Intervistë me Valbona Nathanaili rreth librit “Ambasadorët tanë. Pikëtakime të diplomacisë me krijimtarinë”. Vëllimi I
Të dhëna për librin: “Ambasadorët tanë. Pikëtakime të diplomacisë me krijimtarinë”. Vëllimi I (2014) Autor Valbona Nathanaili / Me parathënie nga Ylljet Aliçkaj / Botues UET Press / ISBN 9789928190062/ 158 f. / Me lidhje të fortë / Çmimi 2000 lekë
Pse kjo temë kërkonte vëmendje për t’u bërë subjekt në një libër?
Valbona Nathanaili: Praktikat diplomatike të shumë shteteve në botë njohin emërimin e Ambasadorëve nga fusha e krijimtarisë. Sikundër edhe fenomenin e anasjelltë: duke qenë në shërbim, përfaqësuesit diplomatikë kanë trendin të shkruajnë rreth përvojave të tyre, shpesh në mënyrë artistike, ose të ndajnë me publikun kujtimet. Edhe vendi ynë nuk i ka shpëtuar këtij trendi. Në fakt është ambicie e madhe të synosh të paraqitësh në një libër të gjithë ambasadorët krijues shqiptarë. Në këtë botim ne do përpiqemi të krijojmë traditën, ose të shtrojmë shinat e dokumentimit dhe paraqitjes të veprimtarisë së tyre, duke zgjedhur disa, mbi bazën edhe të dy parimeve të tjera: koha e shërbimit dhe gjeografia e vendit ku kanë qenë. Synimi është të jemi sa më përfshirës, sikundër edhe të identifikojmë dhe analizojmë rolin që kanë luajtur personazhe të tillë, shpesh i panjohur për publikun e gjerë. Me këtë rast, dua të shpreh falënderimet për Ministrinë e Kulturës që mbështet shtypjen e librit.
Çfarë përmban ky botim?
Valbona Nathanaili Synimi është hulumtimi në fushën e diplomacisë shqiptare dhe identifikimi i kontributeve të atij grupi përfaqësuesish të shtetit shqiptar në botë që kanë ditur të gërshetojnë diplomacinë me kulturën, detyrën me pasionin krijues, përgjegjësinë me përkushtimin ndaj fjalës së shkruar dhe t’i paraqesim në një dritë të re. Pse jo, hapja edhe e një debati rishqyrtues dhe vlerësues të diplomacisë shqiptare ndër vite.
Në libër gërshetohen veprimtaria konkrete e ambasadorit në vendin e atashuar me veprimtarinë krijuese, si dhe sa e si kjo veprimtari – nëse po – e ka ndihmuar në promovimin e vendit, të vlerave dhe të kulturës, ose në zgjidhjen e çështjeve specifike.
Pjesë e paraqitjes është edhe vendi ku ka shërbyer, me veçoritë politike e shoqërore të periudhës kur Ambasadori ka qenë me shërbim. Detaje të tjerë që gjeni në libër lidhen edhe me faktin se sa parametrat striktë të diplomacisë i kanë penguar ose jo për të qenë pjesë e aktiviteteve të ndryshme kulturore; ose sa kanë ndikuar njohjet e rrjetet sociale që kanë pasur, falë krijimtarisë, në emërimin në postin e ambasadorit, pasi një pjesë e mirë nuk kanë qenë ambasadorë karriere; gjuhët e huaja që zotërojnë; librat që kanë shkruar; nëse fakti që kanë qenë shkrimtarë, autorë librash ose përkthyes i ka ndihmuar për të realizuar takime, pavarësisht rrethanave politike apo vështirësive politike, ose që në rrethana të tjera do kishte qenë e pamundur, për të qenë pjesë e rretheve intelektuale të vendit, për të ndikuar pozitivisht në qarqe vendimmarrjeje në të mirë të Shqipërisë etj.
Pra, për secilin nga emrat e zgjedhur, është krijuar një portofol, i cili i paraqitet lexuesit shqiptar jo vetëm në një formatim të bukur, por mbi të gjitha në mënyrë korrekte. Puna ka qenë më pak e vështirë për ata personazhe që nuk jetonin më, por mendoj se janë shfrytëzuar në maksimun të gjitha burimet që janë në qarkullim, me shpresën që në një botim të dytë do mund të paraqesim edhe fakte a copëza të reja historie, ose edhe plotësimi me emra të rinj.
Libri “Ambasadorët tanë. Pikëtakime të diplomacisë me krijimtarinë” plotëson një mungesë në bibliografinë shqip. Të gjitha “copëzat” e jetës dhe veprimtarisë së ambasadorëve tanë krijues janë një mundësi e mirë për të njohur, në mënyrë të tërthortë, jo vetëm historinë e vendit, por edhe atë të vendeve të tjera, sikundër mund të shërbejnë edhe si referencë për të njohur kontekstin politik e social të vendit. Nëse do më duhej të bëja katalogimin e librit, do thosha se është një ndërthurje e historisë me letërsinë, e politikës me shkencat sociale, një hapësirë ku priten vende e kultura të ndryshme.