Çfarë bëjnë njerëzit dhe si sillen me njeri-tjetri, si i formojnë grupet dhe bashkohen për një qëllim të përbashkët? Këto janë disa nga pyetjet e rëndësishme të Sociologjisë. Fillimisht, dimë se popullsia shtohet nga dy faktorë: lindja dhe emigrimi. Mënyra më e mirë për të zbuluar se cilat janë aktivitetet praktike të rëndësishme njerëzore është vëzhgimi. Në rrjedhojë, ne do e kufizojmë vëzhgimin në dy grupet e mësipërm:

  • fëmijët, cilat janë gjërat për të cilat interesohen dhe mësojnë të bëjnë, ndërkohë që rriten.
  • emigrantët, cilat janë gjërat për të cilat interesohen dhe mësojnë të përshtaten, në kushtet e vendit të tyre adoptues.
  1. Vlerësimi dhe fëmija

Vitet e para të jetës së një fëmije janë të mbushura, kryesisht, me njohjen e njerëzve dhe të gjërave, si dhe me përcaktimin e preferencave, që do të thotë, me pëlqimet dhe mospëlqimet. Megjithatë, fëmija nuk mësohet me botën në të cilën ka lindur, duke mësuar për njerëzit dhe gjërat në një mënyrë jodiskriminuese. Që në fillim të jetës, fëmija përjeton eksperienca me objekte dhe gjëra të gjalla ose jo të gjalla, por disa eksperienca përsëriten kaq shpesh saqë ai familjarizohet shumë me këto grupime gjërash të botës së jashtme, shumë më herët se të mësojë për gjërat e tjera. Grupi i gjërave me të cilat ai ka eksperienca më të shpeshta dhe që mëson t’i njohë mirë përbëhet nga ato qenie të gjalla, të cilat ndodhen pranë tij dhe që zakonisht kanë lidhje gjaku me të. Nëna, babai, motrat dhe vëllezërit janë ata që njeh më mirë, sesa çdo klasë tjetër objektesh në botë. Fëmija jo vetëm i njeh më mirë ata, por edhe shqetësohet më shumë për ta. Sado i dhënë të jetë pas lodrave dhe objekteve të tjera në shtëpi, të cilat edhe e argëtojnë, është gati t’i lërë të gjitha dhe të shkojë tek nëna në këmbim të dashurisë dhe përkëdheljeve, apo tek vëllezërit dhe motrat për të luajtur.

Gjëja tjetër që fëmija mëson të njohë shumë mirë pas të afërmve të tij të gjakut, janë qeniet e tjera njerëzore, të cilat herë pas here vizitojnë shtëpinë. Midis këtyre qenieve njerëzore, bën diskriminim e pëlqimit dhe mospëlqimit – zakonisht, duke i treguar preferencat e tij me shumë forcë. Me disa të huaj afrohet lehtësisht, duke treguar një gatishmëri të plotë për t’i futur brenda rrethit të tij të shokëve, ndërsa të tjerë nuk i përfill fare. Vetëm pasi janë vendosur këto klasifikime preferencash për njohjet njerëzore, fëmija fillon të njohë me përpikëri dhe me detaje botën inorganike, e cila është shumë e ndryshme. Në fakt, shumica e njerëzve nuk arrijnë ta njohin kurrë botën inorganike me atë përpikëri që njohin njerëzit. Të vërtetat e mëdha të natyrës njerëzore kanë qenë gjëra të zakonshme të filozofisë popullore për shekuj me radhë, përpara se njerëzimi të kishte një njohuri të saktë për përbërjen materiale të botës inorganike. Gjatë viteve kur fëmija është ende i papjekur, i mendon objektet e pajeta si qenie të ngjashme me veten. Ai flet me to, mërzitet me to, apo i miraton, ashtu siç do të bënte me një shok.

Vlerësimi dhe emigranti

  • Po me emigrantin çfarë ndodh? Eksperiencat e tij të para në tokën e re që ka zgjedhur janë shumë interesante, ashtu si eksperiencat e para në këtë botë të fëmijës. Ashtu si fëmija, emigranti në fillim mëson të njohë mirë dhe tregon pëlqim të dukshëm për ato qenie njerëzore të cilat i përkasin llojit të tij. Ai shoqërohet me njerëz që kanë të njëjtën kombësi dhe gjuhë me të dhe që kanë ardhur në tokën e re para tij, por që nuk e kanë harruar ende gjuhën amtare apo idetë dhe zakonet e atdheut. Me këta njerëz, emigranti ndjehet si në shtëpi dhe për një kohë të gjatë ai do të ngurrojë që të shkëputet nga mikpritja dhe ndikimi i tyre. Megjithatë, pak nga pak, fillon të njihet me burrat dhe gratë e kombësisë dhe gjuhës tjetër, pra me banorët vendas të këtij shteti. Ai vëren se zakonet dhe idetë e tyre janë të ndryshme nga zakonet dhe idetë e tij, por gradualisht mësohet me to dhe në mendjen e tij fillon të përcaktojë pëlqimet dhe mospëlqimet kundrejt këtyre njohjeve të reja dhe mënyrave të tyre. Së fundmi, emigranti fillon të familjarizohet me vetë vendin e ri, me rezervat e tij, produktet, detajet e gjeografisë së tij, hekurudhën, ndërtesat dhe makineritë. Gjithsesi, ka shumë mundësi që ai të mos ta njohë kurrë mirë këtë grup të fundit faktesh.

Si rrjedhim, si fëmija ashtu dhe emigranti kuptojnë se detyra e tyre e parë është të mësohen me botën në të cilën po jetojnë. Ky proces i të mësuarit është pjesërisht mendor dhe konsiston, pjesërisht, në marrjen e njohurive, por përfshin gjithashtu diçka tjetër. Me njohurinë përzihet dhe një sasi e konsiderueshme preference, pëlqimi dhe mospëlqimi. Çdo mësimi të ri i caktohet edhe njëfarë preference. E thënë ndryshe, gjithkush dhe gjithçka që futet në rrethin e njohjes, vlerësohet dhe i caktohet një vend i veçantë në një masë vlerash. Ky proces mendor në të cilin kombinohen njohuria, preferencat dhe vlerat, mund të quhet vlerësim. Ky nuk është ai vlerësim kritik të cilin e shohim tek artisti, poeti apo njeriu shkencor dhe për të cilin do të themi më shumë, pak më vonë. Por është një vlerësim i fortë, paraprak dhe i dobishëm i cili i shërben gjithkujt si një guidë mendore për qëllimet e jetës së përditshme.

2. Përdorimi dhe fëmija

Interesi i dytë që shfaqet në jetën e fëmijës ka të bëjë me shfrytëzimet që mund t’i bëjë objekteve dhe personave. Sapo fëmija mëson për objektet dhe njerëzit, u referohet me shkallë të ndryshme pëlqimi apo miratimi, si dhe fillon të eksperimentojë me to; përpiqet të kuptojë se ç’mund të bëjë me secilin prej këtyre objekteve të reja që bie në kontakt. Këto eksperimente përfundojnë në forma të ndryshme suksesi – një sasi e madhe gjërash, të cilat i përdor për të luajtur si të dojë. Të tjerat i rezistojnë përpjekjeve të tij dhe i shkaktojnë zhgënjimin e një përpjekjeje të çuar dëm. Kryesisht, fëmija kupton se mund ta ushtrojë vullnetin më me sukses tek ai grup gjërash, të cilat kanë qenë të fundit që ka mësuar të vlerësojë: konkretisht, objektet e pajetë që ngjajnë më pak me të; kupton gjithashtu, se përpjekjet e tij për të kontrolluar, përshtatur dhe përdorur, janë më pak të suksesshme kur përdoren ndaj atyre objekteve të cilat kanë qenë të parat që ka mësuar të vlerësojë, konkretisht, personat e llojit të tij, të cilët ngjajnë më shumë me të.

Përdorimi dhe emigranti

  • Emigranti vjen në një vend të ri me zakonet tashmë të mësuara të kontrollimit dhe të shfrytëzimit të gjërave që e rrethojnë. Por gjithsesi, ndërmjet eksperiencave të tij më të hershme në shtëpinë e re janë ato të rënies në kontakt me objekte dhe rrethana të reja, të cilat më përpara vetëm i hamendësonte ose i imagjinonte. Sapo ai i mëson këto gjëra të reja dhe i referohet atyre me shkallë të ndryshme pëlqimi ose mospëlqimi, vepron pikërisht në të njëjtën mënyrë  që vepron dhe fëmija në perspektivën e tij për botën e re. Ai bën eksperimente të shumta me gjërat e reja që e rrethojnë dhe rrethanat e reja në të cilat ndodhet. Atij i ofrohen lloje të reja ushqimi dhe ai i provon ato. Rrobat e reja i tërheqin vëmendjen dhe ai i provon ato, gjithashtu. Po ashtu, i ofrohen mënyra të reja argëtimi dhe forma të reja punësimi, me shumë prej të cilave ai eksperimenton me të njëjtën këmbëngulje dhe paqëndrueshmëri që provon dhe fëmija lodrat e tij.

Të gjitha këto eksperimente si të fëmijës ashtu dhe të emigrantit kanë një karakteristikë të përbashkët: ato janë përpjekje për të përdorur botën e jashtme, për t’u përshtatur me ato gjëra që janë pjesë e synimeve të tyre, për t’i kontrolluar dhe për t’i përdorur në atë mënyrë që u pëlqejnë vetë njerëzve. Procesi i përpjekjes për të kontrolluar, përshtatur dhe shfrytëzuar gjërat e botës së jashtme quhet përdorim.

  1. Karakterizimi dhe fëmija e emigranti

Pak më sipër u tha se përpjekjet e fëmijës për të shfrytëzuar gjërat dhe personat janë ndonjëherë, jo të suksesshme. Zhgënjime të shumta i paraprijnë eksperimenteve të tij të para me objektet të cilat përbëjnë botën e tij të vogël. Në një kuptim më të gjerë kjo vlen edhe për përpjekjet e para të emigrantit për të përvetësuar dhe gëzuar gjërat dhe objektet e reja midis të cilave ai gjendet në botën e re. Ai përballet me shumë zhgënjime, dështon në shumë sipërmarrje, shpeshherë është i detyruar të braktisë planet e zellshme dhe të krijojë plane të reja që i përshtaten më mirë rrethanave të situatës së tij.

Këto dështime dhe zhgënjime, si për fëmijën apo emigrantin, kanë disa pasoja me një rëndësi të veçantë. Ato ndikojnë në karakterin e personit që ka dështuar apo është zhgënjyer. Nëse ai është i dobët moralisht dhe ka një vullnet të dobët, ai mund të dekurajohet dhe mund të dështojë në gjithçka tjetër që provon gjatë jetës së tij. Por nëse ai është i fortë, i vendosur dhe i shkathët, eksperiencat e tij do të kenë një ndikim të ndryshëm. Dështimi e forcon vendosmërinë e tij për të provuar përsëri. Suksesi i paarritur e bën atë të reflektojë mbi shkaqet e dështimit të tij dhe të gjejë se si mund t’ia arrijë qëllimit herën tjetër. Si rezultat i përpjekjeve të dështuara për të ndryshuar dhe për t’u përshtatur ndaj gjërave që e rrethojnë, ai ndryshon si moralisht ashtu dhe mendërisht. Ndërkohë që përpiqet që t’ia përshtatë botën vetes, ai fillon që të përshtatet edhe vetë ndaj botës. Ai mëson të jetë këmbëngulës, të kontrollojë temperamentin e tij, ta përballojë zhgënjimin me guxim dhe të jetë gjithmonë gati që ta braktisë një plan jo të përkryer dhe ta zëvendësojë atë me një tjetër, i cili premton rezultate më të mira. Të gjitha këto janë ndryshime në karakterin e tij. Ky lloj aktiviteti, i cili konsiston në ndryshimin e karakterit të një personi për ta bërë atë gjithmonë e më të përshtatshëm ndaj llojit të botës në të cilën jeton, mund ta quajmë karakterizim.

  1. Shoqërizimi dhe fëmija

Kur fëmija zhgënjehet kupton se po bën gjëra shumë të vështira ose shumë të komplikuara për kapacitetin që ka, dhe kërkon ngushëllim, ndihmë apo këshillë, tek ata persona të afërm, të cilët gjatë procesit të vlerësimit ka mësuar t’i dojë dhe t’u besojë para të tjerëve. Edhe pse gjatë përpjekjeve për të shfrytëzuar dhe kontrolluar objektet që e rrethojnë ai ka mësuar se nuk mund të bëj siç do ai me njerëzit e tij të afërm, tani ai zbulon se ata janë gjithmonë gati që ta ndihmojnë dhe ta këshillojnë atë në momente të vështira. Duke u mbështetur tek ky zbulim, ai fillon ta zgjerojë dhe ta kultivojë njohjen e tij tek një interes dhe një qëllim të ri. Motivi i tij nuk është më thjesht një kuriozitet për të ditur dhe një instinkt preferencash. Është një dëshirë për mirëkuptim dhe për ndihmë. Pak më vonë, kur ai të ketë kaluar nga jeta në shtëpi, në një rreth më të gjerë, siç është shkolla dhe shokët e klasës, ai do të vazhdojë të përzgjedhë personat dhe shokët me të cilët do të krijojë njohje. Zhvillimi i këtyre marrëdhënieve shoqërore është kthyer në një interes të madh të proceseve të tij ditore.

Shoqërizimi dhe emigranti

  • Në mënyrë të ngjashme janë dhe eksperiencat e emigrantit në tokën e re, në të cilën ai jeton. Edhe ai, kur pëson një zhgënjim, kërkon përkrahje dhe ndihmë nga grupi i vogël i bashkështetasve të tij, tek të cilët ai ka besim dhe të cilët e kuptojnë atë. Ata mund ta ndihmojnë atë për shqetësimin ose ta këshillojnë atë për pështjellimin që ai ka. Ai mëson, gradualisht, se rrethi i miqve që mund ta ndihmojnë mund të zgjerohet. Ai po njihet me njerëz të një kombësie të ndryshme. Ai po fiton nga ta mundësi për punësim dhe zbulon se mes tyre mund të gjejë miq të mirë dhe besnikë. Pak nga pak, ai e zgjeron rrethin duke i mundësuar vetes, si njohjen me karakteret, zakonet dhe mendimet e njerëzve që e rrethojnë, ashtu dhe duke e shtyrë veten që të përshtatet sa më shumë me ta, në mënyrë që të bëhet i pranueshëm për ta, si bashkëqytetarët e tij. Në këtë mënyrë, me kalimin e kohës, ai i ka zgjeruar marrëdhëniet e tij shoqërore deri në pikën ku ato prekin aktivitetet e biznesit, politikës, fesë dhe edukimit në vendin e tij të ri.

Shkëputur nga libri “Elementet e sociologjisë”/ Autor Franklin Henry Giddings