Autorë Steven Levitsky & Daniel Ziblatt / Shkëputur nga libri: Si vdesin demokracitë. E ardhmja jonë, rrëfyer nga historia Pema: Prishtinë, Kosovë
Shqip: Valbona Nathanaili
Më 30 tetor 1922, ora 10:55, mëngjes, Benito Musolini hynte në Romë, pas një marshimi të gjatë dhe të pagjumë nga Milano. Në kryeqytet e priste Mbreti, që e kishte ftuar të krijonte qeverinë e re dhe të merrte drejtimin e saj. Shoqëruar nga një grup i vogël rojash, ndalesën e parë Musolini e bën në hotel “Savoia” dhe, më pas, veshur në një kostum të zi, xhaketë të zezë dhe një kapelë republike po të zezë, në kombinim perfekt me kostumin, i drejtohet triumfalisht Kuirinales, selisë së Mbretit. Në atë kohë Roma ziente nga thashethemet e trazirave. Bandat e fashistëve, pjesa më e madhe në uniforma krejtësisht të ndryshme, mbushnin rrugët e qytetit. Musolini, i ndërgjegjshëm për pushtetin e spektaklit, pasi përshkroi me një ecje madhështore dyshemenë prej mermeri të pallatit rezidencial të mbretit, përshëndeti dhe iu drejtua: “Madhëri, ndjesë për paraqitjen, por vi direkt nga fusha e betejës”.

Ky ishte fillimi i “Marshimit legjendar në Romë”. Imazhi i turmave veshur në këmisha të zeza që kalonin Rubikonin për ta marrë pushtetin mbi një Itali liberale, u shndërrua në kanonin fashist, shfaqur e rishfaqur në festat kombëtare dhe shkruar e rishkruar në tekstet shkollore të historisë përgjatë viteve 1920 dhe 1930. Sigurisht që roli i Musolinit në shumëfishimin e kësaj legjende ka qenë i jashtëzakonshëm. Në fakt, Musolini kishte parashikuar, fillimisht, të zbrisnin në stacionin e fundit të trenit, sepse hyrja në Romë duhej të bëhej hipur në kuaj, rrethuar nga rojat e tij. Ndonëse e braktisi këtë plan, në vijim ai investoi shumë sipas historive që tregonte po vetë në lindjen e legjendës së ngritjes në pushtet dhe të agimit të epokës së re fashiste, me forcën e “revolucionit” dhe “të veprimeve të dhunshme”.
E vërteta është më shumë se e rëndomtë. Grushti i njerëzve veshur në këmisha të zeza që rrethonin Musolinin, shpesh i paushqyer dhe i paarmatosur, arriti vetëm pas marrjes së ftesës për t’u bërë kryeministri i vendit. Skuadronet e fashistëve që rrethonin vendin vërtet ishin shndërruar në kërcënim, por makinacionet e Musolinit për të ardhur në krye të pushtetit nuk kishin asgjë të përbashkët me revolucionin. Musolini arriti të kombinojë, në mënyrë të shkëlqyer, votat e 35 deputetëve të tij (nga 355), përçarjet në radhët e politikanëve të afirmuar dhe kërcënimin me dhunën e 30,000 këmishëzinjve, për ta tërhequr vëmendjen e mbretit të ndrojtur Viktor Emanueli III, i cili pa te Musolini yllin e ri në ngjitje të politikës dhe një mjet për t’i neutralizuar trazirat.
Me rivendosjen e rendit politik dhe zmbrapsjen e socializmit, falë emërimit të Musolinit, tregu italian i bursës njeh vetëm ngritje. Burrat më të vjetër të shtetit, themeluesit e shtetit italian liberal, si Xhovani Xhioliti dhe Antonio Salandra, u detyruan ta duartrokisnin kthimin për mirë të ngjarjeve. Ata filluan ta konsiderojnë Musolinin si një aleat të dobishëm. Por pa asnjë dallim nga kali në fabulën e Ezopit, shumë shpejt Italia do ta gjente veten nën “kapistall dhe mamuze”.
Në këto njëqind vitet e fundit, versione të ndryshme të së njëjtës histori mund të thuhet se kanë përsëritur vetveten në të gjithë botën. Një kast politikanësh që erdhi nga jashtë radhëve të saj, si Adolf Hitler, Getúlio Vargas në Brazil, Alberto Fujimori në Peru dhe Hugo Çavez në Venezuelë, doli në krye të pushtetit pothuaj sipas së njëjtës trajektore: nëpërmjet zgjedhjeve, ose aleancave me figura të fuqishme politike. Dhe në secilin rast, në mënyrë të ngjashme, elitat e vendit kanë besuar se ftesa për pushtet do të mund ta përmbante të huajin, sikundër do u shërbente për t’i rivendosur nën kontroll politikanët e zakonshëm. Dhe në secilin rast, planet e tyre kanë dështuar. Përzierja vdekjeprurëse e ambicies, me frikën dhe llogaritë e bëra keq kanë precipituar në të njëjtat gabime me pasoja fatale: dorëzimin, me vullnet të plotë, të çelësave të pushtetit në duart e autokratëve të së nesërmes.
***
Pse burrat e shtetit, të staxhionuar në punët e pushtetit, bëjnë gabime të tilla? Për ta shpjeguar këtë, duhet të shtojmë se arsyet shkojnë përtej atyre që duken, ose të çastit. Le ta marrim ardhjen në pushtet të Adolf Hitlerit, që ligjërisht mund të thuhet se u vulos në janar të vitit 1933. Kapaciteti i tij për veprime të dhunshme evidentohet shumë kohë më përpara dhe kulmon me Puçin e Sallës së Birrës. Në vitin 1923 Hitleri u përpoq, nëpërmjet një grupi besnikësh dhe në përparësinë që të jep elementi surprizë, të godiste dhe ta merrte kontrollin e disa ndërtesave qeveritare, duke ua drejtuar grykat e pistoletave, në mbrëmje vonë, zyrtarëve bavarezë që ishin mbledhur në mbrëmje për të festuar me birrë. Por për shkak të keqplanifikimit, sulmi u ndal nga autoritetet, ndërsa vetë Hitleri u izolua, në burg, për nëntë muaj, ku shkroi testamentin personal të famshëm, Mein Kampf. Gjithsesi, më pas Hitleri u angazhua, publikisht, se çdo lloj pushteti që do të pretendonte në të ardhmen, do ta merrte vetëm nëpërmjet zgjedhjeve. Fillimisht, Lëvizja Socialiste Kombëtare e tij mori vetëm pak vota. Sistemi politik i Wiemar-it ishte themeluar që në vitin 1919, nga një koalicion pro-demokratik i katolikëve, liberalëve dhe socialdemokratëve. Por në fillimvitet 1930, ekonomia gjermane pëson lëkundje të fuqishme. Si pasojë, politika e qendrës së djathtë bie pre e luftërave të brendshme, gjë që mundëson rritjen e popullaritetit për ekstremistët – komunistët dhe nazistët.
Qeveria e zgjedhur rrëzohet në mars të vitit 1930, duke e bërë dhimbjen e “Depresionit të Madh” edhe më të thellë. Me lëvizjet e qëllimshme të politikës për të bllokuar çdo nismë të qeverisë, presidenti kukull, heroi i Luftës së Parë Botërore, Paul von Hindenburg, shfrytëzon autoritetin që i jepte një nen i kushtetutës nëse në rrethana të jashtëzakonshme parlamenti dështonte në formimin e shumicës qeverisëse për t’ia kaluar drejtimin e vendit kancelarëve të pazgjedhur, emëruar nga ai, si kryetar i shtetit. Synimi i këtyre kancelarëve të pazgjedhur dhe i presidentit ishte jo vetëm vijimi i qeverisjes së vendit, por edhe lënia mënjanë skenës politike e ekstremistëve të djathtë dhe të majtë. I pari që e provon është Henrik Brüning, ekonomist, që në spektrin e politikës rreshtohet në grupimin e qendrës (i cili më vonë do të largohej nga Gjermania për t’u bërë profesor në Universitetin e Harvardit), por dështon në përpjekjet për ta rivendosur rritjen e ekonomisë, ndonëse duhet theksuar që koha gjatë së cilës ai qëndroi në postin e kancelarit ishte e shkurtër. Presidenti von Hindenburg i kthen sytë nga fisniku Franz von Papen dhe, në rritjen e dëshpërimit për mosgjetjen e zgjidhjeve, më pas edhe te miku i ngushtë, njëherazi rivali i von Papenit, ish-ministri i Mbrojtjes, gjeneral Kurt von Shlahiër. Por duke mos pasur shumicën parlamentare në Rajshtag, ngërçi qeverisës vazhdon ta ruajë status quo-në. Për arsye plotësisht të justifikueshme, drejtuesit e vendit u tremben zgjedhjeve të radhës.
Të bindur se në fund të fundit “diçka do të gjendej”, një intrigë e thurur nga bashkëpunimi i konservatorëve rivalë në janar të vitit 1933, konkludon me gjetjen e zgjidhjes dhe propozimin: qeverisja e vendit i duhet besuar një të jashtmi nga radhët e politikës, një njeriu popullor. Sepse sado ta përçmonin, e dinin se turma nuk u shkonte më pas. Dhe, përpos të gjithave, mendonin se kushdo që të ishte ky i jashtëm, do ishin në gjendje ta kontrollonin.
Më 30 janar 1933, von Papen, një nga arkitektët e këtij plani, përpiqet t’i qetësojë gjakrat e ndezura për bastin që po vihej duke caktuar Adolf Hitlerin si kancelar në shpresën e zgjidhjes së krizës gjermane, me fjalët bindëse: “E kemi caktuar që të punojë për ne… Brenda dy muajsh, do e kemi shtyrë aq tutje [atë], sa do të jetë duke angullitur si qeni në qoshe”. Vështirë të përfytyrosh hesape që të jenë llogaritur më keq se në këtë rast!
Përvojat italiane dhe gjermane nxjerrin në pah tipin e “aleancës fatale”, që shërben shpesh për t’u dhënë pushtet autokratëve. Në çdo demokraci, vjen një kohë që politikanëve u duhet të përballen me sfida të ashpra. Krizat ekonomike, rritja e pakënaqësisë së publikut dhe rënia e autoritetit të partive politike kryesore kalojnë në sitën e gjykimit edhe politikanët më me përvojë. Nëse në skenën politike shfaqet një i jashtëm, karizmatik dhe me popullaritet, i aftë ta sfidojë politikën e deriatëhershme, për politikanët e karrierës që ndiejnë se po humbasin kontrollin, tundimi për ta provuar bashkëpunimin me të është shumë i madh. Nga ana tjetër, nëse një nga politikanët e karrierës thyen radhët dhe u bashkohet turmave, përpara se ta bëjnë rivalët e tij, ai mund ta përdorë energjinë dhe bazën e të jashtme për t’ua hedhur kolegëve të tij. Por në të dyja rastet, shpresa e politikanëve të karrierës është që gjithçka të zhvillohet në mënyrë të tillë, që të jetë mbështetje për programin e tyre.
Ky lloj pazari me djallin shpesh degjeneron në interes të të jashtmit rebel, sepse aleanca i siguron kushtet e mjaftueshme për t’u ndier legjitim në pushtetin e pretenduar. Në Itali, në fillimvitet 1920, rendi i vjetër liberal po shkërmoqej nën trysninë e grevave në rritje dhe trazirave sociale. Dështimi i partive tradicionale në fortifikimin e një shumice parlamentare, e detyroi kryeministrin e vjetër, Xhovani Xhiolitin, zgjedhur për herë të pestë në atë post, që në një gjendje dëshpërimi dhe kundër dëshirës së këshilltarëve të tij, të thërriste zgjedhjet e parakohshme në mars të vitit 1921. Me synimin për të tërhequr pas vetes masat fashiste, Giolitti vendosi t’i ofrojë lëvizjes gjithnjë në rritje të Musolinit një vend në grupimin e tij elektoral, që njihej me emrin “blloku borgjez”, një bashkim i nacionalistëve, fashistëve dhe liberalëve. Por kjo strategji dështoi: blloku borgjez fitoi më pak se 20% të votave, duke e detyruar Giolitti-n të japë dorëheqje. Por kjo biletë lotarie i dha Musolinit dhe grupit të tij të padëshiruar, legjitimitetin që u duhej për t’u ngritur.
Foto kryesore: https://www.stmuhistorymedia.org/mussolinis-menacing-march-on-rome/