 30 kanë përjetuar mpiksje gjaku, nga të cilët katër kanë vdekur – raporton BBC. Ekspertët theksojnë se mpiksjet e gjakut nuk janë të rralla, por aktualisht nuk ka asnjë indikacion që imunizimi është fajtor për këto ngjarje. “Raportet e mpiksjes së gjakut të marra deri më tani nuk janë më të mëdha se numri që do të kishte ndodhur natyrshëm në popullatën e vaksinuar” – pohon për “BMJ” Phil Bryan, udhëheqësi i sigurisë së vaksinave për Agjencinë Rregullative të Barnave dhe Shëndetit të Produkteve të Mbretërisë së Bashkuar.

Danimarka, Norvegjia, Islanda, Bullgaria, Luksemburgu, Estonia, Lituania dhe Letonia kanë ndaluar përkohësisht shpërndarjen e vaksinave, ndërsa Italia dhe Austria kanë pezulluar përdorimin e grupeve të caktuara, sipas “CNBC”. Të premten (12 mars), Tailanda u bë vendi i parë aziatik që ndoqi shembullin, duke ndalur planet e tij për fillimin e imunizimeve – raporton Washington Post.

Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Australia, Kanada dhe Meksika do të vazhdojnë fushatat e tyre të vaksinimit siç është planifikuar, vëren “CNBC”.