Fondacioni “Henrietta Leavitt”, në bashkëpunim me Gjimnazin “Sami Frashëri”, Tiranë, organizojnë takimin me temë
“Entropi: Shkenca në kërkim të komunikimit me publikun”.
Takimi zhvillohet datë 18 mars 2019, ora 13.00 në mjediset e Gjimnazit “Sami Farshëri”, Tiranë.
Hyrja e lirë
Synimi
Synimi ynë është të diskutojmë me një grup të rinjsh – në një nga gjimnazet më të mirë të kryeqytetit – rreth domosdoshmërisë që kemi si shoqëri për të qenë të informuar në shkenca. Këtu kam parasysh kryesisht shkencat e sakta dhe duhet të theksoj që në fillim se kjo përfshirje është me interes dykahësh – fiton shoqëria, por akoma më shumë edhe ju si individë.
Analizë
“Jetojmë në një shoqëri të varur jashtëzakonisht nga shkenca dhe teknologjia, por vështirë se dikush kupton çfarë është shkenca dhe teknologjia” Carl Sagan
Slogani i Carl Sagan është shumë domethënës. Sa më shumë dimë, aq më mendjehapur jemi, aq më të gatshëm jemi të dialogojmë me mendimin alternativ të Tjetrit, aq më shumë bëjmë përpara. Por çfarë duhet të dimë? Sa duhet të dimë?
Në kohët e lashta njerëzit besonin se Toka ishte qendra e Universit. Duke referuar përsëri Sagan, një pohim i tillë ishte jo vetëm në rrjedhojë të krenarisë që kemi ne, si qenie njerëzore, por edhe të mungesës së mjaftueshme të dijeve. Në atë kohë nuk dinin sa duhet! Dija nuk kishte as shtrirje, dhe as thellësi – krahasuar me sistemin tonë të referimit. Por ishte e ndërthurrur. Shkencat humane mësoheshin bashkë me shkancat e sakta. Matematika mësohej bashkë me muzikën. Nga lashtësia deri në ditët tona, sigurisht që kemi bërë hapa galopantë përpara: dija sot është e thellë dhe ka një shtrirje jashtëzakonisht të madhe. Por njëkohësisht është zgjeruar edhe rrethi i problemeve me të cilat përballemi. Shoqëria është bërë shumë komplekse. Interneti është bërë më i dashur se libri dhe më i besueshëm se mësuesi. Makinat po marrin shumë nga punët që kryejnë njerëzit dhe disa sëmundje diagnostikohen nga algoritme që ofrohen nëpërmjet aplikacioneve nga më të ndryshmit. Pastaj vinë problemet me zhdukjen e specieve të caktuara, me ndotjen e oqeaneve, me terrorizmin, me emigracionin. Pafund probleme. Dhe papritur kupton se për shumë prej tyre gjykon nga pozitat e njeriut të lashtësisë: me krenari dhe në mungesë të dijes. Ndoshta jo me aq shumë krenari. Por është e sigurt që vendimet merren përsëri në mungesë të dijeve, të dijeve jo si sasi, as të dijeve si thellësi, por të dijeve të ndërthurura me njëra tjetrën.
Sepse në dallim nga lashtësia, pikëprerjet e shkencave natyrore me ato humane jemi përpjekur t’i eliminojmë pothuaj në zero. Sepse në dallim nga lashtësia, shkenca shihet si një mjet për të zgjidhur çështje teknike, jo si mënyrë për të ndryshuar mënyrën si e shohim botën.
Agjenda
Diskutime të lira dhe në formën e përshëndetjeve. Paneli, do të fokusohet në këto tema:
- Romani “Pika trëndafil”, shkencë apo fantashkencë Mimoza Hafizi
- Realiteti dhe shkenca: divergjenca dhe konvergjenca Valbona Nathanaili. Lexoni këtu fjalën e rastit: https://fhl.org.al/refleksione-rreth-dijes-dhe-komponenteve-te-saj-valbona-nathanaili-kohet-e-lashta-moderne/
- Projekte dhe përshëndetje nga nxënës të gjimnazit: Greis Haxhiu (klasa 12-të) dhe Xhulia Jasimi (klasa 10-të) prezantojnë projektin e tyre në teknologjinë e informacionit
- Projekte dhe përshëndetje nga nxënës të gjimnazit: Piro Manço (klasa 11-të) fitues në disa olimpiada fizike.
Paneli:
- Moderatore: Msc. Teuta Dobi, Drejtore, gjimnazi “Sami Frashëri”
- Prof. Mimoza Hafizi, pedagoge, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës
- Dr. Valbona Nathanaili, Drejtore, Fondacioni “Henrietta Leavitt”
- Anila Gojka, Mësuese e Fizikës, Gjimnazi “Sami Frashëri”