Më datë 25 nëntor 2021, në Kolegjin Universitar “Logos”, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës kundër Gruas” u zhvillua një takim ndërgjegjësues, organizuar nga Departamenti Pedagogji-Psikologji, në bashkëpunim me Qendrën e Shkrimit Akademik. Takimi ishte shprehje, edhe një herë, e angazhimit që stafi i Kolegjit Universitar “Logos” ka në mbështetje të çështjeve gjinore, dhe në veçanti kundër dhunës ndaj gruas.

Në takim morën pjesë pedagogë dhe studentë të Kolegjit Universitar “Logos”, si dhe studiues të disiplinave të ndryshme e aktivistë në çështjen e dhunës kundër grave, të ftuar të kontribuojnë me përvojën, studimet e fjalën e tyre për një nga problematikat që po shqetëson shoqërinë shqiptare.

Në takim folën Znj. Nina Guga, zëvendësministre e Arsimit dhe Sportit, z. Albert Dervishaj, Nëndrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Prof. Dr. Ilia Ninka, Rektor, Kolegji Universitar “Logos”, Dr. Valbona Nathanaili, Kolegji Universitar “Logos”, Diana Çuli, shkrimtare dhe aktiviste për të drejtat e njeriut, Prof. Dr. Erlehta Mato, Kolegji Universitar “Logos” dhe Ina Kasimati mësuese në gjimnazin “Çajupi” dhe aktiviste për të drejtat e njeriut. Koordinatore shkencore dhe moderatore për aktivitetin ishte Dr. Valbona Nathanaili.

Në fjalën e saj, zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Nina Guga, foli për kontributet e institucioneve shtetërore të pushtetit qëndror dhe vendor, të organizatave jofitimprurëse dhe forumeve të ndryshme në vendin për të ndryshuar shumë mentalitete të gabuara në lidhje me gruan, pozicionin e saj në familje dhe në shoqëri apo edhe në lidhje me aftësinë në ndërtimin e kapaciteteve, në synimin për të krijuar një shembull pozitiv dhe frymëzues për vendin e figurën e saj në shoqëri dhe familje. Po ashtu, theksoi politikat dhe arritjet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, realizuar në kuadër të minimizmit të pabarazisë/çështjeve gjinore dhe eliminimit të dhunës kundër grave, mbështetur edhe në Strategjinë Kombëtare të Barazisë Gjinore (Fjala e Zevendesministres_Logos).

Albert Dervishaj, Nëndrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit foli për rolin e policisë së shtetit në eliminimin e dhunës kundër gruas, duke e vënë theksin në problematikat që hasin punonjësit e rendit, në angazhimin e tyre në monitorim në rastet kur gratë e dhunuara janë me urdhër mbrojtje nga gjykata si dhe për rëndësinë që ka policimi në komunitet. Sipas z. Dervishaj, qyteti më problematik në këtë drejtim është Tirana (Fjala e zevendes shefit te pergjithshem te policise, z. Albert Dervishaj.

Prof. Dr. Ilia Ninka foli për angazhimin e stafit të Kolegjit Universitar “Logos” në projekte që kanë në fokus barazinë gjinore dhe të drejtat e njeriut.

Dr. Valbona Nathanaili e trajtoi pamundësinë e grave të dhunuara për t’u divorcuar dhe shkëputur nga një marrdhënie e tillë si liri të kufizuar të grave, e kufizuar shpesh nga pamundësia ekonomike dhe akoma më shpesh edhe nga mentaliteti dhe kultura e frikës së mohimit nga rrethi familjar e social, duke theksuar edhe ndikimin negativ që ka një dhunë e tillë në shëndetin mendor. Për Dr. Nathanaili, diferencat biologjike nuk duhet të bëhen shkas për pabarazi në të drejta dhe angazhime (Lexo këtu fjalën e plotë Valbona Nathanaili 25 nentor 2021).

Znj. Diana Çuli trajtoi ndikimin negativ që ka shpesh mjedisi familjar në fshehjen e dhunës nga gratë e dhunuara, duke sjellë në vëmendje edhe librin e Eni Vasilit “Unë kam vrarë”. Znj. Çuli ndau me audiencën përvoja nga rinia e saj dhe shtysat që kishte pasur për të shkruar librin “Dreri i trotuarëve”.

Prof. Dr. Erlehta Mato bëri një trajtim teorik të të drejtave dhe lirive, si dhe analizoi faktorë të ndryshëm që ndikojnë në ushtrimin e dhunës ndaj grave (lexo këtu fjalën e plotë: Erlehta Mato 25 nentor 2021).

Znj. Ina Kasimati ndau me pjesëmarrësit rrugëtimin e saj personal dhe me forcë ngriti zërin për politika më të mira financiare në mbrojtje të grave kryefamiljare të dhunuara.

Pyetje dhe diskutime të shumta nga pedagogë dhe pjesëmarrës në takim e pasuruan debatin me mendime e ide, si dhe me përvoja e shembuj konkretë.