Të rinjtë në shkencë – pasion dhe mundësi 

16 janar 2019: Shkolla “Dhaskal Tod’hri” Elbasan

Të rinjtë në shkencë, pasion dhe mundësi! Ky ishte motivi, që bëri bashkë, në Elbasan, disa nga të rinjtë më të talentuar në shkenca të sakta dhe humane të viteve të fundit të shkollës së mesme “Dhaskal Tod’hri”, stafit pedagogjik të shkollës, si dhe disa të ftuar të veçantë: Prof. Fioralba Cakoni, ish-nxënëse e kësaj shkolle, sot pedagoge e matematikës në Rutgers University, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  dhe një nga matematikanet më të mira aktualisht në botë; Dr. Valbona Nathanaili, diplomuar në fizikë, drejtore e Fondacionit “Henrietta Leavitt”, njëkohësisht studiuese, autore dhe përkthyese; Prof. Mimoza Hafizi, astrofizikane, pedagoge në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës; Gresa Hoxha, studente, Master Shkencor për Teknologji Ushqimore, Departamenti i Kimisë Industriale, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës.

Prof. Fioralba Cakoni ndau me të rinjtë përvoja nga jeta e saj në shkollën “Dhaskal Tod’hri”, ku kryesore ishte kuraja dhe mbështetja që kishte pasur nga mësuesit e shkollës, veçanërisht nga ish-mësuesja e saj e matematikës, Zoja Bozgo, shoqëruar me ndjenja të shumta nostalgjie për shumë nga ish-bashkëmoshatarët e saj, një pjesë të të cilëve i gjeti në fotot e muzeut së shkollës. Më pas, interesi i të rinjve ishte për karrierën e saj jashtë Shqipërisë, si ia kishte arritur të tërhiqte vëmendjen e katedrave të huaja, ndonëse doktoratura që mbante ishte nga një universitet shqiptar, ose si janë procedurat e pranimit në universitetet amerikane, sa rol ka përgatitja e mëparshme në shkenca, ajo që merr në shkollën e mesme, sa të interesuar janë të rinjtë amerikanë të studiojnë në këto shkenca. Prof. Cakoni inkurajoi të rinjtë të ndjekin pasionin e tyre dhe, nëse është në shkenca, edhe më mirë. Shkencat e sakta gjithnjë shpërblejnë atë që punon, që ka vullnet dhe dëshirë për të njohur më shumë – u shpreh Prof, Cakoni. Por është shumë e rëndësishme që ju të gjeni një mentor, një person që ju mbështet, që ka besim në pasionin dhe punën tuaj, që ju tregon për mundësitë që keni, se çfarë duhet të studioni dhe ku mund të aplikoni. Mentori im në fakultet ka qenë prof. Aleko Minga, ndërkohë që kam pasur fatin të kem një të tillë edhe kur punova temën e doktoraturës. Më pas, falë mundësive që janë sot, u hapën shumë dyer.

Për Dr. Valbona Nathanaili, promovimi i shkencës te të rinjtë ka qenë një nga angazhimet kryesore të punës së saj dhe i gjithë aktiviteti zhvillohet në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave dhe Grave në Shkenca. Sipas Nathanailit, problemi i pjesëmarrjes së vajzave në shkencë në Shqipëri është një problem pothuaj i tejkaluar, vështirësitë qëndrojnë më pas, në angazhimet e mëtejshme të tyre, ku vihet re një tkurrje. “Synimi për këtë vit është të vëmë theksin te vajzat dhe gratë në shkencë si mbështetëse të zhvillimit dhe progresit. Për këtë arsye, edhe grupi i organizuar kishte një përbërje të shtrirë jo vetëm gjeografikisht, por edhe në angazhimet e tyre. Studimet në shkenca janë gjithnjë një mundësi për të bërë përpara, sepse nxitin të menduarin kritik, analizën dhe aftësinë për ta perceptuar botën nga një këndvështrim më i logjikshëm, që merr në konsideratë më shumë faktorë. Pasioni dhe puna shpërblejnë!” – u shpreh Prof. Nathanaili.

Prof. Mimoza Hafizi theksoi faktin që të rinjtë e sotëm janë brezi i shkencës, një brez që do kenë fatin të shohin jo vetëm uljen e njeriut të parë në Mars, por edhe të zbulimit, ndoshta, të jetës jashtë rruzullit tonë.  Mësoni shkenca dhe mos e ndalni kurrë pasionin për të studiuar, kini besim te vetja! – ishte apeli i Prof. Hafizit.

Gresa Hoxha, studentja e masterit në shkenca ndau me të rinjtë e shkollës pse kishte zgjedhur të studionte në shkenca, çfarë planesh kishte për të ardhmen, sa shumë e mbështeste familja  dhe mënyrën si e nxisnin.

Në takim ishin të pranishëm edhe znj. Bruna Boriçi, Drejtore e shkollës “Dhaskal Tod’hri”, si dhe disa nga mësuesit e shkollë.