Refleksione rreth librit “Pesë pengjet më të mëdha të jetës“, të autores Bronnie Ware
Nga Dr. Silvana Çeliku
Kirurge, Mjeke onkogjinekologe, Shefe e shërbimit të Onkologjisë / Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë
Pasditet e gjata të dimrit jo rrallë të venë në mendime e të kthejnë pas në kohë. Duke qenë me profesion mjeke, për më tepër në pavijonin onkologjik, një ditë e zakonshme pune e imja është e mbushur me konsulta e vizita, operacione e takime, të gjitha për t’u dhënë përgjigje të njëjtës pyetje, artikuluar gjithnjë në frikë dhe me zë që më shumë merret me mend se dëgjohet: Do të vdes apo jo nga kanceri? Shpesh dëshira për të qenë vetëm me mendimet e mia, për të reflektuar, është më e fortë, në rrjedhojë të një dite ku shprehjen: “Nuk ju kanë mbetur edhe shumë jetë, zonjë!”, mund ta kem thënë edhe më shumë se një herë.
Pikërisht në një natë të tillë mora një telefonatë nga shoqja ime e gjimnazit, Valbona Nathanaili, e cila me zërin e saj të ëmbël ma ndryshoi pasditen. U takuam. Kishim vite pa u parë dhe kujtimet e gjimnazit, periudha më e bukur e rinisë, zunë pjesën më të madhe të bisedës sonë. E dija që shoqja ime shkruan dhe përkthen bukur, sikundër dija që ka mbaruar fizikë, dy pasione të hershme të saj. Ndaj kur më propozoi të shkruaj diçka rreth librit të ri që po përkthente, u mallëngjeva. Jam mjeke, por pranoj që prekem shpejt. Dhe shumë! As profesioni dhe as përballja e përditshme me situata nga më të dhimbsurat, nuk kanë mundur të ndryshojnë natyrën time.
E hapa dorëshkrimin dhe fillova ta lexoj me një frymë. Po bëja diçka ndryshe. Rrëfenja më rrëmbeu që në faqet e para. Ndiqja çdo fjali, çdo fjalë. Ndjeva se isha pjesë e jetës së shkrimtares, e historisë së jetës së saj dhe të pacientëve për të cilët ishte kujdesur, pikërisht kur nuk u kishin mbetur edhe më shumë se disa javë jetë, kur u duhej të bënin llogari me veten çfarë kishin bërë mirë dhe çfarë jo. Fillimisht më bëri të ndihesha mirë për profesionin që kam zgjedhur, të isha krenare për atë që bëj çdo ditë, për 35 vjet me radhë – të luftoj kundër kancerit. E përfshirë krejtësisht në lexim kuptova sa shpejt ikin vitet dhe nga një vajzë e re, e brishtë e pa eksperiencë në mjekësi, jam bërë një mjeke e përkushtuar dhe një kirurge e zonja që sfidon çdo ditë sëmundjen e kancerit, ashtu sikundër shkrimtarja përpiqej t’ua bënte më të lehtë takimin me vdekjen pacienteve të saj. E mbarova dorëshkrimin shumë shpejt. Broni më rrëmbeu dhe më futi thellë në botën e saj, në jetën e saj.
Raportet e mrekullueshme që krijon me çdo pacient, mësimet që nxjerr nga bashkëbisedimet me ta, pengjet që i besojnë për t’i transmetuar te njerëzit e tjerë janë mbresëlënëse. Njësoj si Broni, mund të them se vdekja vërtet është një moment i hidhur e fatal për njeriun dhe për të dashurit e të afërmit e tij, por akoma më shumë është një proces fiziologjik e i pashmangshëm. Vdekja mbyll ciklin tonë të jetës. Kështu ka qenë. Dhe është mirë të vazhdojë po kështu. Por akoma më mirë është që këtë cikël ta vëmë në balancë sa kemi kohë.
A duhet të mendojmë për vdekjen sa jemi gjallë? Po! Sa më pak tabu! Sa më pak njolla të errëta në trurin tonë. Duke qenë të ndërgjegjshëm për vdekjen, do e duam më shumë jetën. Vetë shkrimtarja e sfidon vdekjen të paktën një herë. Për të arritur në një konkluzion shumë të rëndësishëm, por jo të panjohur: Jeta të jepet vetëm një herë. Jetoje pa pengje.
Mbarova së lexuari edhe faqen e fundit dhe, teksa e mbylla dorëshkrimin, kuptova se sa shpejt kishin kaluar këto pasdite të gjata dimri, të ftohta e me shi. Zjarri në shtëpi më kishte ngrohur trupin, kurse ky libër kaq i bukur më kishte ngrohur e mbushur shpirtin.
Falënderoj shoqen time të mirë që nëpërmjet këtij romani më bëri të ndiej më shpejt flladin e freskët dhe diellin e ngrohtë të stinës së bukur që po i zë vendin dimrit të ashpër.
Lexojini pengjet që rrëfen Broni dhe do të ndiheni ndryshe, më të mirë dhe më të mençur.