• Hyrje Për librin “Si vdesin demokracite” Nga Steven Levitsky, Daniel Ziblatt 
  • Përktheu: Dr. Valbona Nathanaili /Botues: Pema, Prishtinë

A është demokracia jonë në rrezik? Në fakt, është një pyetje që nuk e kemi menduar kurrë se do mund ta bënim. Bashkë jemi kolegë prej pesëmbëdhjetë vjetësh dhe kemi folur, shkruar e analizuar, po aq sa u kemi mësuar studentëve, rreth dështimit të demokracisë në vende dhe kohë të tjera në Europën e errët të viteve 1930, apo në reprezaljet që janë bërë në Amerikën Latine në vitet 1970. Kemi shpenzuar vite të tëra në kërkim të formave të reja të autoritarizmit që shfaqeshin në vende të ndryshme të globit. Për ne, si dhe pse vdiqën demokracitë, ka qenë një obsesion profesional.

Por tashmë e gjejmë veten duke e bërë këtë pyetje për vendin tonë. Në këta dy vitet e fundit, kemi parë politikanë të thonë e bëjnë gjëra që nuk kanë ndodhur kurrë më parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që për ne përbëjnë shenja paralajmëruese, të ngjashme me ato që kanë paraprirë krizat demokratike në vendet e tjera. Dhe rrëqethemi! Dhe besojmë, se e njëjta gjë iu ndodh edhe shumë amerikanëve të tjerë, ndonëse përpiqemi të bindim veten se gjërat nuk mund të jenë realisht aq keq në vendin tonë. Nga ana tjetër, edhe pse jemi të ndërgjegjshëm që demokracitë janë të brishta, kjo në të cilën jetojmë, në një farë mënyre, ia ka dalë t’i shpëtojë gravitetit. Kushtetuta, krenaritë tona kombëtare si liria dhe barazia, klasa e fuqishme e mesme, nivelet e larta të pasurisë dhe të edukimit, si dhe shumëllojshmëria e sektorit privat të gjitha këto, duhet të shërbenin si një lloj vaksine shumë e mirë për ta ruajtur demokracinë nga krisjet e thyerjet që ka pësuar në vende të tjera. Por jo.

Shqetësimi ynë po rritet edhe më shumë. Sot, politikanët amerikanë i trajtojnë rivalët e tyre si armiq, i bëjnë presion shtypit të lirë dhe kërcënojnë të mos njohin rezultatet e zgjedhjeve. Përpiqen të dobësojnë amortizatorët institucionalë të demokracisë, duke ushtruar ndikim deri te gjykatat, shërbimet inteligjente e zyrat e etikës. Shtetet Amerikane, të cilat një herë e një kohë mburreshin nga juristi i madh Luis Brandeis si “laboratorët e demokracisë”, sot janë në rrezikun e shndërrimit në laboratorë të autoritarizmit, ndërkohë që ata që janë në pushtet rishkruajnë ligjet elektorale, rindajnë zonat elektorale dhe arrijnë deri aty sa edhe të rishikojnë të drejtën për të votuar vetëm që të mos humbasin. Dhe në vitin 2016, për herë të parë në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zgjidhet president një burrë pa më të voglën përvojë në administratën publike, me shumë pak angazhim të vëzhguar në të drejtën kushtetuese dhe me prirje të qarta autoritarizmi.

Çfarë do të thotë kjo? Mos po jetojmë në kohën e të tatëpjetës dhe rënies së një prej demokracive më të vjetra dhe më të suksesshme të botës?

Në mesditën e 11 shtatorit 1973, pas muajsh të tërë tensioni gjithnjë në rritje në rrugët e Santiagos, Kili, avionët e prodhimit britanik “Hawker Hunter” (Skifteri gjuetar) filluan të hedhin bomba në La Moneda, pallatin presidencial të tipit neoklasik që ndodhet në qendër të qytetit. La Moneda u dogj. Presidenti i vendit, Salvador Alende, zgjedhur në detyrë tre vite më parë, në krye të një koalicioni të majtë, ishte mbyllur brenda. Gjatë mandatit të tij, Kili kishte vuajtur nga mungesa e qetësisë sociale, krizat ekonomike dhe paraliza politike. Alende kishte deklaruar se nuk do ta lëshonte postin pa mbaruar punën që kishte nisur por tashmë kishte mbërritur ora e së vërtetës. Nën komandën e Gjeneral Augusto Pinoçet, forcat e armatosura po merrnin kontrollin e vendit. Herët, në mëngjesin e po asaj dite fatale, Alende i ishte drejtuar kombit nga një radio kombëtare me një fjalë shumë emocionuese, në shpresën që mbështetësit e tij do dilnin në rrugë, në mbrojtje të demokracisë, por kjo lloj rezistence kurrë nuk u materializua edhe me njerëz. Forcat e policisë ushtarake që ruanin pallatin presidencial e braktisën. Fjala e tij ra në vesh të shurdhët. Brenda pak orësh, presidenti Alende vritet. Po ashtu, edhe demokracia kiliane.

Kjo është, pak a shumë, mënyra se si e mendojmë vdekjen e demokracisë: nëpërmjet të shtënave të një arme që gjendet në duart e një burri. Gjatë Luftës së Ftohtë, numërohet se grushtet e shtetit kanë ndodhur në tre, nga çdo katër shembje të demokracisë. Demokracitë në Argjentinë, Brazil, Republikën Dominikane, Gana, Guatemala, Pakistan, Peru, Turqi dhe Uruguai të gjitha kanë vdekur në këtë mënyrë. Edhe këto kohët e fundit, ishin po grushtet e shtetit që rrëzuan presidentin egjiptian, Muhamed Morsi më vitin 2013, dhe kryeministrin e Tailandës Yingluk Shinauatra në vitin 2014. Dhe në të gjitha këto raste, demokracia u shpërbë në mënyrë spektakolare, nëpërmjet forcës dhe pushtetit ushtarak.

Por ekziston edhe një mënyrë tjetër për të rrëzuar demokracinë. Është më pak dramatike, por njësoj shkatërruese. Demokracia mund të mos vdesë nga duart e një gjenerali, por të një lideri të zgjedhur president a kryeministër, i cili ka aftësinë të shkatërrojë pikërisht procesin që e solli në pushtet. Disa prej këtyre liderëve e çmontojnë demokracinë shpejt e shpejt, sikundër veproi Hitleri, në vigjilje të vitit 1933, duke i vënë zjarrin Rajshtagut, në Gjermani. Por më shpesh demokracitë gërryhen ngadalë, pak nga pak, nëpërmjet proceseve që mezi duken.

Për shembull, në Venezuelë, Hugo Çavez erdhi nga rrethet jashtë politikës dhe u ngrit kundër kastës së elitës së korruptuar qeveritare, me premtimin e ndërtimit të një demokracie më “autentike”, që do të përdorte pasurinë e begatë të vendit në naftë për të përmirësuar jetën e të varfërve. I aftë në shfrytëzimin e zemërimit të venezuelasve të zakonshëm, shumë prej të cilëve ndiheshin të harruar ose të keqtrajtuar nga partitë politike në vend, Çavez zgjidhet president më vitin 1998. Ose nëse shprehemi me fjalët që një grua deklaronte në shtëpinë e tij në Barinas, natën e zgjedhjeve elektorale, “Demokracia është infektuar. Dhe Çavezi është i vetmi antibiotik që kemi”.

Kur Çavez filloi revolucionin e premtuar, veproi në mënyrë demokratike. Më vitin 1999, mbajti zgjedhjet e lira për asamblenë e re kushtetuese, ku aleatët e tij fituan me shumicë të theksuar. Kjo u mundësoi çavistasve të shkruajnë, të vetëm, një kushtetutë të re. Ishte një kushtetutë demokratike. Për të forcuar legjitimitetin si forcë politike, më vitin 2000 dekreton mbajtjen e zgjedhjeve të reja presidenciale dhe legjislative. Edhe këto zgjedhje fitohen nga Çavezi dhe aleatët e tij. Populizmi i Çavezit bëhet shkas për lindjen një opozite shumë aktive. Në prill 2002 largohet nga pushteti me forcën e ushtrisë, ndonëse për një kohë të shkurtër, sepse grushti i shtetit dështon. Triumfues, Çavezi shfrytëzon rrethanat dhe bën apel edhe për më shumë legjitimitet demokratik për pushtetin e tij.

Por hapat e parë drejt një autoritarizmi të qartë të Çavezit duhet t’i kërkojmë vetëm pas vitit 2003. Me zbehjen e përkrahjes së publikut, arriti të izolojë një referendum të udhëhequr nga opozita, që kërkonte të rishihte qëndrimin e tij në zyrë deri një vit më parë, çmimet në rritje të naftës e kishin bërë të thjeshtë fitoren e tij. Në vitin 2004, qeveria fut në listën e zezë të gjithë ata që nënshkruan peticionin dhe arrin të ketë njerëzit e saj në gjykatën supreme, por vota masive nga zonat fshatare në zgjedhjet e vitit 2006 janë një ndihmesë për t’i dhënë regjimit të tij lustrën e një demokracie të bukur. Regjimi i çavistasve bëhet edhe më shtypës pas vitit 2006, me mbylljen një stacioni të madh televiziv dhe duke bërë arrestime me akuza të dyshimta, ose detyruar të arratiseshin e jetonin në ekzil shumë politikanë të opozitës, gjyqtarë e figura të rëndësishme të medies, si dhe duke eliminuar termat kohorë të kufizimit të qëndrimit si president, pra që i mundësonin Çavezit të qëndronte në pushtet pakufi. Në vitin 2012, kur Çavez që në atë kohë vuante nga kanceri rizgjidhet përsëri president, fushata ishte e lirë, por e pandershme: çavizmi kontrollonte pjesën më të madhe të medies dhe vuri në dispozicion të gjithë makinën e madhe qeveritare në favor të tij. Një vit më vonë, pas vdekjes së Çavezit, pasardhësi i tij, Nikola Maduro, fiton një raund zgjedhjesh, një më shumë i diskutueshëm nga pikëpamja demokratike, ndërsa në vitin 2014 qeveria e tij burgos liderin kryesor të opozitës. Por fitorja me shumë vota e opozitës në zgjedhjet për legjislativin të vitit 2015, dukej sikur demaskonte pretendimet e kritikëve se Venezuela nuk ishte më një vend demokratik. Duhej të vinte viti 2017, kur një parti e vetme e re uzurpoi pushtetin në asamble, plot dy dekada pas fitores së parë të Çavezit si president, që Venezuela të njihej gjerësisht si një vend me regjim autoritarian.

Kjo është mënyra se si vdesin demokracitë sot. Diktaturat fjalëshumë në formën e fashizmit, komunizmit apo pushtetit ushtarak janë zhdukur nga pjesa më e madhe e botës. Grushtet ushtarake dhe format e tjera të dhunshme të kapjes së pushtetit janë rralluar. Pjesa më e madhe e vendeve mbajnë zgjedhje të rregullta elektorale. Dhe demokracitë akoma vdesin, por me mjete të ndryshme. Që nga koha e përfundimit të Luftës së Ftohtë, rrënimi i pjesës më të madhe të demokracive është shkaktuar jo në pasojë të dhunës së gjeneralëve dhe ushtarëve, por nga vetë qeveritarët e zgjedhur. Njësoj si Çavezi në Venezuelë, liderët e zgjedhur kanë shkatërruar institucionet demokratike, si në Gjeorgji, Hungari, Nikaragua, Peru, Filipine, Poloni, Rusi, Sri Lanka, Turqi dhe Ukrainë. Mëkati ndaj demokracisë sot fillon në kutitë e votimit.

Rruga elektorale e shkatërrimit të demokracisë është e rrezikshme në vellon e mashtrimit që hedh. Rasti i grushteve të shtetit, sikundër ka ndodhur për shembull me Pinoçetin e Kilit, është baras me vdekjen e menjëhershme të demokracisë dhe e dukshme për të gjithë. Pallati presidencial digjet. Presidenti vritet, burgoset ose dërgohet në ekzil. Kushtetuta pezullohet, ose griset e digjet. Në rastin sipas mënyrës elektorale asgjë nga këto nuk ndodh. Nuk ka tanke në rrugë. Kushtetuta dhe institucionet e tjera demokratike vazhdojnë të qëndrojnë në vendin e tyre. Njerëzit votojnë. Por janë ata, autokratët e zgjedhur, që nën velin e demokracisë, gërryejnë e zbrazin gjithë substancën e saj.

Shumë nga përpjekjet e qeveritarëve në shkatërrimin e demokracisë janë “ligjore”, në kuptimin që kanë miratimin e ligjit, ose pranohen nga gjykatat. Për më tepër, shpesh promovohen edhe si përpjekje në funksion të përmirësimit të demokracinë pra, që e bëjnë sistemin gjyqësor më efecient, luftojnë korrupsionin dhe ndihmojnë në transparencën e procesit elektoral. Gazetat vazhdojnë të botohen, por janë në pronësi, ose nën thundrën e vetë-censurimit. Qytetarët vazhdojnë të kritikojnë qeverinë, por shpesh e gjejnë veten në vështirësi ligjore, a përballen me taksa të pashpjegueshme.

Një situatë e tillë e shpie publikun në shtegun e gabuar. Njerëzit nuk e kuptojnë menjëherë çfarë po ndodh. Shumë vazhdojnë të besojnë se po jetojnë nën një regjim demokratik. Në vitin 2011, kur një sondazh i barometrit latino-amerikan të vëzhgimit u kërkoi venezuelasve të vlerësonin vendin e tyre në një shkallë nga 1 (aspak demokratik) në 10 (plotësisht demokratik), 51% e aty që u përgjigjën i dhanë vendit të tyre një notë nga 8 e lart.

Për shkak të faktit se nuk mund të referojmë një moment të vetëm pra, çastin kur ndodhi grushti i shtetit, kur u shpall ligji i luftës, ose kur u zhvlerësua kushtetuta në të cilin regjimi, në mënyrë të dukshme “shkeli vijën” e kaloi në diktaturë, asgjë nuk bën të kumbojë ndonjë alarm për shoqërinë. Për më tepër, ata që denoncojnë abuzimet e qeverisë pushohen nga puna me arsyen që po e teprojnë, ose emërtohen ujku që kërkon vëmendje. Erozioni i demokracisë është, për shumë njerëz, pothuaj i paperceptueshëm.

Sa e cenueshme është demokracia amerikane nga këto mëkate? Bazat e demokracisë sonë janë, sigurisht, shumë më të fuqishme se ato të Venezuelës, Turqisë a Hungarisë. Por janë aq sa duhet të fuqishme?

T’u përgjigjesh pyetjeve të tilla kërkon të largojmë vëmendjen nga titujt kryesorë të gazetave dhe lajmet tronditëse, në gjendje të ndërpresin transmetimin e emisioneve të zakonshëm, me synim zgjerimin e vizionit dhe nxjerrjen e mësimeve nga përvojat e demokracive në vende të ndryshme të botës, dhe në periudha të ndryshme të historisë. Studimi i krizave që kanë kaluar a pllakosur demokracitë e tjera na jep mundësi të kuptojmë më mirë sfidat me të cilat duhet të përballet demokracia jonë. Për shembull, bazuar në përvojën historike të kombeve të ndryshme, kemi mundur të zhvillojmë një test me lakmus, që na ndihmon: të identifikojmë autoritarianët e së nesërmes, ose kandidatët-për-autoritarianë, përpara se të ngjiten në pushtet; të mësojmë nga gabimet që kanë bërë udhëheqësit demokratë në të shkuarën, duke i hapur derën ekstremistëve të pushtetit dhe, po ashtu, edhe nga mënyrat që kanë përdorur demokraci të tjera për t’i mbajtur jashtë oborrit të tyre. Në të njëjtën kohë, kjo qasje krahasuese na ndihmon të kuptojmë, se si autoritarianët e zgjedhur në pjesë të ndryshme të botës kanë zbatuar strategji të ngjashme në shkatërrimin e institucioneve demokratike. Dhe ndërkohë që këto modele bëhen të gjithnjë e më të qarta sytë tanë, hapat drejt rrënimit bëhen gjithnjë e më pak të errët dhe lufta më e lehtë. Njohja, se si qytetarët në demokraci të tjera kanë qenë të suksesshëm në rezistencën e zgjedhjes së autoritarëve, ose si kanë dështuar, tragjikisht, është thelbësore për të gjithë ata që kërkojnë të mbrojnë demokracinë amerikane sot.

Të gjithë e dimë që herë pas here, edhe në demokraci që janë cilësuar si të shëndetshme, kanë mundur të lulëzojnë demagogë ekstremistë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pjesën e tyre të kontributit, me Henri Ford, Hjuiu Long, Jozef McKarti dhe Xhorxh Ualles. Testi kryesor për një demokraci nuk është pse arritën të dalin në krye figura të tilla, por pse udhëheqësit politikë, dhe veçanërisht partitë politike, nuk u angazhuan në parandalimin e krijimit të bazave të pushtetit të këtyre njerëzve, që në fillimet e aktivitetit duke i mbajtur larg radhës së prerjes së biletës për të qenë figurë kryesore në parti, duke u refuzuar përkrahjen a formatimin dhe, nëse ishte e nevojshme, edhe duke u bërë palë me rivalët e tyre, në përkrahje të kandidatëve vërtet demokratë. Izolimi i ekstremistëve popullorë kërkon kurajë politike. Por nëse frika, oportunizmi, a llogaritë e gabuara janë faktorë që orientojnë edhe parti të mirëformuara për të nxjerrë në skenë ekstremistë, atëherë demokracia është në rrezik.

Sapo një kandidat-për-autoritarian vjen në pushtet, demokracitë përballen me një test të dytë shumë të rëndësishëm: Udhëheqësi i sapozgjedhur, do t’i shkatërrojë institucionet demokratike, apo do të disiplinohet prej tyre? Kushtetuta mbrohet jo vetëm nga partitë politike dhe qytetarët e organizuar, por edhe me anën e normave demokratike. Pa këto norma të fuqishme, kontrolli dhe baraspesha kushtetues nuk do të përputhej me përfytyrimin e kështjellës që kemi për demokracinë. Por shpesh institucionet shndërrohen në armë politike, të cilat u tunden me forcë atyre që nuk e kanë mundësinë t’i kontrollojnë, nga ata që i kontrollojnë. Kjo është mënyra se si autokratët e zgjedhur shkatërrojnë demokracinë mbushin gjykatat e agjenci të ndryshme neutrale me njerëzit e tyre dhe i “shndërrojnë në armë”, blejnë mediat dhe sektorin privat (ose i bullojnë, në heshtje), rishkruajnë rregullat e politikës për të qenë të favorizuar ata vetë, në fushën e lojës kundër kundërshtarëve. Paradoksi tragjik i rrugës elektorale drejt autoritarizmit është se vrasësit e demokracisë përdorin vetë institucionet demokratike në mënyrë graduale, në heshtje dhe, për më tepër, edhe ligjërisht për ta vrarë atë.

Amerika dështoi në testin e parë të saj në nëntor të vitit 2016, me zgjedhjen e një presidenti që karakterizohet nga një angazhim i dyshimtë në zbatimin e normave demokratike. Fitorja surprizë e Donald Tramp u bë e mundur jo vetëm nga pakënaqësia e publikut, por edhe nga paaftësia e Partisë Republikane për të mbajtur një demagog ekstremist, angazhuar në radhët e saj, larg atyre që mund të merrnin një nominim për të vazhduar garën.

Sa serioz është ky kërcënim sot? Në këtë situatë, shumë vëzhgues gjejnë qetësi te Kushtetuta jonë, hartuar për të qenë pengesë dhe frenuar demagogë si Donald Tramp. Sistemi ynë madisonian i kontrollit dhe baraspeshës ka rezistuar për më shumë se dy shekuj. I mbijetoi Luftës Civile, Depresionit të Madh dhe Skandalit “Watergate”. Sigurisht që do të jetë i zoti t’i mbijetojë edhe Trampit.

Por jemi bërë më pak të sigurt. Historikisht, sistemi ynë i kontrollit dhe barazpeshës ka funksionuar më së miri por jo, ose jo plotësisht, për shkak të sistemit kushtetues hartuar nga themeluesit. Demokracia funksionin më mirë dhe mbijeton më gjatë kur ligjet kushtetuese përforcohen nga norma të pashkruara demokratike. Sistemin amerikan të kontrollit dhe të baraspeshës e kanë ruajtur dy norma themelore, që ne shpesh i kemi marrë si të mirëqena: toleranca e dyanshme, ose të kuptuarit se partitë konkurruese e pranojnë njëra-tjetrën si rivale legjitime dhe vetëpërmbajtja, ose ideja që politikanët duhet të jenë të matur në ushtrimin e të drejtave të tyre institucionale. Këto dy norma e kanë betonizuar demokracinë amerikane në pjesën më të madhe të shekullit të njëzet. Udhëheqësit e dy partive kryesore e kanë pranuar njëri-tjetrin si legjitimë dhe i kanë rezistuar tundimit të përdorimit të kontrollit të përkohshëm të institucioneve në funksion të maksimizimit të përparësive partiake. Normat e tolerancës dhe të maturisë kanë shërbyer si një armaturë e mirë në mbrojtjen e demokracisë amerikane, dhe e kanë ndihmuar në shmangien e luftës partizane për jetë a vdekje, që kanë mundur të shkatërrojnë demokracitë në vende të tjera, si për shembull në Europën e viteve 1930 dhe Amerikën e Jugut të viteve 1960 & 1970.

Por sot, kjo lloj armature përreth demokracisë amerikane është dobësuar. Erozioni i normave tona demokratike fillon më vitet 1980 dhe 1990 dhe përshpejtohet në vitet 2000. Në kohën që Barak Obama zgjidhet president, shumë republikanë në veçanti vunë në pikëpyetje legjitimitetin e rivalëve të tyre demokratë dhe braktisën tolerancën, në funksion të përvetësimit të një strategjie fitoreje që nuk përjashtonte asnjë mjet nëse do të ishte e nevojshme. Donald Tramp mund ta ketë përshpejtuar këtë proces, por nuk ishte ai që e shkaktoi. Sfidat me të cilat duhet të përballet demokracia amerikane shkojnë shumë më thellë. Dobësimi i normave tona demokratike i ka rrënjët në polarizimin ekstrem partizan që shtrihet përtej diferencave politike, deri në një konflikt ekzistencial ndërmjet racave dhe kulturave. Përpjekjet e Amerikës për të arritur barazinë ndërmjet racave, ndërkohë që shoqëria jonë rritet me një theks të dukshëm diversiteti, kanë injektuar një lloj reagimi dyshues dhe kanë intensifikuar polarizimin. Dhe nëse ka diçka që vërtet e kemi të qartë nga studimi i rrënimeve në rrjedhën e historisë, është polarizimi ekstrem që vret demokracitë.

Thënë këto, kemi arsye për t’u alarmuar. Në vitin 2016, Amerika jo vetëm zgjodhi një demagog, por e zgjodhi në një kohë kur normat, që një herë e një kohë mbronin demokracinë tonë, pothuaj ishin çmontuar. Por nëse përvojat e vendeve të tjera na mësojnë se polarizimi mund të vrasë demokracitë, na mësojnë po aq se rrënimi nuk është as i paevitueshëm, dhe as i pakthyeshëm. Duke ofruar mësime të nxjerra nga demokracitë në krizë, ky libër, në të njëjtën kohë, sugjeron strategji që qytetarët duhet dhe nuk duhet të ndjekin, në mbrojtje të demokracisë. Në mënyrë plotësisht të justifikueshme, qytetarët amerikanë ndihen të frikësuar nga ajo që po ndodh në vendin tonë. Duhet të jemi modestë dhe të fuqishëm. Duhet të mësojmë nga vendet e tjera për të kuptuar shenjat paralajmëruese dhe të njohim alarmet false. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm për hapat e gabuar që kanë rezultuar fatalë në frymëmarrjen e demokracive të tjera. Dhe duhet të dimë se si qytetarë të shumtë janë ngritur në denoncimin e krizave të mëdha të demokracisë në të kaluarën, si dhe përballjen me to, duke shkuar përtej ndarjeve të thella politike. Historia nuk e përsërit veten. Historia rimon. Premtimi i historisë dhe, me shumë shpresa, edhe i këtij libri është të aftësohemi në gjetjen e rimës, përpara se te jetë shumë vonë.