“Udhëheqja është të kesh në ide dhe ta zbatosh. Idetë nuk vlejnë as edhe një qindarkë – e rëndësishme është si vihen në jetë” Anna Wintour
Duhet ta pranoj, se duke qenë se kam vetëm tri palë këpucë – një palë të zeza, një palë kafe dhe një palë të përditshme – nuk di asgjë nga bota e modës, megjithatë për Anna Wintour kam dëgjuar prej kohësh. “Interesi për të kapërcen brezat, – më thotë fqinja ime, një stiliste re. Wintour-i është gruaja më e rëndësishme në botë. Gratë e moshës sime i referohen shpesh si ‘ikonë e modës dhe e kulturës’, kur duan të përshkruajnë ndikimin e saj.”
Ky interes shtrihet në të dyja anët e Atlantikut (duke pasur parasysh se i ati ka qenë britanik, ndërsa e ëma amerikane): shoqëria londineze e quan “të vetën”, ndërsa amerikanët, pas përvojës 26 vjeçare si botuese e “American Vogue” dhe kontributeve të saj në jetën, artin e politikën e vendit të tyre, si pjesë të tyren. Figura e saj është kaq e madhe, sa e kapërcen industrinë e modës.
Para se ta takoja nga afër, dëgjova opinione të ndryshme dhe kuptova diçka që për të tjerët ishte krejt e qartë, pavarësisht se mua, as që më kishte shkuar në mend: ajo është nga ata njerëz të rrallë, emri i së cilës është bërë një lloj marke, diçka shumë më e madhe se pesha që mbart një titull pune, qoftë ky edhe “botuese e American Vogue” apo faktit që nga viti 2013 është drejtuese artistike e Condé Nast.
Është për t’u habitur si mund të mblidheshin bashkë, në një person të vetëm, fjalë të tilla si ikonë, risiprurëse, e frikshme, e fuqishme, e hollë, elegante, gjë që tregonte, se pavarësisht në e pëlqenin apo jo, e admironin apo jo, të gjithë, në thelb, kishin thuajse të njëjtën ndjesi për të. Megjithatë, mendoj se një pjesë e këtij perceptimi vjen sepse njerëzit nuk janë shumë të sigurt. Enigmat e fitores janë veçanërisht interesante. Kjo bëhet tejet e dukshme sidomos në kohën e medias sociale, kur njerëzit hedhin vullnetarisht kaq shumë informacion për veten, sa nuk mbetet dhe aq për të ditur apo për të marrë me mend. Ajo është Banksy i botës së modës – shohim shumë nga punët, por pak nga karakteri, çka shkon në dobi të saj, ashtu sikurse qasja ekstreme e veprave shkon në dobi të artistit të grafitit.
Ditën kur takova Wintour, në zyrën e saj në katin e dymbëdhjetë në “Times Square”, do mbaja një fjalim në një konferencë sporti, por fjalët për takimin kishin marrë dhenë. U befasova nga interesi që shkaktonte vetëm përmendja e emrit, si tek gratë, ashtu edhe tek burrat: “Dëgjuam se takuat Anna Wintourin, si ishte në të vërtetë?”
Pjesa “në të vërtetë” në këtë pyetje, kishte domethënien e saj. Ajo tregonte se pyetësi ia kishte idenë personit, por s’ishte aspak i sigurt se kush ishte ai realisht. Kjo ndodh kur dikush vishet me mitologji dhe kalon nga të qenit interesant, në të qenit ikonë.
Dikush tjetër thoshte se ajo ishte tejet e ftohtë dhe pak e frikshme, por nuk kishte asnjërën nga këto. Sigurisht ishte, deri diku, e rezervuar, por pa dyshim që s’i mungonin ngrohtësia dhe humori. Nuk më la përshtypjen e dikujt që i pëlqente të fliste vetëm vetë… Ndoshta sepse intervista u zhvillua vetëm pak pas mbarimit të sezonit të ragbisë, më kujtoi Jonny Wilkinson për nga mënyra si iu përgjigj pyetjeve që synonin nënvizimin e pikave të forta, mbushur me lëvdata për njerëzit e saj, gjë që nuk shkonte aspak me reputacionin si e frikshme, e ashpër dhe që s’hapte rrugë; thoshte se i pëlqente The September Issue, dokumentari më i madh bërë ndonjëherë për Vogue, për faktin se ishte “i mirë për Grace-in”. E kishte fjalën për Grace Coddington-in, e cila kishte qenë gjithnjë përkrah Wintour-it në karrierën e saj si drejtoreshë artistike:
E kam ditur gjithmonë që është një gjeni në krijimtari, por është e mrekullueshme që sot mund ta pohojnë të gjithë, – shprehet Wintour për kolegen 73 vjeçare.
Shtatëdhjetë e tre! Është mbresëlënës fakti, që këto dy gra që i japin kaq shumë botës së modës dhe me aq shumë ndikim mbi të rinjtë, janë të dyja në moshën e pensionit. Por Karl Lagerfeldi, drejtori kreativ i Chanel dhe i preferuari i Wintour-it në fushën e modës, është edhe më i moshuar:
- Meqë po flisni për kohëzgjatjen, – shprehet Wintour, – ja ku keni një burrë 80-vjeçar, që drejton një kompani multibilion dollarëshe dhe vazhdon të jetë krijues. Kompania po hiqte keq kur e mori ai, dhe ai, sërish e sërish, e krijoi nga e para. Lagerfeldi është në mënyrë brilante kreativ, i interesuar për gjithçka, shumë-gjuhësh, piktor, shkrimtar, ilustrues librash, dizenjator, drejtor filmi, një udhëheqës i vërtetë… Në botën time, një udhëheqës i vërtetë.
Kur e takon dhe flet me njerëz që e njohin apo punojnë për të mëson, se ajo që e ka bërë të suksesshme për një kohë kaq të gjatë përmblidhet në togfjalëshin “udhëheqëse e vërtetë” – diçka që ajo vetë ngurronte ta thoshte për veten. Ma kishte marrë mendja se tema e risive – meqë moda ka gjithmonë lidhje me të renë – do të ishte fusha më e frytshme e diskutimit. Por sa më tepër flisnim, aq më shumë ndihesha se isha me dikë, forca e vërtetë e të cilit qëndronte tek aftësia për të udhëhequr, sipas shprehjes “punë-shumë e fjalë-pak”, gjithnjë e më mbresëlënëse edhe për shkak të përmasave – ajo është vërtet trupvogël – dhe të sjelljes së vet, ndonjëherë tejet të ndrojtur.
E ripashë dokumentarin The September Issue një natë para se ta takoja. Lexova komentet e regjisorit të filmit, R. J. Cutler, që thoshte:
Mund të bësh një film në Hollivud edhe pa pëlqimin e Steven Spielberg, mund të publikosh një software në Silicon Valley edhe pa pëlqimin e Bill Gates, por është e qartë se nuk mund të kesh sukses në industrinë e modës pa pëlqimin e Anna Wintour.
Kjo është vërtetë një pozitë e fuqishme udhëheqësi. Pyetja që shtrohet është: Si ta përdorim këtë pozitë? Dhe si ta ruajmë, në një botë ku gjithçka ndryshon e lëviz? Përshtypja që më la filmi ishte se emri i saj – faktori Anna – dukej se vepronte si forcë nxitëse, si tek njerëzit brenda revistës, ashtu edhe tek ata jashtë saj. Kjo nuk duhet të nënvlerësohet dhe tregon fuqinë e reputacionit. Mendoni sërish Wilkinson-in: edhe Dan Karter i All Blacks, që është ndoshta mesfushori më i mirë i kohës së tij, ka thënë se çdo lojtar që sheh emrin e Johny Wilkinson-it në listën e lojtarëve të skuadrës kundërshtare, ndjen menjëherë një disavanazh. Kujtoni lojtarët që kanë parë Alex Ferguson-in, tek hyn në zonën teknike të fushës dhjetë minutat e fundit; qeveritë e bizneset që dëgjojnë se George Sorros po interesohet për çështjet e tyre; kujtoni çfarë ndodhi kur Ben Ainslie mbërriti në fund të ditës, në përpjekje për të shpëtuar fushatën e Kupës së Amerikës – qe prania e tij që i ktheu gjërat mbrapsht, një nga kthimet më të mëdha të të gjitha kohërave. Reputacioni është një monedhë tejet e fuqishme e fitores. Wintour ka shumë prej tyre në bankë. Në dokumentar të krijonte, gjithashtu, edhe përshtypjen e një njeriu që reagon shpejt dhe në mënyrë instiktive, bazuar në këndvështrime shumë të qarta për gjërat që i pëlqejnë ose jo. Megjithatë, nën vendosmërinë e saj fshiheshin ndoshta më shumë se një shenjë dobësie. Ana e shpejtë instiktive tregon se ajo mund të reagojë vërtet me forcë e gjallëri. Deri diku, kjo është pjesë e karakterit të saj, por është, gjithashtu, edhe rezultat i mësimeve që ka marrë në fillim të karrierës, gjatë punës për një shefe me një stil udhëheqje krejt tjetër. Në dokumentar nuk e tregon se kush ka qenë, por rrëfen se prej saj mësoi si nuk duheshin bërë gjërat.
- Qe tmerrësisht e pavendosur. I duhej shumë kohë të merrte një vendim, të cilin më pas, ditë ose jave më vonë, do ta ndryshonte. Prej saj mësova që gjëja më e rëndësishme ishte vendosmëria dhe, sigurisht, transmetimi tek ata që punojnë për ty. Është si prindërit me fëmijët: kur prindërit janë të paqartë, atëherë fëmijët janë të pasigurt – kështu që bëhuni të qartë, bëhuni të sigurt. Edhe nëse s’jeni i sigurt për vete, shtiruni sikur jeni, sepse e bën më të lehtë për gjithë të tjerët. Përgjithësisht, njerëzit ngurrojnë. Unë vendos shpejt. Mendoj, se i ndihmon ata që punojnë për ty. Bota në të cilën jetojmë është e lidhur me instinktin dhe të qenit i shpejtë e reagues.
Dhe më pas:
- Jam tejet e organizuar dhe jam deleguese shumë e mirë. Njerëzit punojnë më mirë kur kanë përgjegjësi. Ne flasim për atë që duhet bërë dhe në çast e quaj të kryer. Më pëlqen të di çfarë ndodh, por nuk bëj kontrolle dyfishe apo trefishe. Në institucion ka njerëz shumë të zgjuar, të cilët mund të bëjnë gjëra që unë s’i bëj dot. Nuk jam aspak krijuese.
Kjo modesti m’u duk paksa e rreme, ndaj këmbëngula që s’mund të pretendonte se i mungonte shpirti krijues, kur për dy ose më shumë dekada kishte nxjerrë një revistë që kishte ndihmuar në përcaktimin e një epoke. Por qe e prerë:
- Nuk di të bëj gjë prej gjëje. S’di të bëj një fustan. S’mund të shkrep një aparat për të marrë një foto. S’mund të shkruaj ndonjë tekst. I admiroj shumë ata që i bëjnë këto, sepse s’ia kam idenë nga t’ia filloj. Por shkoj gjithmonë pas talenteve të të tjerëve. Nuk jam unë talenti.
Edhe nëse s’jeni i sigurt për vete, shtiruni sikur jeni, sepse e bën më të lehtë për gjithë të tjerët. Anna Wintour
Por ti ke një vizion për revistën! A nuk përbën kjo një pjesë të madhe të procesit krijues?
- Kjo është një aftësi krejt tjetër nga ajo e dikujt që di t’i bëjë gjërat. Unë përjetoj një ndjesi, di çfarë më duhet për revistën dhe përpiqem të marr vendime që mendoj se janë më të mirat për të, por s’di t’i bëj të gjitha gjërat që kërkohen për ta realizuar një gjë të tillë!
Sado që e vlerëson ekipin e vet është e mendimit se drejtimi në vetvete mbart, ndonjëherë, një ndjesi vetmie. E pyeta në kishte ndonjë në ekip me të cilin mund të hapej vërtet, të pohonte dyshimet dhe paqartësitë e brendshme që s’kishte qejf t’i shfaqte në pamjen prej udhëheqëseje të vendosur. Kisha parasysh faktin që Tony Blair shfaqte ndonjëherë, para një numri të vogël njerëzish brenda ekipit, një ndjesi vetjake krejt tjetër, mbushur me shqetësim. Reagimi erdhi sërish në çast:
- Jo, këtë nuk e bëj. Mendoj se kjo është përgjegjësia ime, e askujt tjetër. Unë i diskutoj gjërat me shumë njerëz, por nuk dua t’ua hedh atyre këtë barrë, sepse kjo nuk është puna e tyre. Më takon mua ta zgjidh këtë.
Mos doni të thoni që shtireni pjesën më të madhe të kohës?
- S’ma do mendja. Thjesht mendoj se e njohim shumë mirë njëri-tjetrin, kemi punuar bashkë për një kohë të gjatë, ndaj nuk bëjmë lojëra. Para se të vinit ju, këtu ishte Grace. Numri i shtatorit u kthye përmbys për shumë arsye, por po e merrnim me të qeshur. Ç’të bësh? Dua të them, merre shtruar!
Deri diku, mbijetesa për një kohë të gjatë e kishte bërë forcë shumë të madhe në botën e saj, por brenda ekipit gjendej edhe një tjetër faktor loje – vazhdimësia. Atë ditë kur vizitova revistën Vogue, partnerja ime, Fiona, po takonte një shoqe të vjetër që kishte punuar me Wintour e që thoshte se stafi i ishte tmerrësisht besnik, ndaj kishin ndenjur kaq gjatë. E gjitha kjo binte në kundërshtim me historitë mediatike rreth ashpërsisë ndaj vartësve, pseudonimeve “bomba bërthamore Wintour”, “e pakënaqshmja Wintour” apo se ishte ajo mbi të cilën ishte krijuar karakteri i luajtur nga Meryl Streep në filmin “Djalli vishet me Prada”. Për t’u tallur me idenë, kur kishte parë në kinema shfaqjen ishte veshur me Prada, ndërsa gjatë konferencës së shtypit kishte deklaruar: “Unë i rrah të gjithë ndihmësit e mi dhe shpesh i mbyll në dollapin e rrobave e nuk u jap rrogën!”
Që kur i mora intervistën, kam takuar gjithfarë njerëzish që kanë punuar me apo për të. Disa thonë se është frymëzuese, e këndshme, shefe e madhe, që kërkon nga vetvetja më shumë se nga kushdo tjetër. Megjithatë, kishte edhe nga ata që s’mund ta fshihnin urrejtjen e tyre, sidomos njëra që thoshte, se gjatë gjithë kohës që ishte atje, ndihej e frikësuar dhe e parëndësishme. “Një herë, pasi mbaroi bisedën telefonike, ma hodhi telefonin në prehër si të donte të thoshte Jam shumë e rëndësishme për ta mbyllur telefonin vetë.” Megjithatë, opinioni i shumicës, ndryshe nga imazhi i portretizuar tek “Djalli vishet me Prada”, i përket kampit të parë dhe jo të dytë.
Stafi i tanishëm, ku mund të përmendet edhe drejtoresha e komunikimit të Vogue Hildy Kuryk, pjesë e një fushate zhvilluar pak kohë më parë për grumbullimin e fondeve për Obaman tregon se besnikëria, sigurisht, është dykahëshe. Por dëshira për të krijuar ekipin me një përzierje njerëzish të pjekur, me përvojë dhe talentesh të reja – ose siç quhet rëndom, kombinimi “rini dhe përvojë”, që preferohet prej menaxherëve sportivë – nuk ka të bëjë me sentimentalizmin.
Wintour shfaqet udhëheqëse kokëfortë kur thotë:
- Nëse dikush largohet për hir të një pune të re, në planin personal mund të trishtohem, megjithatë e vlerësoj gjithmonë si shans për të gjetur dikë tjetër me një ofertë ndryshe, dikë që mund të më mësojë gjëra të reja. Kam këtu disa njerëz kyç, të cilët priren të qëndrojnë për një kohë të gjatë, si për shembull, kryeredaktorja që ndenji tek ne për 15 vite rresht, derisa doli në pension. U mërzita kur doli në pension, por nga ana tjetër ishte një shans për të marrë në punë një njeri të mrekullueshëm nga revista “New York”. Jam gjithmonë në kërkim të talenteve të reja.
Zakoni i të moskthyerit kokës pas është thelbësor kur drejton ekipe që kanë nevojë për përtëritje. Bashkëbiseduesja ime më përsëriti një bisedë që kishte pasur me Bea Millerin, paraardhësen e saj te “British Vogue”, ku Wintour-i kishte punuar për dy vite, përpara se të shkonte në New York. Më tha diçka që më mbeti në mendje! Sapo kishte mbyllur një numër të revistës dhe kur e pyeti Millerin si kishte dalë numri, i ishte përgjigjur: “Anna, duhet të mendosh gjithnjë për numrin pasardhës”.
Fillova ta mbaja dhe vetë këtë qëndrim. Nuk kam pasur kurrë post-mortum.
- Ne ecim përpara. Nuk kam nevojë për njerëz që më thonë në ishte i mirë apo i keq numri i revistës. Këto dihen, ndaj shoh vetëm përpara. E njëjta qasje vlen edhe për përdorimin e të dhënave për shembull, studimin e tregut sa i përket kohës dhe vendit ku gjenden lexuesit, ç’pëlqejnë ata, cilat fytyra mbi kopertinë shesin më shumë. Kjo ka vlerën e saj, por në fund unë bazohem më shumë tek instinkti. Shoh fotografitë e marra ose lexoj një artikull që kam përpara dhe reagoj shpejt: kjo është fantastike, kjo jo! Fusni këtë, mos e fusni këtë, këtë bëjeni nga e para. Marr vendimin që mendoj se është i drejtë për revistën. Kam ndjesinë se e di çfarë kërkon lexuesi.
U duk sikur ajo e theksoi veçan frazën e fundit. Ndoshta, ngaqë dikur, në mes të viteve shtatëdhjetë, në rrethana të caktuara, e kishin pushuar një herë nga puna si redaktore e modës rinore tek Harper’s Bazaar, dhe shefi i kishte thënë: “Mendoj se ti s’ke për ta kuptuar dot kurrë gruan amerikane”. Nuk shfaq asnjë shenjë mllefi – “ishte revista e tyre, kishin të drejtë të merrnin vendimet që donin” – por me siguri i ka shërbyer si ngjarje motivuese në jetën e saj.
Mendoj, se çdokush duhet të pushohet, qoftë edhe një herë, nga puna. Kjo të bën të rishohësh vetveten. Në atë kohë nuk e mendoja kështu, por për mësimet që nxora ka qenë, pa dyshim, diçka e mirë. Është e rëndësishme të hasësh edhe vështirësi, sepse e tillë është jeta. Përsosmëria nuk ekziston.
Besimi se vështirësitë janë shanse për të mësuar dhe se ka gjithnjë vend për përmirësim është një tjetër aspekt i rëndësishëm i drejtimit të një udhëheqësi. “I patë çmimet Tony?”, – më pyeti. Në fakt nuk i kisha parë. E pra, ato i prezantoi Hugh Jackman, të cilin e kam mik, kështu që i çova një e-mail ku e uroja për prezantimin. Por atij i kishin ardhur disa vlerësime jo shumë pozitive, ndaj i thashë: “s’është e drejtë”. Por ma ktheu: “Jo, është diçka shumë e mirë, sepse të bën të mendosh e të përpiqesh të kuptosh se ç’mund të ishte bërë më mirë”. Në fakt unë ndjej të njëjtën gjë dhe gjithmonë mendoj: “Si mund të përmirësohem, si t’i ndryshoj gjërat?” Ja pse, ky është vendi i përsosur për mua, sepse moda ka lidhje gjithmonë me ndryshimin, ecjen përpara, të mos menduarin kurrë për të shkuarën, të parit gjithmonë nga e ardhmja”. Është e rëndësishme të hasësh edhe vështirësi, sepse e tillë është jeta. Përsosmëria nuk ekziston.
Sa mendoni se e kuptoni gruan amerikane? “Sigurisht, mendoj se e kuptoj lexuesin tonë.”
Këtu shfaqet diçka tjetër interesante: “lexuesi”, njëjës jo shumës; ose me fjalë të tjera një ndjesi, një vizion në kokën e saj, se kush dhe çfarë është lexuesi i Vogue-t, dhe ç’mund të bëjë ajo si botuese për t’u lidhur me të.
- Për Vogue kjo është një vijë ndarëse shumë e hollë. Duhet të jemi pjesë e diskutimit, por s’mund të jemi as shumë para e as shumë pas: duhet të jemi në vendin e duhur. Nëse bëhesh tejet avangard apo shumë i largët, shkëputesh nga lexuesi, por edhe nëse bëhesh i mërzitshëm shkëputesh po njësoj. Më kujtohet se Ralph Lauren-i më thoshte shpesh: “S’dua të jem as shumë i nxehtë, as shumë i ftohtë. Dua të jem thjesht një markë, si Coca-Cola ose Nike.” Unë ndjej të njëjtë gjë për Vogue-n. Ngrihem çdo ditë në 5 të mëngjesit – më ka pëlqyer gjithnjë të zgjohem herët – dhe mezi pres të dal në zyrë. Gjëja më e bukur e të qenit botuese e Vogue është se ke mundësi të punosh me njerëz të njohur, të mrekullueshëm dhe krijues. Kjo nuk është një punë që bëhet vetëm në tryezë. Mendoj se duhet të dalësh jashtë e të shikosh filma, teatër, ekspozita, prandaj dhe unë udhëtoj shumë. Sa herë del jashtë, qoftë edhe për një shëtitje në rrugë, të vjen një ide. Pastaj kthehesh e thua: ‘Pashë këtë që ndoshta duhet ta përfshijmë. Po kjo tjetra?’ Pastaj ia përcjell ekipit. Është shumë e rëndësishme të dëgjosh, por në fund duhet të marrësh vendime.
Duket qartë që është krenare për karrierën e gjatë vetjake, e papërmbajtur për mënyrën se si S.I. Newhouse, presidenti i Condé Nast “më lë t’ia dal vetë, duke besuar në përgjegjësinë që u takon botuesve. Të jep krejt mbështetjen dhe burimet e nevojshme. Të jep kanavacën, pastaj je ti që vendos se si do ta mbushësh atë”. Ajo nuk e ka pasur kurrë tundimin e Alex Ferguson-it, i cili para dhjetë vitesh hoqi dorë nga menaxhimi i Manchester United-it, duke lënë gjithçka pas.
Ky është një vend i mrekullueshëm, ku ia vlen të jesh. Pikërisht, kur mendon se i ke parë të gjitha, shfaqet diçka e re dhe përtëritëse. Kështu, për shembull, uebi na ka ndryshuar mënyrën e punës. Personalisht, kam nisur të bashkëpunoj me botues të revistave të ndryshme, çka më jep një tjetër dimension. Punoj me Muzeun Metropolitan të Arteve dhe shpresoj se mund të sjell diçka tjetër, kam punuar për dy fushata të Obamës (mbledhje fondesh), çka ishte një përvojë e re dhe ngacmuese.
I ati më rrëfeu rreth pushimit nga puna të Annës si botuese në Evening Standard. Sipas tij, e bija ishte shprehur: “S’jam e nevrikosur. Mua më pëlqen ajo që bëj.” Po kështu, i pëlqen edhe fakti që në Amerikë sheh një shoqëri më pak klasore nga ajo ku është rritur, në Britani.
- Tani ndihem pak si e pastrehë. Në Angli ku jam rritur, ndihesha mjaft e izoluar, jo për shkak të familjes, por sepse është një shoqëri që motivohet tej mase nga përkatësia klasore, prandaj një nga gjërat që më pëlqen këtu është se nuk vlerësohesh vetëm për klasën së cilës i përket, ku e ke bërë shkollën apo çfarë bëjnë prindërit e tu. Gjithkush në New York e ka prejardhjen nga diku tjetër dhe kjo krijon një forcë pozitive. Më pëlqen të jem këtu.
E vetmja herë kur u mendua pak para se të përgjigjej, ishte kur e pyeta nëse e shihte veten si gazetare. Ajo qe rritur e rrethuar nga gazetaria e shkruar dhe shprehet se i vjen keq që nuk ka punuar kurrë në gazetë:
Nuk shkruaj, nuk jam gazetare. E shoh veten si dikush që reagon ndaj kohës dhe kulturës, ndaj çastit. Nuk e di nëse kjo është gazetari.
Grace Coddington i njeh Wintour meritën se ka parashikuar përmasat që do të merrte kultura e njerëzve të famshëm:
Nuk e di në isha unë e para, shprehet Anna, – por dukej se kishte filluar ndryshimi. Pjesërisht, kishte të bënte me mënyrën sesi ndryshuan modelet. Ato filluan të tërhiqnin shumë vëmendje, nisën të bëheshin të famshme në vetvete. Modelet donin të ishin të famshme dhe të famshmet tradicionale donin të bëheshin modele. Para kësaj, aktorët donin të shiheshin seriozisht, prandaj mbanin thjesht atlete dhe ca bluxhinse të ndyra. Mirëpo kur panë vëmendjen që tërhiqnin këto vajza, ndryshuan menjëherë.
- A quhet risi?
Po. E filluam ngadalë. Vendosëm të vinim në kopertinë një njeri të famshëm. Kujtoj që Madona ishte nga të parat dhe nuk qe diçka që u mirëprit botërisht. Mbaj mend që më thanë: ‘Kur mendoj për Vogue, nuk më vjen ndër mend kjo, por Katharine Hepburn’”. Çka i konfirmoi pikëpamjen se ndryshimi ishte i justifikueshëm. Kështu vazhdoi me Winona Ryder-in dhe Sharon Stone-in në vitin 1993, e një vit më pas me Julia Roberts, Demi Moore në vitin në vazhdim dhe pastaj, më 1998, me Sandra Bullock, Claire Danes, Renée Zellweger, Liz Hurley, Oprah Winfrey (pasi kjo u mor vesh me Wintor-in që të binte pak nga pesha), Hillary Clinton dhe – ajo mendon se ka shkuar tepër larg – Spice Girls.
- A është kultura e promovimit të njerëzve të famshëm një shtysë për mirë?
Është e pashmangshme, ekziston, s’ka ku ta fshehësh. Nuk e di në është e mirë apo e keqe, por s’mund ta mohoj.
- E konsideroni veten njeri të famshëm?
As e mendoj këtë, sinqerisht jo.
- As kur mbërrini në një show dhe fotografët thërrasin emrin tuaj me zë të lartë?
Është pjesë e punës.
- Të pëlqen të jesh Anna Wintour?
As këtë s’e mendoj, vërtet jo. Pyet tim vëlla (Patrick Wintour-in, gazetar politik i Guardian). Jashtë pune nuk kam ndonjë jetë super aktive. Më pëlqen të shkoj fundjavave në fshat, me fëmijët e qenin, si dhe të luaj tenis. Jam vërtet shumë e zonja për t’u shkëputur. Nuk më pëlqejnë fundjavat në qytet, kam një kopsht që më pëlqen tej mase, një jetë private dhe gjithçka që është e kundërt me të.
Pastaj përmend si model të sajin një tjetër grua-lider në media, ish-pronaren e Washington Post, Kay Graham. Në përgjigje të pyetjes se a është edhe vetë një model për të tjerët, gjë që mund të shkojë krahas me udhëheqjen, ajo përgjigjet se, për këtë, mendon kur fiton ndonjë çmim dhe vajzat e pyesin si ka arritur në pozitën që ka, “përndryshe, nuk mendoj për këtë. Nuk është se çohem nga shtrati dhe papritur mendoj ‘vërtet, duhet të bëj diçka që të bëhem model për të tjerët’. E jetoj jetën aq mirë sa mundem, përpiqem të marr vendimet e duhura për revistën, për kompaninë dhe, në planin personal, për familjen. Kjo nuk është diçka e paramenduar.” Detektori brenda meje më thotë se fokusimi tek ekipi, shfrytëzimi i cilësive vetjake, ambicia dhe reputacioni, janë pjesë e krijimit të imazhit që asaj i ka shërbyer mirë, duke e shndërruar një forcë të madhe në jetën dhe kulturën e Shteteve të Bashkuara – Muzeu Metropolitan i Artit i ka emërtuar sallat e modës “The Anna Wintour Costume Center” – dhe, falë mbledhjes së fondeve për Obama-n, edhe në politikë.
Pasi kalova ca kohë me të, duke folur edhe me njerëzit me të cilët ajo kishte punuar dhe vazhdonte të punonte, ndjeva se delli i saj prej fitimtari qëndronte tek të kuptuarit instiktiv të rëndësisë së udhëheqjes, si dhe tek përkushtimi ndaj punës dhe shanseve që të jep ajo. E gjitha kjo, më kujton thënien e Navratilova që citova më herët: “Bëj atë që do dhe duaje atë që bën, të tjerat janë detaje.” Kështu duket se vepron Wintour.
Ndërsa ishte ende studente dhe plotësonte një formular për ambiciet që kishte, i ati i kishte sugjeruar të shkruante “botuese e Vogue”, sepse qe mjaft e qartë që kjo donte të bëhej. Këtë nuk e fshehu as gjatë intervistës së parë të punësimit në Vogue, në vitin 1982. Botuesja e atëhershme Grace Mirabella, e pyeti se cila ishte puna që ëndërronte dhe u shokua nga përgjigja: “Punën tuaj”. Mirabella bëri ç’ishte e mundur që të mos e lejonte këtë, por pas gjashtë vitesh Wintour-i i kishte zënë vendin.
Ambicioze? Sigurisht. Nganjëherë e pamëshirshme? Pa dyshim. E poseduar nga një shpirt prej njeriu të hekurt, sa herë që i nevojitej? Edhe kjo është. Të gjitha këto, na pëlqen apo jo, janë cilësi që kërkohen për të qenë udhëheqës.
Zyra e saj nuk duket edhe aq si “zyrë pune”, se sa si një hapësirë e bukur pune që mund të krijojë dikush në shtëpinë e vet luksoze. Shumica e fotove janë të të tjerëve. Arsyeja pse citimi i Navratilova-s duket kaq me vend, është se ajo shndrin nga gëzimi kur përmend dikë që e sheh jo thjesht si shembull, por si hero të vërtetë. Ky është Roger Federer-i, të cilin e ka mik të ngushtë.
Roger është idhull, – shprehet Anna. Po a është i tillë?, – pyes unë. A është kaq i veçantë nga lojtarët e tjerë të tenisit? Është kaq elegant, – psherëtin ajo. Por ajo çka i pëlqej më tepër është se edhe në kulmin e fuqisë së vet, e kishte më se të qartë se kishte vend për më mirë, se mund të ecte edhe më shumë përpara. I admiroj njerëzit që i bëjnë gjërat jashtëzakonisht mirë. Mendoj se Roger e do vërtet sportin. Ai e do sportin, siç dua unë modë. Por kjo s’ka të bëjë vetëm me të personalisht: ai është student i historisë së tenisit, i përfshirë edhe në të ardhmen e këtij sporti, dhe e admiroj shumë. Kur shoh tenis, shoh gladiatorë. E dua këtë sport, lëvizjet para e mbrapa, mënyrën si ndjekin njëri-tjetrin, anën psikologjike, si depërton në kokën e Novak Djokovict, Rafael Nadal (biseda jonë u bë pak pas ndeshjes së tyre në Paris). Kjo anë psikologjike të mrekullon dhe Roger në këtë pikë është i zoti: gjithnjë i qetë, gjithnjë elegant. Kjo është një nga arsyet se përse e dua kaq shumë Vogue, sepse të jep mundësinë të njohësh gjithë këto talente, qofshin stilistë, aktorë a lojtarë tenisi.
Vizioni që ajo ka për veten si udhëheqëse, nuk kufizohet tek Vogue, por tek të qenit përfaqësuese e gjithë industrisë së modës. Pikërisht, këtu
qëndron edhe e gjithë fama e pasuria e saj.
Unë e shoh Vogue si një revistë për dhe në lidhje me komunitetin e modës. Kjo shpjegon disa nga gjërat që kemi marrë përsipër, dhe kur marrim diçka përsipër, e bëjmë siç duhet. Dua që Vogue të shihet më shumë se një revistë. Vogue është forcë në ndihmë të njerëzve, veçanërisht të atyre në komunitetin e modës. Nëse sheh stilistët e rinj, pjesëmarrës në “The fashion fund” që krijuam pas 11 shtatorit, mbase emrat e tyre në atë kohë nuk të thonin asgjë, por sot janë personazhet kryesorë të modës amerikane. Nga ajo kohë e tmerrshme ndodhi diçka vërtet e madhe dhe e rëndësishme për të gjithë ne, prandaj ajo që ndërmorëm ishte një iniciativë e jashtëzakonshme. Apo HIV-i. Komuniteti i modës ishte një nga më të prekurit prej HIV-it, ndaj në mes të viteve 1990, komuniteti u bashkua nën drejtimin e Vogue, për të mbledhur pará për ndërgjegjësimin dhe edukimin – ne nuk do të bënim kërkime, megjithatë kishim një mesazh të rëndësishëm për t’ia përcjellë kujtdo. Njerëzit e harrojnë sa frikë kishim kur morëm role udhëheqëse – kjo qe e rëndësishme për mua, po ashtu edhe për njerëzit që punonin këtu. S’dua të dukem si kryqtare, por ndjejmë përgjegjësinë për të ndihmuar dhe kështu bëmë. Duket sikur gjithçka, s’është gjë tjetër veç luks e fantazi – çka na shkon ndërmend secilit – por në të vërtetë është punë e lodhshme, dhe të gjithë jemi të vendosur të punojmë fort, sepse besojmë tek ajo që bëjmë.
Në fakt, çdo pjesë e bisedës lidhet me udhëheqjen dhe shpirtin e ekipit, ndaj e pyes si do ta përkufizonte udhëheqjen.
Udhëheqja është të kesh një ide dhe ta zbatosh. Idetë nuk vlejnë as edhe një qindarkë – e rëndësishme është si vihen në jetë. Kur punojmë me ndonjë ide që ka lidhje me muzeun apo me HIV-in, bëhemi tejet përzgjedhës në punën tonë dhe e bëjmë atë seriozisht, për të sjellë vërtet diçka të re.
Atëherë, udhëheqja ka të bëjë me vendosjen e përparësive?
Po, dhe me prurjen e gjërave të reja. Është tepër e lehtë të lësh emër për diçka, nëse e bën një gjë të tillë ashtu siç duhet.
Në këtë pikë është e rëndësishme të kuptohet se ndikimi i saj shtrihet edhe në fushën e ekonomisë. Sikurse bëri thirrje për mobilizimin e industrisë së
modës për ndërgjegjësimin ndaj HIV, pas 11 shtatorit, më vitin 2009 arriti të bindte kryebashkiakun e New Yorkut, Michael Bloomberg, të ndihmonte modën nga efektet e krizës financiare globale: “Wintour nuk është nga ato që pranon jo për përgjigje, – pohon ai. Arriti ta bindë qytetin të marrë pjesë në një mbrëmje blerjesh të natës së vonë. Disa nga dyqanet e mëdha, përfshirë këtu Macy-n dhe Bloomingdale-n ishin mosbesues, të vetëdijshëm se klientët e tyre po kalonin kohë të vështira. Por ajo nuk pranonte përgjigje negative, ndaj u kërkoi si nder miqve të saj të famshëm të vizitonin dyqanet që ishin përfshirë në këtë iniciativë. Shitjet e Macy-it u rritën ndjeshëm, po ashtu edhe shitjet e dyqaneve të tjera, të mëdha apo të vogla. Por përtej kësaj, Anna ndjeu se kishte një ide, të cilën e zbatoi mirë e bukur, duke ndihmuar si industrinë e vet, ashtu edhe moralin e ekonomisë. Një vit më pas e përhapi këtë nismë në më shumë se njëqind qytete amerikane dhe gjashtëmbëdhjetë vende të tjera. Të njëjtin qëndrim, bashkë me grumbullimin e dhjetëra miliona dollarëve, ka mbajtur edhe në shërbim të çështjeve të bamirësisë, të cilat vendos t’i promovojë bashkë me revistën.
Por nëse këto ngjarje tregojnë anën e ndjeshme të saj, e cila pasqyrohet përmes veprave të bamirësisë, Anna ka edhe një cilësi tjetër: nuk i frikësohet debatit, karakteristikë e liderëve të fortë. Mbështetja që i dha modës së peliçeve e bënë një shënjestër të lehtë për organizatat në mbrojtje të të drejtave të kafshëve. Si pasojë, ka pësuar shumë sulme fizike, verbale e simbolike. Gazetari Peter Braunstein u shpreh se Wintour do shkonte në ferr, por në një ferr aq të madh dhe aq të nxehtë, sa nuk do kishte kurrë nevojë të vishte peliçe. Ndërsa një tjetër ikonë amerikane, e një lloji ndryshe, Pamela Anderson, e cilësoi si personin e gjallë që urrente më shumë, sepse “i detyron stilistët dhe modelet të përdorin e veshin gëzofë”. Po kështu, Wintour akuzohet rregullisht se është elitiste. S’është e qartë nëse ajo mërzitet apo jo prej këtyre akuzave, por edhe pse vetë mund të jetë e hollë, lëkurën s’e ka të tillë. Në dukje dhe në profilin publik, cilësitë e saj lidhen vetëm me modën, por ajo që shfaqet më me forcë se gjithçka është ndjesia e udhëheqësit të vendosur, me një vizion të qartë e të gjithanshëm, si dhe vendosmëria për të përcjellë siguri edhe aty ku ka dyshim.
Një tjetër cilësi e saj prej udhëheqësi është aftësia për t’u përqendruar, qoftë edhe në kohë krize.
Koha më e vështirë ka qenë 1997-a, për shkak të situatës ekonomike, por ne ia dolëm mbanë. Këtu tek ne ka mjaft forcë dhe qëndrueshmëri. Kohë të vështira ka pasur e do të ketë edhe në të ardhmen, por e vetmja gjë është të përballesh me to. Nuk mendoj se kemi kaluar një krizë të vërtetë. Historia e Vogue-ut është e jashtëzakonshme dhe kjo duhet respektuar. Kur erdha së pari, këtu, isha drejtore krijuese dhe punoja me Alex Liberman, i cili e çoi revistën në lartësinë ku gjendet sot. E ndjej veten me shumë fat për atë kohë. Ai simbolizon një periudhë kur moda ishte vizion i dashurisë dhe mundi ta transmetonte edhe në rrugë. Kam kaluar shumë kohë me të. Për mua ka qenë mësuesi më i rëndësishëm!
Një tjetër fakt i papritur në lidhje me aftësinë për t’u përqendruar tek gjërat e rëndësishme dhe afatgjata e jo tek gjërat kalimtare e ndesha kur e pyeta
në i kishte munguar ndonjëherë besimi tek aftësitë vetjake.
A e kishte ndjerë, fjala vjen, atë ditë të vitit 1988, se kishte gjithçka nevojitej për kryerjen e detyrës?
Dita e parë ishte e frikshme, një tmerr i vërtetë, pasi një gazetar thashethemexhi kishte shkruar një faqe të tërë që unë e kisha fituar punën vetëm sepse kisha marrëdhënie me shefin. Ishte tërësisht e pavërtetë, por kjo hodhi një hije të zymtë mbi ditën e parë të punës. U përpoqa sa munda ta mbaja kokën lart dhe ta kaloja situatën.
Pasi arriti pozicionin që kishte dashur gjithnjë, u tregua e vendosur të bënte ndryshime, si në staf ashtu edhe në stilin e revistës. Kjo u bë e qartë që
me botimin e kopertinës së parë dalë nga duart e saj, në nëntor 1988, ku një modele mbante veshur një palë xhinse të lira e të dala boje, shoqëruar me një xhaketë 10.000 dollarëshe të Christian Lacroix. Modelja, Michaela Bercu, nuk vështronte nga aparati fotografik, ndërsa flokët thuajse ia kishin mbuluar fytyrën. Tani që Wintour-i është kthyer në një forcë mode, qarkullojnë lloj-lloj teorish pse pati zgjedhur atë kopertinë. Vetë Wintour-i thotë se nuk kishte asgjë të ndërlikuar në lidhje me këtë: thjesht ndjeva se “erërat e ndryshimit” po frynin përmes modës. Fotoja e zgjedhur nuk ishte planifikuar për në kopertinë. Madje më morën në telefon për t’u siguruar që ishte vërtet e duhura, ajo për në kopertinë. Por instikti e shtyu të mendonte, se kjo foto ishte më mirë se ajo që ishte planifikuar dhe funksionoi. Sa për historinë mbi marrëdhënien që gjoja i kishte siguruar punën, e shpërfilli, pasi kishte pasur mjaft histori të tjera që nga ajo kohë. E pyeta, për shembull, për atë javën e zjarrtë që ajo, siç qe përfolur shumë, kishte kaluar me Bob Marley-n, por përgjigja ishte e tipit: “S’e kam takuar kurrë Bob Marley-n, as edhe një herë”. “Historia juaj është në Wikipedia!” “As ia kam idenë nga ka dolë kjo!”
Kështu ndodh kur njerëzit shndërrohen në mite. Emri i Anna Wintour është bërë pjesë e legjendës së modës. Tek sa i drejtohesha konferencës në Yankee Stadium dhe gazetarët më mbytën me pyetje rreth saj, përshtypja që më la s’kishte të bënte aspak me veshjet, por me një lloj udhëheqësi krejt të veçantë.
Shkëputur nga libri “Fitimtarët”.