Intervistë me Amra Karini

Amra Karini është fituese e Vendit të Parë, për nivelin 2 (klasa XI) në Konkursin Kombëtar të Fizikës “Henrietta Leavitt” /2020

Shënim, Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Ka shumë përkufizime në lidhje me “çfarë do të thotë të jesh ekselent në shkollë”, por sado të ndryshme të jenë, të gjitha konvergjojnë në një pikë të përbashkët: nuk janë vetëm notat e larta! Ose thënë ndryshe, notat e larta janë kusht i mjaftueshëm për të qenë ekselent, por jo i domosdoshëm! Synimi është të ndryshojmë këtë lloj mendësie.

Notat kanë treguar që janë relative, sepse masin punën dhe jo pasionin. Praktika ka treguar se me mesatare të mirë bëhesh një burokrat i shkëlqyer, por rrallë nxitës i ndryshimit dhe akoma më rrallë shembull për t’u ndjekur. Zakonisht bullohen dhe fajin përsëri e ka shkolla – nëse duam të promovojmë ekselencën, na duhet t’u kërkojmë shkollave jo vetëm nxënësit me mesataren më të lartë. Na duhet t’u kërkojmë shkollave të na evidentojnë edhe nxënësit që mendojnë ndryshe, që përfshihen në aktivitete dhe kauza, që kanë synime e objektiva të qarta. Për këta lloj ekselentësh kemi më shumë nevojë!

Amra Karini është njëra nga pjesëmarrëset dhe fitueset e Konkursit të Fizikës që Fondacioni “Henrietta Leavitt” organizon për të dytin vit rresht. Amra Karini është ekselente!

  • Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Më përshkruaj, të lutem, veten!

Amra Karini:  Përshëndetje! Jam 18 vjeç dhe studioj në gjimnazin “Ismail Qemali”, Tiranë. Jam e prirur më shumë ndaj shkencave të sakta, kryesisht matematikë dhe fizikë. Në kohën e lirë më pëlqen të lexoj dhe të praktikohem në piano.

  • Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Pse vendosët të merrni pjesë në konkurs?

Amra Karini:  Mendova se ky konkurs do të ishte një eksperience e mirë  për mua, sikundër do më ndihmonte të vlerësoja më mirë aftësitë dhe njohuritë në lëndën e fizikës.

  • Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Fizika është lëndë që mësohet se duhet mesatare e mirë, apo është pjesë e pasionit a hobit tuaj?

Amra Karini:  Në fillim fizika ka qenë thjesht një lëndë që më duhej për mesataren, por me kalimin e kohës filloi të më tërheqë gjithnjë e më shumë. Jam kureshtare dhe fizika është lënda e duhur për t’u dhënë përgjigje shumë pyetjeve që kam për natyrën dhe në përgjithësi për botën përreth. Kërkoj shpjegim për çdo gjë që nuk kuptoj. Fizika ma mundëson! Jam e kënaqur.

  • Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Në studimin e fizikës, mjaftoheni vetëm me tekstin e shkollës, apo përdorni edhe tekste e libra të tjerë? Nëse po, mund të referoni ndonjë autor, librat e të cilit i keni përdorur më shumë?

Amra Karini:  Bazën teorike dhe ushtrimet i marr nga librat shkollore. Kur dua të ushtrohem me problema më të vështira ose të di teori të cilat libri shkollor nuk i ka, i drejtohem internetit dhe librave të tjerë. Sa për autorë, nuk mund të them emër specifik, sepse nuk jam fokusuar vetëm në një libër.

  • Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Në çfarë dege mendoni të vazhdoni studimet?

Amra Karini: Nuk e kam vendosur akoma saktësisht, por e di që do jetë një degë e informatikës, ku lëndët e fizikës dhe të matematikës janë pjesë e formimit. Gjithsesi, po i mendoj të gjitha mundësitë. Kam edhe pak kohë!

  • Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Fitimi i një çmimi në një konkurs kombëtar fizike është një arritje e madhe. Cili është hapi i radhës për të certifikuar arritjet tuaja? Ndonjë projekt i ri, angazhim, ese…

Amra Karini: Akoma nuk e kam vendosur se cili do të jetë angazhimi i radhës në fushën e fizikës, por besoj se fondacioni është vendi i duhur ku mund të kërkoj informacion më të zgjeruar. Sa i përket fushave të tjera, do jetë ndonjë projekt jashtëshkollor ose punë vullnetare.

  • Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Kë dëshironi të falënderoni për arritjet e juaja

Amra Karini: Fillimisht dua të falënderoj familjen time, sepse kanë qenë dhe janë mbështetja ime më e madhe. Jam shumë krenare që besojnë te mua. Dua të falënderoj edhe mësuesit e mi, që kanë pasur durimin dhe dëshirën për të më ndihmuar.

  • Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Çfarë do u këshillonit moshatarëve tuaj që ndoshta dëshirojnë të realizojnë të njëjtën ëndërr?

Amra Karini:  Të kenë gjithmonë besim te vetja! Dhe akoma më e rëndësishme: të mos kenë frikë nga dështimet, por t’i shohin si mundësi për të përmirësuar vetveten.

  • Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Konkursi u zhvillua në situatën e pandemisë COVID-19. Ju, ndërkohë, keni filluar shkollën sipas protokolleve të vendosur nga Ministria e Arsimit. Ndërsa vitin e mëparshëm shkollor e mbyllët duke zhvilluar mësim on-line. Çfarë dëshironi të ndani me lexuesin për këto dy periudha (për orientim: ngjarje të veçanta, vlerësime për shkollën dhe mënyrën e zhvillimit të mësimit, marrëdhëniet që keni pasur në periudhën e izolimit me bashkëmoshatarët dhe pjesëtarët e familjes, vështirësitë që keni hasur ose mund të keni tani etj.)

Amra Karini: Ne fillim nuk ka qenë e lehtë, sepse nuk ishim mësuar të komunikonim në atë mënyrë dhe situata e izolimit total na e bënte edhe më të vështirë. Ndërveprimi me mësuesit dhe me njëri-tjetrin ishte përtej normales sonë, ose më mirë  asaj që ishim mësuar të quanim normal. Por mund të them që u familjarizuam shpejt me platformat shkollore. Për më tepër, edhe mësuesit ishin shumë mirëkuptues. Ndërsa këtë vit shkollor mendoj se është gjetur balanca. Mjedisi shkollor na bën të jemi më aktiv dhe kohëzgjatja e orës së mësimit lejon që mësuesit të na shpjegojnë çdo paqartësi. Ishte një mësim i mirë, pasi më në fund u bë e qartë që teknologjia mund dhe duhet të jetë pjesë e sistemit shkollor, si në situatë normale, ashtu edhe në situatë anormale si kjo e pandemisë.

Në fund të kësaj interviste desha të falënderoj edhe një herë fondacionin “Henrietta Leavitt” për mundësinë e krijuar.