Më datë 2 maj 2019, Fondacioni “Henrietta Leavitt” organizoi promovimin e librit “Pesë pengjet më të mëdha të jetës. Transformimi që pëson jeta nga ikja e njerëzve të dashur” Autor BRONNIE WARE. Shqipëroi Valbona Nathanaili / Me parathënie nga Prof. Myftar Barbullushi. Promovimi u organizua në sallën “Qemal Baholli”, Elbasan.

Në Panel – në moderimin e z. Alban Shingjergji

  1. Z. Gledian Llajtja, Prefekt i Qarkut të Elbasanit
  2. Z. Ervin Saraçi, Nënkryetar, Bashkia Elbasan
  3. Znj. Aida Gashi, Drejtore e Bibliotekës “Qemal Baholli”
  4. Znj. Valbona Nathanaili, Përkthyese e librit

Fjalët e rastit

Nga Z. Gledian Llajtja, Prefekt i Qarkut të Elbasanit

Të dashur pjesëmarrës

Ka pak ditë që libri “Pesë pengjet më të mëdha të jetës. Transformimi që pëson jeta nga ikja e njerëzve të dashur” i autores australiane Bronnie Ware ka dalë në gjuhën shqip në qarkullim dhe kam dëgjuar shumë të flitet dhe të komentohet. Ju përgjigja me kënaqësi ftesës për të qenë i pranishëm në këtë takim. Promovimi i një libri është mundësi shumë e mirë për të ndarë dhe dëgjuar mendime, për të reflektuar rreth stileve të ndryshme të jetës, për të krahasuar qasjet që kemi për filozofinë se si duhet jetuar, se çfarë përparësish kanë njerëzit në kultura të ndryshme.

Libri i Bronnie Ware është një libër i veçantë, jo vetëm për shkak të tematikës dhe të strukturës që ka zgjedhur autorja për ta ndërtuar e paraqitur, por edhe të mesazheve dhe emocioneve të fuqishme që përcjell. Ndërsa mjeshtëria e përkthimit të zonjës Nathanaili na detyron ta marrim në dorë dhe ta komentojmë e vlerësojmë njësoj si në gjuhën që origjinale që është shkruar.

Ju përgëzoj znj. Nathanaili për punën dhe përkushtimin dhe uroj që Fondacioni “Henrietta Leavitt” të vazhdoj të jetë promotor për shumë nisma të tjera të ngjashme në shërbim të shoqërisë. Akoma më shumë dua t’u përgëzoj për faktin që keni zgjedhur Elbasanin.

Elbasani është një nga qytetet më arsimdashës në Shqipëri. Me shumë traditë, si dhe me një histori të pasur me figura të shquara me kontribute të vyera në fushën e arsimit dhe të kulturës. Ne si elbasanllinj jemi shumë krenarë për këtë! Por akoma më shumë na bën krenarë fakti se përveç që kemi ditur ta ruajmë këtë traditë dhe histori, kemi ditur edhe ta pasurojmë më shumë, falë punës së përditshme të shumë e shumë njerëzve të thjeshtë, që punojnë me të njëjtin pasion dhe përkushtim, që ia shtojnë vlerat qytetit, që përbëjnë pasurinë e vërtetë të këtij qyteti.

Këtë takim e shoh si një mundësi për t’u shprehur vlerësimet e mia dhe të institucionit që përfaqësoj të gjithë atyre që i shërbejnë arsimit dhe kulturës në këtë qytet.

Faleminderit dhe suksese!

Nga Znj. Aida Gashi, Drejtore e Bibliotekës “Qemal Baholli”

Të dashur pjesëmarrës

Është shumë e vështirë ta kesh librin në dorë dhe të mos ndalesh e reflektosh për secilin nga pengjet. Të mos kujtosh ndonjë histori të ngjashme, që ta kanë rrëfyer a besuar. Të mos nxitesh nga dëshira për të gjetur në rrethin tënd njerëz që janë të gatshëm të ndajnë me ty histori që vërtet janë personale, por për shkak të mesazhit që përcjellin janë me vlerë dhe mund t’i shërbejnë një grupi shumë të gjerë. Ftesa ime është të reflektoni në këtë mwnyrw kur të lexoni librin.

Por sot nuk dëshiroj ta kthej diskutimin tim për librin në numrin njëjës. Dua të mbetem te libri. Më ka bërë veçanërisht përshtypje pengu i parë:

  • “Do të kisha dashur të kisha pasur kurajën të jetoja atë lloj jete që besoja vetë, jo atë që të tjerët prisnin prej meje”.

Pra, pengu i të mos jetuarit të një jete të vërtetë për veten.

Sikundër shprehet autorja, ky ishte pengu që më hidhëroi më shumë, sepse koha kur e kuptonin ishte tepër vonë. Historitë që shoqërojnë këtë peng janë shumë domethënëse.

  • “Kurrë mos lejo njeri të të ndalojë të bësh atë që do, Broni”, – më porositi një ditë Grejsi, një nga personazhet e librit, shkruan autorja. “Të lutem, premtoja këtë një gruaje që po vdes!”. Premtoji kësaj gruaje që po vdes se do të jesh gjithnjë e sinqertë me veten, se do të jesh trime aq sa duhet për të jetuar atë jetë që dëshiron, pavarësisht se çfarë thonë të tjerët për ty.”

Dua të theksoj pikërisht këtë mesazh: punoni dhe përpiquni në jetë të jeni vetvetja, të ndiqni atë rrugë ku mendoni se jepni më shumë, ku jeni më i miri, ku i shërbeni shoqërisë dhe familjes me sinqeritet dhe përkushtim.

Jam i sigurt se leximi i librit është një shtysë shumë e mirë për të reflektuar më shumë rreth qasjes që kemi zgjedhur për të jetuar.

Dhe jam akoma më shumë sigurt se pas leximit, do keni dëshirë për të diskutuar edhe më shumë rreth mesazheve që ai përcjell.

Ju faleminderit dhe suksese znj. Nathanaili!

Aktiviteti u pasqyrua në mediat lokale.

Foto nga zhvillimi i aktivitetit. Fotocredit@: Lirim Abazi