Më datë 16 dhjetor 2019, Instituti për Studime Sociale dhe Humanistike, Fakulteti Filozofik, Universiteti i Prishtinës (UP), në bashkëpunim me Fondacionin “Henrietta Leavitt” dhe me Fondacionin Friedrich-Ebert-Stiftung (FES, zyra Kosovë) organizuan promovimin e librit “Komercializimi i shkollimit”, zgjedhur dhe përgatitur për botim nga Valbona Nathanaili, një bashkëpunim i Fondacionit “Henrietta Leavitt” me Institutin për Studime Sociale dhe Humanistike të UP-s.

Takimi u zhvillua në sallën e kuqe të Fakultetit Filozofik (UP), nga ora 10.00-11.30. Në promovim ishin të pranishëm Prof. Bujar Degolli, Dekan i Fakultetit Filozofik, Universiteti i Prishtinës, znj. Besa Luzha, Fondacioni Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), znj. Drita Kadriu, Ministria e Arsimit e Kosovës, pedagogë dhe anëtarë të Bordit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, studentë të Fakultetit Filozofik, Universiteti i Prishtinës.

Promovimi u zhvillua nën moderimin e Prof. Asoc. Arsim Sinani, Drejtor i Institutit për Studime Sociale dhe Humanistike, Universiteti i Prishtinës, ndërsa në panel ishin të pranishëm Prof. Steve Fuller, Universiteti i Warwick-ut, Prof. Muhamet Mala, prodekan për kërkimin shkencor, Universiteti i Prishtinës dhe Dr. Valbona Nathanaili, drejtore e Fondacionit “Henrietta Leavitt”. Kontributi i Prof. Steve Fuller u përqëndrua në dy sesione: në të parin bëri një paraqitje të shkurtër në lidhje me një nga çështjet kryesore me të cilën kontribuon në libër. Konkretisht “Kapitalizmi dhe dija: Universiteti ndërmjet komodifikimit dhe sipërmarrjes”. Në sesionin e dytë pjesë e vëmendjes së profesorit ishte Brexit-i, por gjykuar nga një këndvështrim i veçantë dhe njëkohësisht frymëzues, Brexit-i si shprehje e demokracisë, gjë që edhe ngjalli jo vetëm interesin e të pranishmëve, por edhe u shoqërua me pyetje e komente, të cilat u bënë edhe më të shumta në takimin informal organizuar në një nga sallat e Institutit. Interes ngjalli edhe intervista e prof. Fuller me një nga televizionet e Kosovës, ku nuk mungoi edhe shqetësimi i ngritur për vendin bosh që do të lejë ikja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, pasur parasysh mbështetjen e vazhdueshme që ka demonstruar ndaj Kosovës.

Libri “Komercializimi i shkollimit”, Antologji, zgjedhur dhe përgatitur për botim nga Dr. Valbona Nathanaili përfaqëson një kontribut të vyer në literaturën shqip për një nga problemet më të rëndësishme të shkollës sonë, atë të përfshirjes së koncepteve e parimeve të tregut në pjesën më të madhe të funksionimit të saj si institucion, njohur ndryshe si komercializim. Qëllimi është të diskutojmë dhe reflektojmë se çfarë ndodh me misionin e shkollimit dhe synimin që kemi projektuar ne si shoqëri për të ardhmen e fëmijëve, në çastin kur këto parime fillojnë të zbatohen në shkolla njësoj si në treg, çfarë humbasim dhe çfarë fitojmë, duke vendosur theksin në domosdoshmërinë e njohjes ndërmjet dallimeve konceptuale treg dhe shkollë-treg. Autorët bëjnë apel, direkt dhe nëpërmjet rreshtave, për domosdoshmërinë e njohjes, në teori dhe praktikë, të problemeve që shoqërojnë komercializimin e shkollës.

Libri është konceptuar në formën e një antologjie, ku përfshihen artikuj nga profesorë të huaj dhe shqiptarë. Autorët janë zgjedhur me kujdes, duke bërë pjesë të mendimit për çështjet e trajtuara, disa nga profesorët dhe studiuesit më të mirë të fushës. Në këta artikuj, konceptet komercializim dhe komodifikim shtjellohen në aspektin historik, filozofik dhe aktual. Një vend i veçantë u kushtohet përvojave me komercializimin e sistemit shkollor të disa vendeve të ndryshme, përfshirë atë edhe në vendin tonë, krahas edhe sugjerimeve për përmirësimin e kësaj situate.

Libri ndahet në tri pjesë. Artikujt e përfshirë në pjesën e parë fokusohen në rrafshin teorik të komercializimit dhe komodifikimit, në pjesën e dytë këto probleme trajtohen në peizazhin shqiptar, ndërsa në pjesën e tretë përmbajtja pasurohet me refleksione për dy libra që trajtojnë çështjen e komercializimit.

Në moderimin e Prof. Asoc. Arsim Sinani

Sesioni I

  • Ora 10.00 – 10.10 Prof. Muhamet Mala, prodekan për kërkimin shkencor, Universiteti i Prishtinës
  • Ora 10.10-10.40 Steve Fuller Kapitalizmi dhe dija: Universiteti ndërmjet komodifikimit dhe sipërmarrjes
  • Ora 10.40-11.05 Valbona Nathanaili Universitetet private dhe publike në Shqipëri – procesi i pranimeve dhe faktorë që marrin studentët në konsideratë në zgjedhjen ndërmjet tyre

Sesioni II

  • Ora 11.05-11.30 Steve Fuller Brexit, demokracia dhe zgjedhjet në Angli

Rreth folësve

Steve Fuller kryeson katedrën “Auguste Comte” në epistemologji sociale (nga viti 2011), pranë Departamentit të Sociologjisë, Universiteti i Warwick-ut. Kërkimet e hulumtimet shkencore përfshijnë, kryesisht, çështje që janë subjekt i epistemologjisë sociale. Fuller ka themeluar programin e kërkimit shkencor në epistemologji sociale. “Epistemologji Sociale” është edhe emri i një reviste tremujore që ka themeluar me Taylor & Francis më vitin 1987, si dhe titulli i botimit të parë të Fuller, në vargun e njëzet të tillëve. Vepra më e fundit trajton të ardhmen e njerëzimit, ndryshe ‘Humanity 2.0’. Nga viti 1995 është anëtar i Shoqatës Mbretërore të Arteve. Më vitin 2007 i akordohet titulli “Doktor në Letra” nga Universiteti i Warwick, me motivacionin “Për kontribute të çmuara në fushën e studimeve akademike”. Anëtar i Akademisë së Shkencave të Mbretërisë së Bashkuar dhe i Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve. Kërkues shkencor pranë “Breakthrough Institute”, drejtues i grupit think-tank ‘ecomodernist’, studiues pranë “Institute for Ethics and Emerging Technologies”, drejtues i grupit think-tank ‘trans-humanist’.

Arsim Sinani është asistent profesor pranë Universitetit të Prishtinës, Fakulteti Filozofik, Departamenti i Antropologjisë, si dhe Drejtor i Institutit për Studime Sociale dhe Humanistike, pranë Universitetit të Prishtinës, Kosovë. Nga tetori 2018, është anëtar i Këshillit Drejtues të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Gjatë periudhës 2007-2018 ka drejtuar Qendrën për Marrëdhënie Ndërkombëtare e Studime Ballkanike, si dhe është editor i Revistës Shkencore “Diskutime”.

Valbona Nathanaili ka themeluar fondacionin “Henrietta Leavitt” dhe është drejtore ekzekutive (www.fhl.org.al), si dhe iniciuese e disa projekteve në fushën e kërkimit shkencor, edukimit dhe të promovimit të shkencës në publik; autore e disa librave, kryeredaktore e “Tirana Review of Books”, studiuese, botuese dhe përkthyese. Gjatë periudhës 2003-2016 ka qenë drejtore për botimet, përkatësisht pranë Albanian University Press dhe Shtëpisë Botuese të Universitetit Europian të Tiranës (UET Press), duke bërë pjesë të investimit dhe të vëmendjes edhe problemet që lidhen me librin, shkencor e artistik, me editimin e promovimin e tij, po aq sa edhe me revistat shkencore, botimet e konferencave etj. E pranishme në shtypin periodik të Shqipërisë me opinione e artikuj për probleme të ndryshme të shoqërisë dhe politikës.

TË DHËNA PËR LIBRIN

  • Komercializimi i shkollimit. Antologji (2019). Zgjodhi dhe përgatiti për botim: Valbona Nathanaili / Shqip (autorët e huaj): Valbona Nathanaili / ISBN 978-9928-4543-3-1 / 272 f. / Çmimi 1500 lekë
  • Botues: Fondacioni “Henrietta Leavitt” Fondacioni Shqiptar për Shkencë, Media dhe Demokraci Seria e librit shkencor
  • Bashkëpunoi: Instituti për Studime Sociale dhe Humanistike, Fakulteti Filozofik, Universiteti i Prishtinës
  • Copyright © Fondacioni “Henrietta Leavitt”

Foto nga promovimi i librit dhe fjala e Prof. Fuller rreth Brexit-it dhe zgjedhjeve në Angli

Prof. Steve Fuller, Valbona Nathanaili dhe Arsim Sinani, të ftuar në emisionin e mëngjesit “Good morning Kosova”, në mikpritjen e Bajram Qerkini, në Radio Televizionin e Kosovës.

 

PËRMBAJTJA E LIBRIT 

  • Zenun Mulaj Shkolla si treg/ Parathënie
  • Valbona Nathanaili Rezistenca ndaj komercializimit të shkollimit, si pjesë e përpjekjeve për përmirësimin e sistemit / Në vend të hyrjes

Pjesa I ARTIKUJ

  • Steve Fuller: Rreth komodifikimit dhe progresit të dijes në shoqëri
  • Randall Curren & J. C. Blokhui: Prima Facie Case kundër shkollimit në shtëpi
  • Colin Crouch: Komercializim apo edukim qytetar: rasti i arsimit
  • Steve Fuller: Kapitalizmi dhe dija: Universiteti ndërmjet komodifikimit dhe sipërmarrjes
  • Murat Akyıldız & Adem TEKİNAY: Komercializimi i arsimit të lartë, si pjesë e procesit të globalizimit dhe zbatim i qasjes së orientuar ndaj klientit
  • Gary Anderson & Michael I. Cohen: Ripërkufizimi i identitetit të mësuesit dhe të drejtuesit: korniza për studimin e profesionalizmit dhe rezistencës së re të mësuesve
  • Valbona Nathanail: Politika, politika arsimore dhe vlera. Analizë bazuar në literaturë

Pjesa II PEIZAZHI SHQIPTAR / ARTIKUJ

  • Alberto Frashër: Roli themelor i sistemit publik të edukimit për demokratizimin e shoqërisë. Rilindja identitare dhe kulturore e kombit
  • Valbona Nathanaili, Arsim Sinani: Edhe nëse është e thyer, nuk do të thotë se ka nevojë për komercializim. Rasti i Shqipërisë në paralele me Kosovën
  • Valbona Nathanaili: Universitetet private dhe publike në Shqipëri – procesi i pranimeve dhe faktorë që marrin studentët në konsideratë në zgjedhjen ndërmjet tyre
  • Valbona Nathanaili, Mimoza Hafizi, Tatjana Mulaj, Polikron Dhoqina: Letër me propozime për politika dhe aksione. Në përfundim të takimeve konsultative me     pedagogë, mësues dhe drejtues të profilit fizikë (janar – maj 2019)

Pjesa III REFLEKTIME RRETH LIBRAVE

  • Steve Fuller: Për librin: “Shkenca në pazar. Privatizimi i shkencës amerikane”/ Autor Philip Mirowski
  • Gary Anderson: Për librin: “Menaxhimi i ri publik dhe reforma në arsim. Leksione evropiane për politika dhe praktika”/ Përpiluar nga: Helen M. Gunter, Emiliano Grimaldi, David Hall & Roberto Serpieri.