Më datë 12 nëntor 2019, Fondacioni “Henrietta Leavitt” organizoi promovimin e librit “Komercializimi i shkollimit” Antologji Zgjodhi dhe përgatiti për botim Valbona Nathanaili. Shqipëroi (artikujt e autorëve të huaj) Valbona Nathanaili / Me parathënie nga Prof. Zenun Mulaj.
Promovimi u organizua në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Godina B, Tiranë, dt. 12 nëntor 2019, ora 14.00.
Në Panel – në moderimin e Prof. Mimoza Hafizi
- Prof. Zenun Mulaj
- Dr. Valbona Nathanaili
Fjalët e rastit
Prof. Zenun Mulaj: Libri “Komercializimi i shkollimit”, Antologji, zgjedhur dhe përgatitur për botim nga Dr. Valbona Nathanaili përfaqëson një kontribut të vyer në literaturën shqip për një nga problemet më të rëndësishme të shkollës sonë, atë të përfshirjes së koncepteve e parimeve të tregut në pjesën më të madhe të funksionimit të saj si institucion, njohur ndryshe si komercializim. Qëllimi i Dr. Valbona Nathanaili është të vejë në dukje çfarë ndodh me misionin e shkollimit dhe synimin që kemi projektuar ne si shoqëri për të ardhmen e fëmijëve, në çastin kur këto parime fillojnë të zbatohen në shkolla njësoj si në treg, çfarë humbasim dhe çfarë fitojmë, duke vendosur theksin në domosdoshmërinë e njohjes ndërmjet dallimeve konceptuale treg dhe shkollë-treg. Autorja bën apel, direkt dhe nëpërmjet rreshtave, për domosdoshmërinë e njohjes, në teori dhe praktikë, të problemeve që shoqërojnë komercializimin e shkollës.
Komercializimi i shkollës është shndërrimi i shkollës në një fabrikë, ku nxënësi shihet si “lëndë e parë” në hyrje dhe si “produkt” në përfundim. Ndërsa komodifikimi (nga commodity – mall) kuptohet si shndërrim i të mirave jo materiale, si për shembull i dijes, në objekt tregu.
Libri është konceptuar në formën e një antologjie, ku përfshihen artikuj nga profesorë të huaj dhe shqiptarë. Në këta artikuj, konceptet komercializim dhe komodifikim shtjellohen në aspektin historik, filozofik dhe aktual. Një vend i veçantë u kushtohet përvojave me komercializimin e sistemit shkollor të disa vendeve të ndryshme, përfshirë atë edhe në vendin tonë, krahas edhe sugjerimeve për përmirësimin e kësaj situate.
Libri ndahet në tri pjesë. Artikujt e përfshirë në pjesën e parë fokusohen në rrafshin teorik të komercializimit dhe komodifikimit, në pjesën e dytë këto probleme trajtohen në peizazhin shqiptar, ndërsa në pjesën e tretë përmbajtja pasurohet me refleksione për dy libra që trajtojnë çështjen e komercializimit.
Autorët janë zgjedhur me kujdes, duke bërë pjesë të mendimit për çështjet e trajtuara, disa nga profesorët më të mirë të fushës, veçuar këtu autoren, Dr. Nathanaili, me kontribute që i shërbejnë gjithë shoqërisë.
Ky punim është një material gjithëpërfshirës në ndihmë të autoriteteve që përpunojnë politikat arsimore, punonjësve të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe të Drejtorive / Zyrave Arsimore në rrethe të ndryshme të vendit, pedagogëve dhe studentëve të fakulteteve të edukimit, drejtuesve e mësuesve të shkollave apo për ata që përgatiten për t’u bërë pjesë e sistemit arsimor në të gjitha nivelet e tij. Për studiuesit e tregut, libri është një material i mirë për të pasur një qasje më të gjerë, si dhe në shpresën për të kontribuar me mendime / sugjerime / komente. Për prindërit, libri u vjen në ndihmë të kuptojnë më mirë si funksionon sistemi arsimor në ditët e sotme, në synimin për të qenë më të ndërgjegjshëm në mbështetjen e shkollës për realizimin e misionit të saj dhe, akoma më shumë, për ngritjen e zërit a bërjes publike të çdo shqetësimi që pengon realizimin sa më mirë të tij.
Dr. Valbona Nathanaili: Ideja e këtij libri lindi ndërsa shfletoja “Philosophy of Education. An Anthology” të Profesor Randall Curren (zgjodhi dhe përgatiti për botim), një botim voluminoz me Blackwell Publishing. Në këtë vepër, Prof. Curren ka përmbledhur mendimin më të mirë filozofik në fushën e edukimit, me një shtrirje kohore afro 2500 vjeçare. Dëshira ishte të përgatisja një vëllim të ngjashëm – Antologji – përsëri në fushën e edukimit, por me një tematikë tjetër, atë të komercializimit.
Ndërsa arsyeja për të kaluar nga faza e dëshirës, në atë të ideve dhe, më pas, edhe të zbatimit në praktikë, ka qenë situata e tensionuar në sistemin publik të arsimit të lartë: nga dhjetori i vitit 2018, në të gjitha universitetet publike të vendit nuk zhvillohej mësim, sepse studentët ishin në protestë. Fillimisht kërkesat e artikuluara nga studentët protestues ishin thjesht me natyrë ekonomike, por në ditët në vijim u zgjeruan, duke kërkuar rritjen e buxhetit për arsimin e lartë dhe transparencë për mënyrat e shpërndarjes së tij, rishikimin e titujve akademikë dhe verifikimin e plagjiaturave të doktoraturave, rritjen e peshës së përfaqësimit të studentëve në bordet e administrimit të institucioneve të arsimit të lartë, apo edhe biblioteka më të mira dhe më të pasura.
Është fakt që në këto tri dekada post-komunizëm, biseda për arsimin e lartë është mbizotëruar vetëm nga zëra që e kanë parë këtë sektor si treg, si mundësi për të bërë biznes, për të fituar dhe abuzuar, dhe asnjëherë si interes publik. Një vend i ashtuquajtur bujqësor si ky i yni, ka vetëm një universitet bujqësor dhe pesë të tjerë që përgatisin juristë dhe diplomatë! Një sistem arsimor, që me hallkat e tij, me politikat dhe mungesat e tyre, ka detyruar më shumë të rinj të largohen, ka prodhuar më shumë të papunë, ka nxitur gjithnjë pakënaqësi dhe ka reduktuar në mënyrë të frikshme cilësinë e mësimdhënies dhe të diplomave. Shqipëria është shndërruar në vendin e pabarazive dhe shpërndarjes josimetrike të mundësive, dhe një nga arsyet është edhe sepse nuk kemi një sistem të mirë shkollimi.
Më janar 2019, Fondacioni “Henrietta Leavitt”, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Filozofik, Institutin për Studime Sociale dhe Humanistike, hapi thirrjen për artikuj me temë “Komercializimi i shkollimit”.
Synimi i thirrjes ishte mundësimi i një dialogu jopartizan për këtë temë kaq të rëndësishme për shoqërinë, duke u bërë të mundur grupeve politikëbërës dhe vendimmarrës të përfitojnë nga studimet, rekomandimet, përvoja, dijet, mençuria, vizioni, kuptimet, idetë e studiuesve që njohin sistemin arsimor shqiptar, pavarësisht se jetojnë a vinë nga vende a shkolla të ndryshme, por kanë një dëshirë: të kontribuojnë.
Vlera kryesore e këtij libri është se të nxit të mendosh rreth shkollimit të sotëm me një mendësi ndryshe! Akoma, është e rëndësishme, që për herë të parë në shqip flitet për komercializimin, me teori e projekte konkrete, me raste suksesi dhe dështimi; është e rëndësishme, që për herë të parë në shqip trajtohet komodifikimi i dijes. Ndërkohë, duhet theksuar fakti që referencat e bibliografia tejet e pasur e çdo shkrimi janë një mundësi e shkëlqyer për çdo studiues për të pasuruar njohuritë në këtë fushë përtej katedrave a shkollave të mendimit që përfaqësojnë autorët e zgjedhur në këtë Antologji.
Nga analiza e artikujve, të gjithë autorët bien në një emërues të përbashkët: kemi nevojë të ndalemi një çast dhe të reflektojmë! Çfarë po ndodh me shkollat? Çfarë po ndodh me universitetet? Çfarë po ndodh me kërkimin shkencor? Ku ka humbur ideali e pasioni i mësueseve? Ku janë prindërit, që më shumë se nota kërkonin dije nga shkolla? Çfarë duhet të mbajmë e ta shtrëngojmë fort nga shkolla e traditës dhe çfarë duhet të modifikojmë e ta bëjmë të përdorshme në kushtet e postmodernitetit ku ndodhet shoqëria.
Mendoj që në ditët e sotme, forma më e mirë që mund të marrë rezistenca për një fenomen që shqetëson shoqërinë është të mendosh e të ofrosh rrugëdalje, dhe të mendosh e të ofrosh rrugëdalje jo në numrin njëjës, por në shumës! Ky libër është pjesë e rezistencës sime ndaj zhvlerësimit të shumë hallkave të sistemit arsimor shqiptar, ndaj përfshirjes pa kriter e papërgjegjshmëri të çdo parimi të tregut, ndaj mungesës së dëshirës për të marrë dhe ruajtur më të mirën e shkollës shqipe, trashëguar nga brezi në brez, që kur të parët tanë vendosën të jetojnë në këtë vend.
“Fat të mbarë në përpjekjet për t’i rezistuar komercializimit të edukimit” – më shkruante Profesor Colin Crouch, autor i një prej artikujve që gjendet në këtë libër, në një komunikim me ndihmën e postës elektronike, ndërsa drejtuesi i një institucioni privat arsimor në Shqipëri, analizën e komercializimit e vlerësoi “humbje kohe dhe energjie”. Bashkohem me Profesor Crouch! Asnjëherë nuk është humbje kohe të investosh në interes të shoqërisë. Asnjëherë nuk është humbje energjie të vësh në pikëpyetje komercializimin e shkollimit! Libri është ftesë për çdo lexues, që shqetësohet për shkollimin sot, për të bashkuar përpjekjet dhe për t’i rezistuar së bashku komercializimit të shkollimit.
Me shpresën që ky bashkim do ta bëjë më të lehtë arritjen e synimit final: përmirësimin!