Përgatiti: Dr. Valbona Nathanaili

Në Angli, në periudhën 1960-1970, kemi një orientim të arsimit fillor drejt të mësuarit me qendër nxënësin, me synimin për t’u kujdesur për nevojat e ndryshme individuale të tyre, pavarësisht sfondit social apo aftësive personale. Avokatët e një filozofie të tillë argumentonin, se shqetësimi i arsimit nuk duhet të jenë vetëm arritjet akademike të nxënësve, por edhe zhvillimi social, emocional dhe fizik i tyre. Arsimi pretendohej të ishte faktori më i rëndësishëm në promovimin e barazive sociale, në vendosjen e harmonive raciale, në progresin e teknologjisë dhe begatinë e ekonomisë. Por faktori kryesor për zbatimin e filozofisë së të mësuarit me qendër nxënësin në shkollat fillore në sistemin shkollor të Anglisë është Raporti Plowden.

Pak histori

Më gusht 1963, Ministri i Arsimit të asaj kohe, Sir Edward Boyle, i kërkon Këshillit Qendror Këshillues për Arsimin (Angli) “të analizojë arsimin fillor në të gjitha aspektet e tij, përfshirë edhe mënyrat e problematikat e kalimit në arsimin e mesëm të ulët” dhe të përgatisë një raport, ku të paraqitet një tablo e përgjithshme e gjendjes së arsimit fillor. Kryetar i Këshillit në atë kohë është Bridget Plowden. Hartimi i raportit kërkoi 3 vjet dhe u angazhuan të gjithë inspektorët e arsimit fillor; u vizituan pothuaj të gjitha shkollat fillore; hartuesit e raportit u mbështetën në një varg provash të shumta, me shkrim dhe me gojë, grumbulluan fakte, anketuan opinione, bënë përgjithësime e gjykime dhe dhanë rekomandime. Ndonëse Këshilli nuk kishte mandat legjislativ, raporti ngjalli një interes të jashtëzakonshëm në politikë dhe publik, duke u etiketuar shpesh si ”revolucioni kulturor i viteve ’960”. Më 28 tetor 1966 Plowden paraqet raportin, hartuar nga grupi i punës, nën drejtimin e tij. Raporti shumë shpejt mori emrin e tij dhe njihet se “Raporti Plowden”.

Përmbajtja e raportit dhe ndikimi i tij

Në raport, ndërmjet  të tjerave theksohet se “thembra e progresit arsimor gjendet tek vetë fëmija” dhe, pak më tej pohon se “diferencat e gjetura ndërmjet fëmijëve të së njëjtës moshë janë aq të mëdha, sa edhe çdo klasë, sado homogjene që të duket, duhet trajtuar gjithmonë si një bashkësi fëmijësh që kanë nevojë për kujdes individual dhe të ndryshëm”, duke bërë në këtë mënyrë avokatin e vënies së individit në plan të parë, të mësimnxënies së pavarur dhe kurrikulës integruese, si dhe përfshirjen e shkollave sa më shumë në komunitetet e tyre. Dhe më e rëndësishmja është, se raporti jo vetëm që arrin të shohë me optimizëm të ardhmen e shoqërisë angleze, por di të vlerësojë mësuesit, shkollat dhe, mbi të gjitha nxënësit, për atë që kishin mundur të arrinin dhe për çfarë mund të arrinin në të ardhmen. Sipas raportit:

  • Shkolla nuk është thjesht dyqani ku “shitet” mësim. Shkolla transmeton vlera dhe sjellje; është komuniteti ku fëmijët mësojnë, për herë të parë dhe mbi të gjitha, si të jetojnë si fëmijë dhe jo si të rritur të ardhshëm. Në familje fëmijët mësojnë si të jetojnë me njerëz të të gjitha moshave. Shkolla krijon rregullat dhe mjetet që u sigurojnë fëmijëve mjedisin e përshtatshëm që u mundëson të jenë vetvetja dhe u lejon të zhvillohen në mënyrën dhe me ritmet e duhura; përpiqet të barazojë mundësitë dhe të kompensojë mungesat. Ajo i kushton një vëmendje të veçantë zbulimeve dhe përvojës individuale, si dhe punës krijuese; insiston se njohuritë nuk gjenden në domene të veçantë dhe se puna e loja nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, përkundrazi, plotësojnë njëra-tjetrën. Një fëmijë i rritur në një atmosferë të tillë në të gjitha fazat e arsimimit të tij na mbush me shpresën se do të bëhet një i rritur i matur dhe i ekuilibruar, i aftë për të jetuar, për të kontribuar dhe për ta parë shoqërinë me sy kritik, pjesë e së cilës ai është. Sigurisht që jo të gjitha shkollat fillore paraqesin një peizazh të tillë, por mund të themi se trendi i përgjithshëm është ky që sapo përshkruam.

Raporti rekomandon, që sa kohë përpiqemi të përgatisim fëmijët tanë për një shoqëri në ndryshim të vazhdueshëm dhe të shpejtë social-ekonomike, arsimi fillor duhet:

  • Të kujdeset për nevojat e ndryshme të fëmijëve, përfshirë edhe ata që janë pjesë e minoriteteve etnike, e grupeve me nevoja të veçanta apo edhe me aftësi të spikatura në fusha të caktuara
  • Të sigurojë një zhvillim të përgjithshëm dhe harmonik të individit
  • Të ketë në vëmendje se, përveç njohurive bazë në lexim, shkrim dhe aritmetikë, duhet të përftojë edhe aftësi të tjera, shumë të nevojshme për të jetuar një jetë të lumtur dhe të dobishme, si fëmijë dhe si i rritur
  • T’i kushtojë rëndësi të veçantë bashkëpunimit ndërmjet shkollës dhe shtëpisë, transmetimit të vlerave dhe mënyrave të të sjellit.

Raporti u prit me reagime të ashpra, përfshirë edhe Konservatorët, të cilët pretendonin se filozofia e mësimit me qendër nxënësin është një pengesë për rritjen ekonomike, se nuk lejon zhvillimin e aftësive të nevojshme për një ekonomi në ndryshim. Pavarësisht se raporti nuk arriti të vejë në lëvizje të gjithë mekanizmat  e duhur për të përshtatur këtë filozofi mësimi në të gjitha shkollat (deri më 1978 vetëm 5% e klasave në Angli kishin bërë të vetën mësimin me qendër nxënësin), është për t’u përshëndetur fakti që vlerat e shprehura në raport patën jehonë në mendimin pedagogjik të kohës, veçanërisht sepse detyruan specialistët e fushës të kthejnë sytë nga fëmijët me nevoja të veçanta dhe t’i fusin çështjet e tyre në agjendën e qeverisë.

“Forest School”, Walthamstow, South England, 2011

Në këtë periudhë, shpenzimet totale për arsimin fillor u rritën në terma realë me 54%; shpenzimet korrente reale për nxënës u rritën me 15% (periudha 1964-1974); raporti nxënës/mësues në Angli dhe Wale u përmirësua nga 1:28.3 në 1965 në 1:24.7 në 1974. Dhe, çfarë është më e rëndësishme: arriti të ushqejë shpresë, optimizëm e besim se arsimi fillor nuk do të jetë më “hirushja” e arsimit publik.