Bashkëpunimi brenda rajonit – të promovojmë turizmin lokal
Më datë 6 shkurt, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Komuna e Zhelinës finalizoi binjakëzimin me Bashkinë e Korçës.
Takimi u zhvillua në mjediset e Bashkisë së Korçës. Kryetari i komunës së Zhelinës në Maqedoninë e Veriut, z. Blerim Sejdiu, u prit nga zv. Kryetari i Bashkisë së Korçës, z. Kletjon Kita. Në grupin e punës së Kryetarit të Komunës së Zhelinës, si pjesë e agjendës për një integrim rajonal, ishin Prof. Asoc. Arsim Sinani, Drejtor i Institutit për Studime Sociale dhe Humanistike, pranë Universitetit të Prishtinës, Dr. Valbona Nathanaili, Drejtore e Fondacionit “Henrietta Leavitt” dhe Dr. Maria Dojçe, pedagoge pranë Universitetit “Fan S. Noli” dhe këshilltare bashkiake pranë Bashkisë Korçë.
Sejdiu vlerësoi Korçën si një nga qytetet model për ruajtjen e trashëgimisë dhe zhvillimin e turizmit i cili e ka bërë Korçën një nga qytetet më atraktive dhe më të vizituara në çdo stinë. Gjatë takimit u diskutuan ide mbi mundësitë e bashkëpunimit mes Korçës dhe Zhelinës në fusha të ndryshme.
- Korça dhe Zhelina, sot janë edhe më afër! Me Korçën do të shkëmbejmë përvoja dhe do të nxisim edhe më shumë promovimin e vlerave dhe të kulturës ndërmjet dy zonave – u shpreh z. Sejdini në takim.
Në përfundim të takimit u vizituan disa nga mjediset e Bashkisë së Korçës dhe Muzeu “Gjon Mili”.
Komuna e Zhelinës ka afro 40 000 banorë, numër që ndryshon në varësi të stinës, pasi ka një klimë të mrekullueshme malore: borë dhe ski në dimër, fresk, liqen dhe shëtitje në natyrë në verë. Komuna dallohet për prodhimet e djathit dhe mikpritjen e banorëve. Liqeni i mrekullueshëm, një nga më të mëdhenjtë në rajon, ka një shtrirje dhe pamje të mrekullueshme. Peshk, not dhe shëtitje me varka – liqeni është një nga pikat më të frekuentuara jo vetëm në verë, por edhe në dimër.
Së fundmi po bëhen shumë investime, veçanërisht në rrugë, ndërtime shkollash dhe mjedisesh të tjera në funksion të banorëve dhe turistëve.
Komuna ka një shtrirje interesante. Shkohet lehtësisht nga Tetova – gjendet në një distancë jo më shumë se 8 kilometra, në anën e djathtë të rrugës kryesore Tetovë-Shkup.
Më shumë informacion rreth Komunës së Zhelinës mund të gjeni në faqen https://zhelina.gov.mk/
Blerim Sejdiu është lindur më 4 shtator 1985, Tetovë, Maqedonia e Veriut. Studimet e para i merr në shkollën “Pashko Vasa”, në Grupçin, ndërsa studimet e mesme të larta në gjimnazin ‘’Kiril Pejçinoviq’’, Tetovë. Jurist, diplomuar pranë Fakultetit Juridik, në Universitetin e Evropës Juglindore, Tetovë. Mban titullin “Magjistër i shkencave juridike”, mbrojtur në Universitetin FON, të Shkupit. Ka pasion sportet malore.
2010 – 2016 Përgjegjës i Departamentit për çështje juridike në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik të Shkupit.
2008 – 2011 Sekretar i Përgjithshëm i Klubit të Futbollit “Shkëndija”.