Parathënie për librin “Edukimi liberal”

Pas një pushimi gjysmë ore, në orën 14.45, në mbarë shkollën fillon “ora e përrallave”. Në “orën e përrallës” të gjithë, pa përjashtim – nxënës, mësues dhe stafi i shërbimit – lexojnë në heshtje diçka! Ora e përrallës është e konsoliduar dhe ka një traditë që shtrihet në kohë. Është mundësia më e mirë për t’u qetësuar! Dhe argëtuar ndryshe! Fëmijë, përgjithësisht, zgjedhin të lexojnë librin e preferuar në vendin e preferuar! Çdo “qoshe” e klasës është në dispozicion të tyre. Një vizitor i pamësuar habitet me pamjen: katër-pesë fëmijë kanë zgjedhur të lexojnë në këndin e leximit, të tjerë janë shtrirë poshtë tavolinës apo u janë drejtuar karrigeve ku ulen zakonisht, por me këmbë të ngritura vertikalisht, mbështetur pas murit. Shkolla është kaq e qetë, sa me të drejtë mund të pyesësh nëse ka diçka që nuk shkon. Nuk mbetet prapa stafi! Sot qyteti ka qenë me zhvillime interesante dhe të gjithë, sekretarja dhe drejtori, personeli i shërbimit dhe mësuesit kanë marrë gazetën e ditës, në kërkim të lajmit që u intereson.

Ora 15.15! Fëmijët mbyllin librat me përralla, por jo argëtimin nga përrallat. Nga ora 15.15-15.30 përrallat tregohen! Edhe kjo pjesë është po kaq interesante. Në këtë çerek ore që mbetet, mësuesi lexon ndonjë tregim nga libra të mira dhe të ilustruar, ndërsa një mësues tjetër shkëputet me një apo dy nxënës në një vend të qetë dhe i dëgjon duke lexuar një tjetër përrallë. Një herë në javë, në klasë ftohet një nga mamatë e fëmijëve. Pak rëndësi ka nëse është angleze apo jo! I vetmi kusht është që duhet të tregojë një përrallë nga vendi i saj. Fëmijët kënaqen dhe duan të dëgjojnë sa më shumë. Ky çerek ore klasifikohet në kurrikulat e respektit dhe barazisë që duhet të gëzojnë të gjithë njerëzit, pavarësisht racës apo ngjyrës, prejardhjes apo klasës ekonomike.

Në shkollat angleze studiojnë nxënës me përkatësi të ndryshme etnike! Fëmijët duhet të respektojnë kulturën e njëri-tjetrit, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të jetojnë në paqe e harmoni.

Ky çerek ore i rrëmben fëmijët… në magjinë e përrallave nga mbarë bota.[1]

***

Tregimi i mësipërm i përket marsit të vitit 1994. Në atë kohë kam qenë student me programet ERASMUS në “Shkollën Pedagogjike” të Universitetit të Leeds-it, në Clayton West. Ishin vitet e fundit, kur sistemi i arsimit fillor në Angli kishte ende fleksibilitetin që prindërit, së bashku me administratën e zgjedhur prej tyre nëpër shkolla, mund të përcaktojnë kurrikulat dhe orarin mësimor të nxënësve, si dhe të ftojnë njerëz të jashtëm sipas dëshirës, pa frikën e goditjeve terroriste.

Në shkollën fillore të fshatit Clayton West, afër Leeds, mund të pohoj se ka qenë kontakti im i parë, por i paharruar, me arsimin liberal dhe liberalizmin arsimor. Edhe pse një vlerësim i këtij liberalizmi në arsim del, sigurisht, përtej kufijve të një parathënie, gëzimi i fëmijëve prej rrëmbimit në botën e përrallave haset shumë rrallë sot, kur kurrikulat udhëhiqen nga ‘kërkesat e tregut’, duke sakrifikuar shumë nga lëndët humane që parashikoheshin më përpara në shkollë, siç vëren Valbona Nathanaili në kreun e parë të këtij libri. Synimi i kësaj parathënieje është, që duke reflektuar mbi konceptin dhe përmbajtjen e arsimit liberal dhe liberalizmit në arsim, të piketojë disa nga mësimet që mund të nxjerrim, si edhe vlerat e librit në këtë drejtim.

Qasja liberale në arsim buron nga bindja te vlera e lirisë individuale si vlerë madhore, e cila duhet të shërbejë si bazë për gjithë politikat arsimore. Qasja liberale e ka prejardhjen te humanizmi, pra te lëvizja që vë individualitetin e njeriut mbi kolektivizimin e komunitarizmit. Siç tregohet nga tregimi i mëparshëm, nga çfarë vijon, si edhe nga gjithë libri, këto dy qasje nuk janë të kundërta. Koncepti i termit ‘arsim liberal’ ka historinë e vetë, siç tregohet në kapitullin e parë të këtij libri; megjithatë, termi u trajtua në mënyrë sistematike për herë të parë nga Milton Friedman në një ese “mbi rolin e qeverisë në arsim”.[2] Friedman mbështet një minimum arsimimi për të gjithë, si element stabilizues të demokracisë, por ndërhyrjen e qeverisë në drejtimin e institucioneve arsimore e përfytyron vetëm aty ku tregu e ka të pamundur të mobilizohet. Friedman mbështet një sistem kuponësh në favor të nxënësve, në vend të financimit të drejtpërdrejtë të shkollave dhe nuk është në favor të subvencionit të arsimit profesional dhe të lartë.

Ndikimi i Friedman në zhvillimin e qasjes liberale në politikat arsimore është vendimtar. Friedman flet për ndërhyrje të qeverisë dhe jo për intervencionizëm shtetëror dhe beson, se “rezultatet e fqinjësisë” janë të rëndësishme, sepse sigurojnë lirinë e zgjedhjes, përforcimin e konkurrencës dhe reduktimin e shpenzimeve administrative. Qasja liberale argumenton se sundimi i elementit politik në arsim dhe ushtrimi i presioneve nga interesa të ndryshme e çojnë arsimin drejt burokratizimit dhe joefektshmërisë në përmbushjen e kërkesave të prindërve. Politika të tilla shtetërore – vazhdon Friedman – kanë kosto të lartë dhe karakter rishpërndarës, elemente jo të pranueshme nga teoria liberale politike. Sipas tij, politika liberale e propozuar asgjëson shkaqet e pabarazisë dhe krijon shanse të vërteta dhe të barabarta.

Një element tjetër i rëndësishëm është llogaridhënia. Kritika liberale, në bindjen e saj në fuqinë e familjes si qelizë e gjallë e shoqërisë, sugjeron se ç’burokratizimi i sistemeve arsimore të kohës mund të kalohet nga fuqizimi i prindërve për të kërkuar llogari nga shkollat. Që nga koha e Friedman-it, eksperimente liberale në sistemet arsimore nëpër botë kanë prodhuar rezultate si pozitive, ashtu edhe negative, duke detyruar kritikën liberale të krijojë variabël të tjerë për suksesin e sistemit liberal.

Megjithatë, liria e prindërve në pjesën më të madh të botës, që të përzgjedhin llojin e arsimit në të cilin fëmijët e tyre mund të ekspozohen është fryt i propozimeve liberale në qeverisjen e arsimit. Mirëpo, arsimi liberal dhe liberalizmi arsimor nuk kufizohen vetëm në sisteme arsimore, por shtrihen edhe në përmbajtjen e kurrikulave. Rolin e kurrikulave në kultivimin e individualitetit të nxënësve brenda një kornize të shëndoshë shoqërore, ku individualiteti i njërit nuk cenon individualitetin e tjetrit, e aludon tregimi në fillimi të kësaj parathënieje. Pikërisht këtë rol, me shembuj konkretë, synon që të tregojë edhe ky libër. Kam bindjen se kontributi i tij nuk do të kufizohet vetëm në pajisjen e mësuesve me disa aktivitete konkrete mësimore të arsimit liberal, por njëkohësisht do të shtrihet edhe në debatin mbi vlerat e arsimit liberal dhe liberalizmit arsimor në Shqipërinë paskomuniste dhe më tej.

[1]Giakoumis, Konstantinos & Lekati, Eleni. “Το «Ενεργό» Σχολείο στην Πράξη. Μία Τυπική Σχολική Ημέρα στο Αγγλικό Δημοτικό Σχολείο.” λληνοχριστιανικ γωγ 48/424 (tetor 1995), ff. 242-9.

[2] Friedman, M. 1955. “The Role of Government in Education” Në Economics and the Public Interest, redaktuar nga Robert A. Solo, 123-44. New Jersey: Rutgers College.