Më datë 5 shkurt 2021, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, u organizua simpoziumi me temë “Quo Vadis Humanitas”.
Organizimi i simpoziumit u bë i mundur, falë një bashkëpunimi shumë të frytshëm ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Fondacionit “Henrietta Leavitt”. Ndërsa arsyet për të mbajtur këtë simpozium janë tre.
- E para, sot, 5 shkurt 2021, mbushen plot 78 vjet nga dita kur Shrodinger mbajti leksionin e famshëm publik me titull “Çfarë është jeta?”, në Trinity College, Dublin, në rolin e drejtorit të fizikës teorike pranë Institutit për Studime të Avancura. Homazh fizikanit dhe shkencëtarit, njeriut dhe intelektualit, që diti të frymëzojë breza të tërë studiuesish, dje dhe sot. Homazh shkencës dhe të gjithë atyre që kontribuojnë për të!
- E dyta, shoqëria ka nevojë për intelektualë, ka nevojë për qytetarë me vizion, në gjendje të mendojnë në mënyrë kritike dhe jashtë stereotipeve negative të të menduarit; ka nevojë për të rinj të talentuar që zgjedhin të studiojnë shkenca dhe investime të llojeve të ndryshme në funksion të zhvillimit e progresit të tyre. Çdo nismë në funksion të këtyre synimeve është arsye e mirë për t’u mbledhur. Arsyeja jonë e mirë sot është nisma “Shkenca pranë publikut”.
- E treta, promovimi, në gjuhën shqip, të librit “Çfarë është jeta?” të Erwin Shrödinger.
Falenderojmë të gjithë folësit, që ju përgjigjën me dashamirësi e gatishmëri ftesës për pjesëmarrje, si dhe menaxhuan me korrektësi kërkesat e veçanta me të cilat na duhet të përballemi në organizime të këtij lloji, në kuadër të situatës Covid. Falenderojmë të gjithë ata që na ndoqën online!
Programi (i plotë, shqip dhe anglisht):
Hapja dhe përshëndetja, Prof. Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
10.35 – 11.00 Paraqitje e përgjithshme / nga paradigma e vjetër dhe ekzistuese, në një të re dhe sfiduese – dy revolucionet shkencore që frymëzoi Erwin Schrödinger / prezantimi i botimit, në gjuhën shqip, të librit “Çfarë është jeta?” Dr. Valbona Nathanaili, Fondacioni “Henrietta Leavitt”.
Dr. Valbona Nathanaili është drejtore ekzekutive e Fondacionit “Henrietta Leavitt”. Fushat e kërkimit shkencor përfshijnë legjislacionin, politikat dhe reformat në arsim. Autore, përkthyese dhe botuese; e pranishme në shtypin periodik me shkrime e artikuj të shumtë për arsimin dhe ngjarjet e situatën aktuale politike e sociale në Shqipëri.
11.00 – 11.20 Erwin Schrödinger – Figurë e shquar e Fizikës. Akad. Emeritus Floran Vila, Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Prof. dr. Fatos Ylli, Instituti i Fizikës Bërthamore të Zbatuar, përgjegjës i Departamentit të Metodave Analitike Instrumentale, IFBZ, Universiteti i Tiranës dhe Sekretar i Përgjithshëm i Institutit Alb-Shkenca, Tiranë – Prishtinë – Shkup.
Prof. Floran Vila është pedagog pranë Departamentit të Fizikës, në Universitetin e Tiranës, kryesisht në disiplinat themelore të Fizikës së Përgjithshme. Fusha e studimeve është fizika e aplikuar dhe përfshin disa drejtime: elektricitetin, fizikën e materialeve dhe fizikën e atmosferës. Në periudhën 1975-1985 ka drejtuar grupin kërkimor-shkencor për studimin e elektricitetit statik industrial, duke shkelur drejtime të reja me interes teoriko-aplikativ. Në vitin 2015 është nderuar nga Unioni Ballkanik i Fizikës me “Çmimin e Nderit” (BPU HONOR AWARD), me motivacionin “Për kontribute të mëdha në fizikë dhe në Unionin Ballkanik të Fizikës”.
Prof. Fatos Ylli është Përgjegjës i Departamentit të Metodave Analitike Instrumentale, IFBZ, Universiteti i Tiranës dhe anëtar i Komisionit të Fizikës dhe Kimisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në periudhën 2000-2008 ka drejtuar Institutin e Fizikës Bërthamore, pjesë e rrjetit të institucioneve shkencore të Akademisë së Shkencave dhe ka qenë pika e kontaktit me “Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike”. Studimet e tij shtrihen në fushën e spektroskopisë fizike, fizikës së materialeve dhe mbrojtjes e sigurisë nga rrezatimet.
11.20 – 11.40 Bukuria dhe misteret e mekanikës kuantike. Prof. Jean-Louis Basdevant, Ecole Polytechnique, Francë (on-line) dhe Akad.Asoc. Mimoza Hafizi, Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Prof. Mimoza Hafizi është pedagoge e Mekanikës Kuantike dhe Astrofizikës pranë Universitetit të Tiranës. Fushat e kërkimit shkencor janë Shpërthimet Gama, ngjarjet më energjike në Univers, si dhe Ekzoplanetet, planetet jashtë Sistemit Diellor, përmes metodës së mikrolenteve gravitacionale. Nga viti 2020 është anëtare e asociuar e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Autore e dy romaneve shkencorë, “Pika Trëndafil” dhe “Infiniti Blu”.
Dr. Jean-Louis Basdevant është Profesor Emeritus pranë Universitetit Politeknik të Parisit, Francë. Disa nga përvojat e mëparshme përfshijnë Drejtor i Qendrës Kombëtare Franceze për Kërkime Shkencore, anëtar i Bordit të Drejtorëve dhe Përgjegjës i Departamentit të Fizikës pranë Universitetit Politeknik. Autor i 25 librave, fokusuar, kryesisht, në teorinë kuantike, fizikën dhe energjinë bërthamore. Ka kryer kërkime shkencore në disa nga qendrat kërkimore më të mira të botës. Oficer i Legjionit të Nderit.
11.40 – 12.00 Jeta në pikëprerjen e fizikës dhe biologjisë. Prof. Endrit Kullaj, Universiteti Bujqësor.
Prof. Endrit Kullaj është përgjegjës i sektorit të botimeve dhe eventeve shkencore, si dhe përgjegjës i Departamentit të Hortikulturës dhe Arkitekturës së Peizazhit, në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Disa nga përvojat kërkimore-shkencore përfshijnë biologjinë molekulare, teknikat e diagnozës dhe përmirësimit gjenetik, mikroshumimin dhe seleksionimin klonal të pemëve frutore. Ekspert dhe konsulent për shumë projekte zhvillimore, ndërmarrë organizma të ndryshëm.
12.00 – 12.20 Qasja ndaj teknologjisë thotë shumë për personalitetin tënd! Dr. Julinda Stefa, Talend, Paris, France (pas një periudhe 10-vjeçare si Prof. Asoc. pranë Departamentit të Shkencave Kompjuterike, Universiteti “La Sapienza”, Romë, Itali).
Dr. Julinda Stefa është “Senior Product Manager” pranë Talend, Paris, Francë. Disa nga përvojat e punës përfshijnë bashkëpunime me Google, Microsoft Research Cambridge, Instituin Kombëtar për Kërkime në Shkenca dhe Teknologji Digjitale, Paris, Francë; si dhe një periudhë 10 vjeçare si kërkuese shkencore pranë Departamentit të Informatikës, në Universitetin “La Sapienza” të Romës. Studion fushat e sistemeve të shpërndara kompjuterike dhe sigurisë/privatësisë informatike, “mobile cloud computing”, si dhe në ndërlidhjen e teknologjisë me shoqërinë.
12.20 – 12.40 Reflektimi i ideve të Schrödinger-it në Biologjinë Molekulare. Akad. Ilia Mikerezi, Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
12.40 – 13.00 Pyetja e radhës e Schrödinger-it: Si do të jetë jeta? Prof. Steve Fuller, Universiteti i Warwick-ut, Angli (on-line).
Prof. Steve Fuller kryeson katedrën “Auguste Comte” në epistemologji sociale, pranë Departamentit të Sociologjisë, në Universitetin e Warwick-ut. Kërkimet e hulumtimet shkencore përfshijnë, kryesisht, çështje që janë subjekt i epistemologjisë sociale. Anëtar i Akademisë së Shkencave të Mbretërisë së Bashkuar dhe i Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve. Veprat e Fuller janë përkthyer në më shumë se njëzet gjuhë të ndryshme. Nga viti 2013 është anëtar i Edge, “Kultura e tretë. Në skaj”, ku kontribuon me sistemin e tij vjetor të pyetjeve.