Pandemia Covid-19 është sfida më e madhe për komunitetin global që nga vitet 1940. Në atë periudhë, në pasojë të shkatërrimeve që po pësonte bota nga dy luftëra botërore, udhëheqësit politikë u bashkuan për të krijuar një sistem shumëpalësh. Qëllimet ishin të qarta – bashkimi i vendeve, për të mbajtur larg çdo tundim izolacionalizmi dhe nacionalizmi, adresimi i sfidave që mund të arriheshin vetëm së bashku, në frymën e solidaritetit dhe bashkëpunimit, në emër të paqes, prosperitetit, shëndetit dhe sigurisë.
Sot kemi të njëjtën shpresë, se ndërsa luftojmë për të kapërcyer së bashku pandeminë Covid-19, mund të ndërtojmë një arkitekturë më të fuqishme shëndetësore ndërkombëtare, në mbrojtje të brezave të ardhshëm.
Do të ketë pandemi të tjera dhe, sigurisht, edhe urgjenca të tjera të mëdha shëndetësore. Por asnjë qeveri e vetme ose agjenci shumëpalëshe nuk mund ta trajtojë këtë kërcënim vetëm. Pyetja nuk është nëse, por kur. Së bashku, duhet të jemi më të përgatitur për të parashikuar, parandaluar, zbuluar, vlerësuar dhe reaguar në mënyrë efektive ndaj pandemive në një mënyrë të koordinuar. Pandemia Covid-19 ka qenë një kujtesë e zymtë dhe e dhimbshme se askush nuk është i sigurt derisa të gjithë të jenë të sigurt.
Prandaj, jemi të përkushtuar të sigurojmë një qasje universale dhe të barabartë në vaksina, ilaçe dhe diagnostikime të sigurta, efikase dhe të përballueshme, për këtë dhe për pandemitë e ardhshme.

Imunizimi është një e mirë publike globale dhe duhet të jemi në gjendje të zhvillojmë, prodhojmë dhe shpërndajmë vaksinat sa më shpejt të jetë e mundur.
Kjo është arsyeja pse u krijua “Access to Covid-19 Tools Accelerator” (ACT-A)! Ne synojmë të promovojmë qasje të barabartë në teste, trajtime dhe vaksina dhe të mbështesim sistemet shëndetësore në të gjithë globin. ACT-A ka ofruar shumë aspekte, por qasja e barabartë nuk është arritur ende. Mund të bëjmë edhe më shumë për të promovuar aksesin global.
Për këtë qëllim, besojmë se kombet duhet të punojnë së bashku për një traktat të ri ndërkombëtar, si përgjigje ndaj pandemisë dhe përpjekje për të qenë gati. Një angazhim i tillë i ripërtërirë kolektiv është një moment historik në rritjen e gatishmërisë ndaj pandemisë në nivelin më të lartë politik, që duhet të rrënjoset në kushtetutën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duke përfshirë të gjitha organizatat kryesore në këtë përpjekje, në mbështetje të parimit “Shëndet për të gjithë”.
Instrumentet ekzistuese globale të shëndetit, veçanërisht “Rregulloret Ndërkombëtare të Shëndetit”, duhet ta mbështesin një traktat të tillë, sepse vetëm kështu mund të kemi themele të forta, mbi të cilat mund të ndërtojmë dhe të përmirësojmë. Qëllimi kryesor i këtij traktati është nxitja e një qasje për të gjitha qeveritë dhe shoqëritë, forcimi i kapaciteteve kombëtare, rajonale dhe globale, besimi se do ia dalim çdo lloj pandemie të ardhshme. Por kjo kërkon rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar për të përmirësuar, për shembull, sistemet e alarmit, ndarjen e të dhënave, hulumtimet dhe prodhimin lokal, rajonal dhe global, shpërndarjen e vaksinave e të ilaçeve, ndihmë në diagnostikim dhe pajisje mbrojtëse personale. Akoma, kërkon të bëjmë tonën qasjen “Një shëndet”, që e sheh të lidhur mirëqenien e njerëzve me atë të kafshëve dhe të plantit tonë. Një traktat i tillë kërkon më shumë përgjegjësi të ndërsjellë dhe të përbashkët, transparencë dhe bashkëpunim brenda sistemit ndërkombëtar, sipas rregullave dhe normave të tij.
Për të arritur këtë, do të punojmë me krerët e shteteve dhe qeverive në mënyrë globale, me të gjithë aktorët, përfshirë shoqërinë civile dhe sektorin privat. Jemi të bindur se është përgjegjësia jonë, si udhëheqës të kombeve dhe institucioneve ndërkombëtare, të sigurojmë që bota të mësojë leksionet e pandemisë Covid-19.
Në një kohë kur Covid-19 ka “shfrytëzuar” dobësitë dhe ndarjet tona, duhet të gjejmë mundësitë dhe të bashkohemi si një komunitet global për bashkëpunim paqësor dhe që shkon përtej kësaj krize. Ndërtimi i kapaciteteve dhe sistemeve tona për ta bërë këtë do të kërkojë kohë dhe do të kërkojë një angazhim të qëndrueshëm politik, financiar dhe shoqëror për shumë vite. Solidariteti ynë është për t’u siguruar që bota do të përgatitet më mirë dhe kjo është trashëgimia jonë që mbron fëmijët, nipërit dhe mbesat, që minimizon ndikimin e pandemive në të ardhmen në ekonomitë dhe shoqëritë tona.
Përgatitja për të luftuar pandemitë ka nevojë për udhëheqje globale, ka nevojë për një sistem shëndetësor global të përshtatshëm për këtë mijëvjeçar. Për ta bërë këtë angazhim realitet, duhet të udhëhiqemi nga solidariteti, drejtësia, transparenca, gjithëpërfshirja dhe drejtësia.
Autorët:
- V. Bainimarama, Kryeministër i Fiji-t
- António Luís Santos da Costa, Kryeministër i Portugalisë
- Klaus Iohannis, President i Rumanisë
- Boris Johnson, Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar
- Paul Kagame, President i Ruandës
- Uhuru Kenyatta, President i Kenias
- Emmanuel Macron, President i Francës
- Angela Merkel, Kancelare e Gjermanisë
- Charles Michel, President Këshillit të Evropës
- Kyriakos Mitsotakis, Kryeministër i Greqisë
- Moon Jae-in, President i Republikës së Koresë
- Sebastián Piñera, President i Kilit
- Carlos Alvarado Quesada, President i Kosta Rikës
- Cyril Ramaphosa, President i Afrikës së Jugut
- Keith Rowley, Kryeministër i Trinidad dhe Tobago
- Mark Rutte, Kryeministër i Holandës
- Kais Saied, President i Tunizisë
- Macky Sall, President i Senegalit
- Pedro Sánchez, Kryeministër i Spanjës
- Erna Solberg, Kryeministre e Norvegjisë
- Aleksandar Vučić, President i Serbisë
- Joko Widodo, President i Indonezisë
- Volodymyr Zelensky, President i Ukrainës
- Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë